Ky është një nga ato tenderat e minutës së fundit që jepen nën tavolinën e Vitit të Ri. Por erdhi qershori dhe nuk i dihet fundi, pas denoncimeve të kompanive që u ndjenë të “tradhtuara” nga vendimi i kryetarit të bashkisë Shijak, Elton Arbana.
Asfaltimi i një rruge të Maminasit me kosto 55 343 180,00 lekë u shpall si prokurim më 28 dhjetor 2023. Me një vendim rrufe më 19 janar 2024 ( dita e fundit e dorëzimit të dokumenteve) është mbajtur tenderi! Si u arrit të merrej vendimi brenda një dite? Shumë e thjeshtë: U skualifikuan të gjithë, përveç fituesit.
Ketë aferë Arbana e ka zhvilluar përmes prokurimit të mësipërm me titull: “Rehabilitimi i rrugëve ne Lagjen Metallaj, Karpen, Bodinok Nj.Ad .Maminas”. Bëhet fjalë për shtrimin me asfalt të një rruge ekzistuese 1.9 kilometra. Nuk parashikohen trotuare, as ndriçim apo mbjellje pemësh anash ose punime shtesë për zgjerimin e saj!
Është vetëm një shtresë asfalt që do të mbulojë në terren shkeljet që kanë nisur qysh nga përllogaritja e fondit..
“Kjo rrugë ka gjatësi 1925 ml, ndodhet në jug perëndim të rrugës Maminas-Shijak. Rruga kalon pjesërisht në zona urbane dhe do t’i shërbejë zhvillimit të fshatrave Bodinot, Metallaj dhe më gjerë. Rruga e rikonstruktuar do të ndjekë në përgjithësi gjurmën e rrugës ekzistuese, sidomos aty ku është e shtruar me kalldrëm duke mos prishur bazamentin ekzistues dhe duke i bërë përmirësimet e nevojshme gjeometrike”, specifikohet në dokumente.
Dhe për kanë punime, që do të zgjasin 5 muaj, Arbana e ka parë të nevojshme të shpenzojë 553 milionë lekë. Por nëse do duhej të shtronte edhe disa rrugica të tjera në Shijak, deri në sa do të shkonin shpenzimet e kryebashkiakut, i cili po e fut këtë njësi vendore në borxhe?
Skema për fituesin
Fryrja e fondit limit duket se është pjesë e skemës së bashkëpunimit me biznesmenët në kurriz të arkës së bashkisë. Tashmë fituesi dihej, pavarësisht që prej 5 muajsh kontrata u mbajt në sirtarët e Arbanës.
Më 12 mars 2024 është njoftuar që fituese ishte oferta e paraqitur nga operatorët: bashkimi i firmave “HTM” sh.p.k dhe “VILDEV-CO”. Ky bashkim operatorësh kishte ofertën më të shtrenjtë të mundshme, 54.450.706 lekë. Vlerësimi i komisionit ishte 294,6 pikë.
I dyti renditej bashkimi i operatorëve L.T.E CONSTRUCTION dhe VARAKU-E sh.p.k: Vlera 51.823.332,23 lekë pa TVSH dhe vlerësuar me 271,2 pikë.
Më tej vijnë tre kompani të skualifikuara: BAMI HOLDING me ofertën 45.070.220,48 lekë, PEPA GROUP GROUP me vlerë 42.164.787 lekë dhe RSM COMPANY me vlerë 40.481.805 lekë.
Dy nga kompanitë e skualifikuara nuk kanë një licencë për pastrimin e mbeturinave. “Licensa e paraqitur është për prodhim asfalto betoni dhe jo për rekuperim mbetjesh”, shkruhet në formulimin e argumentit. Ndërsa kompania e tretë e përjshtuar nuk kishte paraqitur targat e makinës që asfalton rrugën. Sigurisht, kur e ke në të vizatuar në mendje fituesin, hartohen kritere përjashtuese.
Me fjalë të tjera kjo punë mund të bëhet me 15 milionë lekë më pak, sipas ofertave, por Arbana nuk kishte çfarë t’i bënte asaj targës që mungonte tek formulari.
