Biznesmeni i mbetjeve Elvis Miri pritet të arrestohet nga policia, pasi një hetim i prokurorisë së Tiranës ka gjetur parregullsi ligjore në procedurat tenderuese që ka përfituar nga institucionet shtetërore përmes firmës që zotëron – “VALE RECYCLING SHPK”.
Burime zyrtare nga organi i akuzës konfirmuan se në gjykatën e Tiranës është kërkuar masa e arrestit me burg për biznesmenin, i cili akuzohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
Vitet e fundit, ai rezulton se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash publike përmes “VALE RECYCLING SHPK”. Hetimi i prokurorisë ka zbuluar se firma e Elvis Mirit kishte mungesë pajisjesh dhe inceneratori për të kryer asgjësimin e mbetjeve spitalore sipas kontratave të lidhura me entet shtetërore, megjithatë ai arriti gjithsesi të shtinte në dorë tenderat, duke falsifikuar dokumente.
Firma është denoncuar edhe më herët në media për asgjësimin e mbetjeve spitalore në mënyrë joligjore.
Pjesë në mbi 200 procedura tenderimi
Sipas prokurorisë, Elvis Miri ka marrë pjesë në mbi 200 procedura tenderi për asgjësim mbetjesh spitalore, prej vitit 2016 e në vijim, duke dorëzuar dokumentacion të rremë. Personi në hetim pretendonte se kishte kapacitete për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve spitalore duke i kthyer ato nga të dëmshme në të padëmshme, por nga hetimi rezultoi se i mungonin pajisjet për ta realizuar një gjë të tillë.
“Deri në këtë fazë të hetimeve, rezultoi e provuar se Ervis Miri, në bashkëpunimin me shtetasin E.Sh, kanë përpiluar akte të rreme prej vitit 2015 e në vijim, duke pasqyruar në kërkesat e tyre drejtuar AKM-së, nëpërmjet QKB-së, si dhe raporteve të vetmonitorimit peridike, në funksion të Lejes së Tipit B, një pajisje të tipit Econos Tsc 150, e cila në fakt është instaluar pas muajit Janar të vitit 2024”, njoftoi prokuroria.
Shteti mbylli sytë
Hetimet e prokurorisë nxjerrin në pah edhe mosveprimin e punonjësve të shtetit përballë paligjshmërisë së kompanisë “VALE RECYCLING SHPK”.
“Personi juridik, është inspektuar nga punonjësit shtetëror I.B, dhe K.A, por është mbuluar nga këta të fundit për mungesën e pajisjes Econos Tsc 150. Po kështu, edhe inspektorët shtetërorë J.Sh, E.P, A.M, N.D, A.K, B.L, kanë mbuluar veprimtarinë reale të personit juridik, duke mos raportuar pika shkarkimi në ajër dhe tokë të pajisjes Mangazini, të identifikuar nga Ing G.T, në historik, si dhe duke mos raportuar se në vend të ushtrimit të aktivitetit, gjendet i instaluar vetëm një incerenator”, thotë prokuroria.
Sipas të njëjtave burime: Rezulton e provuar se pasisja Econos TSC 150, e këqyrur nga oficerët e policisë gjyqësore, është importuar, në datën 22.01.2024, nga personi juridik ndryshe nga sa ka deklaruar personin nën hetim Ervis Miri, se pajisjen Econs TSC 150 e ka importuar dhe instaluar në vitin 2016. Në këto kushte ngrihen dyshime se me mungesën e pajisjes Econos Tsc 150, dhe mungesën e një prej incenenatoreve, personi juridik, të mos ketë pasur aftësi të përmbushë objektin e kontratave të lidhura me palë të treta për trajtimin e mbetjeve spitalore.
“Hetimet vijojnë në drejtim të veprimeve dhe mosveprimeve të enteve publike si dhe bashkëpunëtoreve të mundshëm, ekspertimeve kontabël, në raport me pasojat që mund të kenë ardhur mbi ndikimin në mjedis, ndër vite”, mbyllet njoftimi i prokurorisë.
Miliardat në tendera me “flamuj të kuq”
Nga një monitorin në portalin e specializuar “Open Data” rezulton se firma “VALE RECYCLING SHPK” ka përfituar 85 kontrata publike në shuma të konsiderueshme monetare, duke garuar e vetme apo si bashkim operatorësh. Kontratat kanë si objekt jo vetëm asgjësimin e mbetjeve spitalore, por edhe pastrimin, dezinfektimin e ambienteve, apo depozitimin e mbetjeve.
Shumica prej tyre janë shënjuar me “flamur të kuq”, ç’ka tregon rrezikun potencial të korrupsionit në procedurën tenderuese, me “Open Data” që evidenton mungesën e konkurrencës, përjashtimin e gjithë garuesve të tjerë përveç fituesit, apo të tjerë tregues.
“VALE RECYCLING” e Elvis Mirit rezulton të ketë përfituar 4 kontrata e vetme, nga qeverisja vendore në Lezhë, Kurbin e Tiranë, me vlerë totale me 85 milion lekë (të reja) – 85 924 614,90 Lekë.
Po nga qeverisja vendore, kryesisht Bashkia e Lezhës, rezulton të ketë përfituar 8 kontrata si bashkim operatorësh me vlerë mbi 290 milion lekë (të reja).
Nga sektori i Shëndetësisë, e vetme, “VALE RECYCLING” ka përfituar 71 kontrata publike me vlerë totale afro 160 milion lekë (të reja) – 159 826 014 Lekë.
Ndërsa në bashkëpunim ka përfituar 2 tendera me vlerë mbi 4 mln lekë (të reja) 4 150 910 Lekë.
Discussion about this post