Lista e Partisë Përparimtare Serbe “Aleksandar Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar 46.4 për qind të votave në zgjedhjet e 17 dhjetorit, që nënkupton 129 ulëse në Parlament, sipas sondazheve të organizatës joqeveritare, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci. Në vendin e dytë është koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, me 23.5 për qind të votave apo 63 ulëse. Në vendin e tretë është Partia Socialiste Serbe, e ish-ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç, me 6.6 për qind të votave apo 19 ulëse. Daçiç ka shprehur gatishmëri që të bashkëpunojë me partinë e Vuçiçit.
Sipas sondazheve, nga listat e komuniteteve, Shaip Kamberi e ka siguruar një vend të komunitetit shqiptar, Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës pritet të fitojë gjashtë ulëse, koalicioni i kroatëve të Vojvodinës tri ulëse dhe një ulëse ka fituar Partia Ruse. Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.
Një total prej 18 partive dhe aleancave kanë garuar për të fituar mbështetjen e 6.5 milionë banorëve, me të drejtë vote, për përfaqësim në Parlamentin me 250 ulëse. Pragu për hyrje në Parlament është 3 për qind. Fillimisht numërohen votat për Parlament, më pas për krahina dhe ato lokale. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se partia e tij është rritur për 10 për qind në të gjitha vendvotimet, në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
Ai ka pretenduar se partia e tij ka fituar edhe në Beograd. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, anëtare e Partisë Përparimtare Serbe, e ka shpallur, po ashtu, fitoren e partisë. Bërnabiç i ka hedhur poshtë deklaratat e mediave, opozitës dhe organizatave joqeveritare për parregullsi në zgjedhje, duke i cilësuar “gënjeshtra brutale”. Predrag Mitroviç nga koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, ka thënë se rezultatet janë të mira, duke e pranuar renditjen në vend të dytë. “Është e qartë se numri i madh i votuesve prej Republikës Sërpska [të Bosnje-Hercegovinës] që kanë votuar ilegalisht në kryeqytet, sepse nuk kanë pasur adresa banimi aty, ka pasur efekt në rezultatin e përgjithshëm”, ka thënë ai.
Sipas Mitroviçit, numërimi i votave për zgjedhjet lokale në Beograd sapo ka nisur, por që grupi “ka bazë për besim në rezultate të mira, që do të thotë, fitore në Beograd”. “Ne besojmë në fitore në Beograd”, ka thënë mes tjerash ai. Mirosllav Alleksiç, nga ky koalicion, ka thënë se nuk vjen në shprehje fitorja e partisë së Vuçiqit në Beograd, ndonëse ka informacione se “40.000 letërnjoftime u janë lëshuar njerëzve që të vijnë të votojnë si qytetarë të Beogradit”.
“Njerëzit që nuk janë nga Beogradi erdhën për të votuar në Beograd”, ka thënë ai në një konferencë për media. Sipas tij, koalicioni “Serbia kundër dhunës” nuk mund ta pranojë këtë fakt dhe do të luftojë kundër “vjedhjes zgjedhore me të gjitha mjetet”. “Sot ne dëshmuam dhunë të pashembullt zgjedhore. Ajo që ndodhi sot në të gjithë Serbinë nuk mund të jetë diçka që ne mund ta pranojmë si rezultat i zgjedhjeve demokratike dhe të ndershme”, ka thënë mes tjerash ai. “Votat janë ende duke u numëruar në një numër të madh të vendvotimeve, veçanërisht në Beograd”, ka thënë Alleksiç.
Qendrat e votimit kanë qenë të hapura prej orës 07:00 deri në orën 20:00, përveç rasteve ku ka pasur radhë të votuesve duke pritur në qendrat e votimit. Rasha Nedellkov, drejtor i organizatës joqeveritare për vëzhgim zgjedhjesh CRTA, ka pretenduar se vëzhguesit e organizatës janë sulmuar fizikisht dhe makinat e tyre janë dëmtuar rëndë në komunën Oxhaci në veri të Serbisë. Policia e ka arrestuar gjatë ditës një të dyshuar lidhur me këtë incident dhe është thënë se po kryhen hetime.
Nedellkov ka shtuar se ka pasur votues që janë bartur me autobusë prej entitetit serb të Bosnje -Hercegovinës, për të votuar në Beograd. Misioni Vëzhgues për Demokraci dhe Zgjedhje të Lira – i themeluar në Beograd më 1997 – ka raportuar se ka parë “mosrespektim të përsëritur” të procedurave zgjedhore në disa qendra të votimit dhe prezencë të “materialit propagandues”.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se i ka vizituar disa qendra zgjedhore në Beograd. “Ambasada amerikane i ka 14 ekipe të shpërndara nëpër Serbi dhe Beograd”, ka thënë ai, teksa ka komentuar praninë e vëzhguesve të huaj në këto zgjedhje. Zgjedhjet e së dielës janë monitoruar nga 5.587 vëzhgues vendas dhe të huaj – numër rekord i vëzhguesve, në krahasim me zgjedhjet paraprake. Këto janë zgjedhjet e pesta që janë organizuar në Serbi prej vitit 2012, dhe janë mbajtur vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.
Zgjedhjet janë nxitur prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive të këtij viti dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor. Dy sulmet me të shtëna masive të majit maj, që kanë lënë të vdekur 18 persona, përfshirë nëntë nxënës dhe adoleshentë, kanë rezultuar me protesta në rrugë me javë të tëra. Partitë opozitare, dhe vëzhguesit për të drejta të njeriut, e akuzojnë partinë në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiç, për kufizim të lirisë së mediave, mbështetje të dhunës kundër kundërshtarëve, për korrupsion, dhe lidhje me krim të organizuar.
Vuçiç, dhe aleatët kanë hedhinur poshtë këto akuza.
Discussion about this post