Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën për liri të administratorit të kompanisë “Zico”, Petrit Demishaj, i dyshuar se është përgjegjës për trafikimin e 33 kilogramë kokainë, të gjendur në kontenierin me “Banaking”, në nëntor të vitit 2022. Pak ditë më parë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arriti në konkluzionin se Demishaj duhet të qëndrojë në qeli, pasi ekziston ende rreziku që ai mund të prishë apo të dëmtojë provat e hetimit që po zhvillohet nga Prokuroria e Durrësit.
Diçitura: Gjykata e Lartë refuzon lirimin e administratorit të “Zico” sha
Petrit Demishaj u arrestua në 21 nëntor të vitit të kaluar, pasi policia zbuloi 33 kg kokainë të pastër në një prej kontenierëve me banane që vinte nga Ekuadori, me destinacion shoqërinë “Zico”.
Në atë rast, policia arrestoi edhe dy punonjës të kompanisë së skanerit të Portit të Durrësit, “Rapiscan”, konkretisht Alban Neziraj dhe Artur Sevdaraj. Ndërkohë, është shpallur në kërkim pronari i “Zico Company”, Trifon Murataj, për të cilin prokuroria dyshon se ai është organizatori i trafikut të narkotikëve.
Kompania dhe personat e arrestuar kanë mohuar përfshirjen në trafikun e kokainës nga Ekuadori në Shqipëri. Por, deri më tani, autoritetet hetimore dhe gjyqësore vijojnë të kenë dyshime se ata janë të përfshirë në trafik.
Administratori në burg
Në 11 Maj 2023, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën për lirimin nga burgu të administratorit të “Zico” sha, Petrit Demishaj.
Sipas kolegjit penal, duhet të qëndrojnë në fuqi vendimet e gjykatës së shkallës së parë dhe të Apelit të Durrësit, të cilat kanë vendosur masën e sigurimit “arrest me burg” për Demishaj.
Në datë 03.11.2022, rreth orës 14:15, gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e punonjësve të policisë kufitare, Seksionit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe Njësisë së Kontrollit të Kontejnerëve, në Portin Detar Durrës, konkretisht në kontejnerin e kompanisë “Zico” Sha, me administrator shtetasin Petrit Demishaj, të ngarkuar me banane, ndodhur në terminalin e kontejnerëve është konstatuar se, në brendësi të tij, në dy kuti, ndodheshin 31 pako të mbështjella me plasmas transparent dhe me banane të hedhura sporadikisht përsipër.
Respektivisht, 15 pako në njërën kuti, si dhe 16 pako në kutinë tjetër, me lëndë të dyshuar narkotike, me peshë totale 33 kilogram 450 gram, me gjithë ambalazh.
Në cilësinë e personit nën hetim, shtetasi Petrit Demishaj ka deklaruar, ndër të tjera, se : “… as ai dhe as kompania që administron nuk ka dijeni mbi lëndën narkotike dhe se nëpërmjet kompanisë furnitore, i ka vënë në dispozicion policisë, email-in nga origjina e mallit ku thuhet se këta kontejnerë janë të kontrolluara nga autoritetet e antidrogës të vendit të origjinës, si dhe janë të pastra para se të hipin në anije.
Gjithashtu, ai ka sqaruar se as ai dhe asnjë person tjetër në kompaninë e tij nuk ka as lidhje dhe asnjë lloj kontakti me produktin apo me mënyrën se si përzgjidhet, ambalazhohet apo sistemohet në kontejner apo me personat të cilat i kryejnë këto procese.
Me kërkesë të specifikuar të tyren dhe të furnitorit, të gjitha aktivitet e ambalazhimit, seleksionimit apo ngarkimit në kontejner fotografohen dhe filmohen. Në deklarimin e tij ky shtetas sqaron se, ka 12 vite që punon në kompaninë “Zico” Sha dhe duke qenë punonjësi më i vjetër i kësaj kompanie, që nga korriku i viti 2022 ka marrë përsipër ta administrojë këtë kompani.
