Qysh kur erdhi në krye Presidentit i Republikës, Bajram Begaj, Institucioni po shpenzon fonde për mobilie, udhëtime, dieta dhe pajisje të teknologjisë. Këtë herë, administrata e Begajt ka menduar t’i blejë laptop të ri shefit dhe më këtë rast hapet një tender që përfshin edhe pajisje të tjera.
Sigurisht që me këtë çështje duhet të jetë marrë sekretarja e Institucionit, por duket se Presidentit i pëlqen të shpenzojë pa e mbajtur dorën. Tenderi ka objekt ‘Blerje pajisje kompjuterike’ dhe ka në dispozicion 24 milionë lekë. Afati i fundit për paraqitjen e ofertave ishte më 25 mars 2024, por gara ka ngecur për shkak se janë bërë 3 denoncime në Komisionin e Prokurimeve Publike për këtë prokurim.
Duket e paprecedentë që për një procedurë të institucionit më të lartë kushtetues të ketë kaq shumë ankesa.
Denoncimi i parë është bërë më datë 14 mars 2024 nga firma “Blueprint Technologies”, e cila ngre dyshime se komisioni i Begajt e ka paracaktuar kompaninë fituese pasi është kërkuar me kaq urgjencë dorëzimi i materialeve kompiuterike. Ankimuesi thekson se afati 10 ditor për lëvrimin e kompjuterëve është i pamjaftueshëm, sepse janë paisje që do të merren nga jashtë dhe nuk prodhohen në Shqipëri.
“Mallrat objekt kontrate janë Aktive Afatgjata qe do te përdoren për një periudhe minimalisht 5- vjeçare. Produktet objekt kontrate janë produkte importi që nuk prodhohen në Shqipëri, dhe importimi i tyre kërkon kohën e vet, për procesimin e porosisë me furnitorin, transportin ndërkombëtar të mallrave, zhdoganimin etj. Për sa me sipër, afati i lëvrimit 10 ditë nuk është i mjaftueshëm, dhe urgjenca nuk justifikohet nga Presidenca. Për sa me sipër, kërkojmë qe afati i lëvrimit te ndryshohet dhe të bëhet 30 ditë”, thuhet në ankesë.
Gjithashtu, ankimuesi shprehet që duhet të hiqet pika ku kërkohet që operatori ekonomik duhet të paraqesë dokumentet e sigurimit për të paktën 3 punonjës specialistë. Sepse bëhet fjalë për furnizim me kompjuterë dhe transportin e tyre, por jo për ndonjë shërbim tjetër. Duke ngritur kështu dyshime se njerëzit e Begajt e kanë hartuar këtë tender sipas kushteve të ndonjë kompanie që i ka gati kompjuterët në magazinë.
Ndërkohë, pa u shqyrtuar akoma ankesa e parë, më datë 18 mars 2024 janë bërë dy denoncime të tjera në KPP.
Sipas të dhënave të firmat OPTIMA COMMUNICATION dhe “QuantX IT Solutions” pretendojnë se tenderi ka një sërë kriteresh që paralizojnë operatorët për të konkurruar.
Të dyja kompanitë kanë ankesa për kriteret ku kërkohet: vërtetim të pagesës së sigurimeve për 3 punonjës, vërtetimi që këta punonjës janë të regjistruar në këtë kompani të paktën në 6 muaj e fundit. Dhe gjithashtu certifikim për IT të punonjësve, kur në fakt Presidenca në këtë tender nuk kërkon shërbim IT, por vetëm të blejë kompjuterë.
“Prandaj, në përfundim ankimuesit shprehen se “Presidenca nuk mund të vendosë kritere tenderi të panevojshme për realizimin e kontratës, të cilat as nuk mund t’i argumentojë ligjërisht dhe teknikisht me nevojën për realizimin e kontratës, kështu duke shkelur parimin e proporcionalitetit në vendosjen e kritereve”, thuhen në ankesë.
Ndër të tjera operatori “QuantX IT Solutions” në denoncimin e bërë shprehet se këto kritere diskriminuese janë vendosur qëllimisht për të penalizuar të gjithë garuesit, që t’i hapet rruga vetëm një kompanie të posaçme.
Çështja mbetet në dorë të Jonaid Myzyrajt të KPP-së që do të marrë ndonjë vendim para 25 marsit, ndërsa Begaj i ndryshon çdo vit kompjuterët e zyrës.
Për më tepër tenderin e komplikuar kërkesa për blerjen e një laptopi të veçantë të për presidentin Begaj.
Për këtë lap top të avancuar kërkohet një specialist që ta konfigurojë. “Specialisti i çertifikuar në nivel teknik nga prodhuesi i All IN ONE 23 dhe Laptop nuk ka asnjë funksion në këtë procedurë pasi pajisjeve nuk do t’ju bëhet asnjë shërbim. Në këtë procedurë nuk është kërkuar asnjë shërbim për pajisjet”, denoncon kompania.
Presidenti nuk ishte pa laptop, madje kompjuterin e ri ia çuan në zyrë në prill 2023.
Në 25 prill të vitit 2023, Institucioni i Presidencës kreu tenderin me objekt “Blerje Pajisje Kompjuterike”, Për Institucionin e Presidentit të Republikës Për Vitin 2023”. Asaj kohe stafi i Begajt bleu 11 kompjuterë, 3 laptopë dhe disa pajisje të tjera ndihmës me vlerë 25 milionë lekë.
Pa bërë akoma vitin këto paisje që blihen me 5 vjet garanci, Begaj ka urdhëruar të hidhen në kosh. Mirë që po u bie me top parave të taksapaguesve, por Institucioni i Presidencës po shkel edhe barazinë e pjesëmarrësve në tendera.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post