Zgjidhja mund të ishte anulimi i tenderit duke rregulluar kriteret. Kompanitë janë ankuar dhe kjo shpjegon stërgjatjen e procesit.
Por, më pas pa ndonjë arsye të shpjeguar, në fazën finale më datë 28 maj 2024, është shpallur fituese oferta e paraqitur nga operatorët L.T.E CONSTRUCTION sh.p.k – VARAKU-E sh.p.k. që ishte renditur e dyta. Me sa duket është skualifikuar fituesi i parë dhe ka dalë në krye i dyti. Ata nuk kishin asnjë konkurrent përballë ( pas skualifikimeve me dy raunde) dhe është e qartë që tenderi është mbyllur pa zhvilluar një garë të rregullt.
Nuk dihet se për cilat arsye Arbana ka kaluar nga një fitues në tjetrin, pasi edhe në dokumentin e datës 12 mars 2024, edhe më datë 28 maj 2024 nuk është dhënë asnjë arsye për ndërrimin e fituesit.
Pra është një rrëmujë që vetëm Elton Arbana mund t’ia shpjegojë audituesve të KLSH ose ndonjë prokurori të SPAK. Për të ngritur alarmin mbi shpërdorimin e 553 milionë lekëve Open Data Albania i ka vendosur tenderit shenjën ‘Red Flag’, që tregon riskun e korrupsionit.
Firma të favorizuara në tenderat e bashkive
Pronari dhe administratori i firmës fituese të tenderit “L.T.E CONSTRUCTION” shpk është Artur Caushaj që njihet shumë në Tiranë, për shkak të tenderëve pa garë të firmosur nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Sidomos për betonizimit në zonën e Liqenit Artificial.
“Varaku SHPK” në pronësi të Shpëtim Varakut gjithashtu është e favorizuar në tendera, sidomos në bashkinë Durrës.
Madje në vitin 2021 kjo firmë sëbashku me një tjetër bashkëpunëtor akuzohej nga KLSh se merrte tendera me shkresa false nga kryebashkiakia e Durrësit, Emiriana Sako. Asaj kohe KLSH ka gjetur disa shkelje në procedurat e prokurimit publik në tenderin për rikonstruksionin e shkollës “14 Nëntori” në Durrës. Sipas auditit, prokurimi duhet të ishte anuluar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për shkak të shkeljeve. Nga 7 kompani që kanë marrë pjesë në garë, gjashtë janë skualifikuar për shkak të kritereve.
KLSH theksonte se kompania e përzgjedhur duhej skualifikuar duke nënvizuar se bashkimi i operatorëve ka bërë deklarim të rremë të makinerive dhe stafit që disponojnë për kryerjen e punimeve.
Fjala është për për kompanitë “Rajli Ndërtim SHPK” dhe “Varaku SHPK”, të cilat sipas të dhënave në QKB janë në pronësi të Enkelejda Gojashit, Lediana Matës dhe Shpëtim Varakut.
Nga verifikimet rezultonte se kompania fituese ka lidhur dy kontrata të tjera me Bashkinë Durrës për të njëjtën periudhë dhe kanë paraqitur të njëjtat makineri dhe fuqi punëtore, të cilat mund të kenë ndikuar edhe në cilësinë e kryerjes së punimeve. Në bilancet e operatorëve fitues nuk figurojnë në inventar të gjitha mjetet të cilat kompanitë pretendojnë se i disponojnë dhe mungon bilanci i pagesave të taksave vendore. Në audit rezulton gjithashtu se dokumentet e tenderit janë kryer pa numër protokolli, ka parregullsi në hartimin dhe miratimin e DST, specifikimeve teknike dhe kritereve për kualifikim.
Edhe zbatimi i kontratës ishte në shkelje, kjo pasi është lidhur me afat 170 ditë dhe është shtyrë me 60 ditë, pasi subjektet kanë paraqitur faturat me vonesë. Në raportin e KLSH thuhej gjithashtu se të gjitha punimet janë kryer vetëm nga njëri prej operatorëve ekonomik çka vërteton se kontrata mes tyre ka qenë vetëm për plotësimin e kritereve të vendosura në DST, duke dëmtuar konkurrencën e drejtë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post