Arsyeja pse e ka bërë këtë është sepse administratori i mëparshëm i kësaj kompanie, Trifon Murajat, njëkohësisht edhe pronari i kompanisë, jeton në Amerikë dhe se duke e njohur mirë aktivitetin e kompanisë e ka marrë me dëshirën e tij për arsye që të kontribuojë dhe që mbarëvajtja e punës të shkonte sa më mirë, si edhe të përmbushte më së miri detyrën për të ruajtur dinjitetin dhe ecurinë ekonomike të kompanisë.
Diçitura: Prokuroria e Durrësit ka nën hetim për trafik narkotikësh pronarin e “Zico” sha, Trifon Murataj
Duke drejtuar departamentet e kësaj kompanie nga ana administrative dhe jo-teknike ka marrë përsipër ta kryejë këtë detyrë.
Shtetasi Petrit Demishaj deklaron se, kompania përbëhet nga departamenti i financës, i logjistikës dhe departamenti i import-eksportit dhe se është departamenti i import-eksportit që merret me porositë, dhe konkretisht produktet porositen në “CIF” Durrës dhe është kompania BANAKING ajo që i furnizon, ndërsa kompania “Zico” Sh.a., është kompania që ka marrë ekskluzivitetin e “brandit” për ta tregtuar në Shqipëri dhe në rajon, Kosove, Maqedoni, Serbi, Mali i Zi dhe pjesërisht Greqia.
Ai sqaron se Departamenti i financave është ai që merret me pagesat ndaj furnitorit, dhe se pjesërisht paguhet parapagim, ndërsa pjesa tjetër e parave paguhet kur malli vjen në territorin shqiptar.
Kompania “Zico” Sha. pagesën ia bën kompanisë “Banaking” dhe bëhet çdo gjë me bankë.
Mesa di ai kompania “Zico” sha., i kryen pagesat nëpërmjet bankës “Raiffeisen”, rrallë me bankën “Intesa Sanpaolo” dhe personi përgjegjës që bën pagesat ndaj kompanisë “Banaking” quhet Kelina Koçi, ndërsa personi përgjegjës që bën porositjen e mallit quhet Anastas Kriqi”.
Përtej këtyre pretendimeve, Gjykata e Durrësit, në Dhjetor të vitit 2022, ka caktuar “arrest me burg” ndaj Petrit Demishaj dhe punonjësve të skanerit në Portin e Durrësit, Alban Neziraj dhe Artur Sevdaraj. Sipas gjykatës së Durrësit, “në rastin konkret ekzistojnë në të njëjtën kohë në mënyrë kumulative kushtet e përgjithshme, themi se plotësohen kërkesat e nenit 228 pika 1 të Kodit Procedurës Penale për caktimin e masave të sigurimit…
Si për kërkesën për caktimin e masës së sigurimit ashtu edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor, prokuroria kërkoi caktimin e masës “Arrest në burg” ndaj personave nën hetim Petrit Demishaj, Alban Neziraj dhe Artur Sevdaraj.
Prokuroria pretendoi se, personat nën hetim kanë konsumuar veprën penale, e cila parashikon sanksion të rëndë dënimi me burgim. Ndaj tyre duhet të caktohet masa e sigurimit e kërkuar për shkak të rrethanave të faktit the personalitetit, pasi ka rrezik që të kryejnë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilën procedohen.
Diçitura: Gjykata e Lartë la në fuqi vendimet e gjykatës së shkallës së parë dhe të Apelit Durrës
Në vështrim të parashikimit të nenit 229/2 të Kodit Procedurës Penale masa e sigurimit “Arrest në burg” për personat nën hetim është në raport me rëndësinë e faktit the sanksionin që parashikon vepra penale konkrete. Çdo masë tjetër ndaj tyre do të jetë papërshtatshme, kjo për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të personave nën hetim”. Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit të Durrësit, në janar 2023, si edhe nga Gjykata e Lartë, në maj 2023.
Lexo edhe: Itenerari/ Si “avulloi” kokaina në portin e Casablancas dhe në Durrës, dyshimet te “BanaKing”
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post