Oligarkët e naftës po favorizohen nga të gjithë kryetarët e bashkive në tenderat e karburantit, pasi këta i kanë përjashtuar operatorët e vegjël duke rritur fondin limit.
Pra, nuk mjafton oligopoli që kanë krijuar në tregun e naftës këta oligarkë, por marrin të gjithë tenderat e njësive të qeverisjes vendore.
Edhe kryetari i bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja megjithëse është përfaqësues i partisë së Berishës, ka hyrë në vathën e korrupsionit dhe ndjek trendët e qeverisë. Kështu, kryetari Qosja ka zhvilluar një tender me objekt ‘ Furnizim me karburant’.
Sipas të dhënave, nga bashkia Kavajë do të blihen 162,980.13 litra naftë për nevojat e stafit dhe të shërbimeve. Këtu futet edhe furnizimi i makinës së Qosjes. Dhe kur bëhet fjala për shpenzime të tilla, Qosja e zgjidh qesen. Janë vendosur të harxhohen 246 milionë lekë.
Nuk e kuptojmë si e ka përllogaritur kryetari Qosja fondin që i duhet për ta djegur si karburant?
Ku e çon gjithë këtë naftë kryetari? Na lind e drejta t’i bëjmë këto pyetje sepse, së pari në dokumentet e tenderit nuk ka asnjë të dhënë se ku mbështetet caktimi i këtij buxheti. Nga njëra anë kryetari i Kavajës blen makina elektrike, nga ana tjetër shton fondet për të blerë naftë! Kujtojmë se para disa ditësh, në 2 korrik 2024, Fisnik Qosja i dha 125 MLN lekë pa garë mikut të tij Zylyf Haremit për vetura elektrike.
Fisnik Qosja i jep 125 MLN lekë pa garë Zylyf Haremit për vetura elektrike, personi pa licencë
Por, le të kthehemi tek fondi limit, të cilin do ta krahasojmë me periudhën e kaluar. Më 14 tetor 2023, Kryetari i Kavajës firmosi një kontratë me vlerë 145 milionë lekë për furnizim me karburant me afat 1 vit. Këto lekë i mori Paulin Gega.
Qosja i Kavajës i jep Paulin Gegës 145 MLN lekë për të mbushur makinën me naftë
Akoma nuk ka mbaruar afati i kësaj marrëveshjeje dhe Qosja bën tender të ri, tani me 101 milionë lekë më tepër dhe për afatin 7 muaj.
Është e qartë se kryebashkiaku e ka shkelur e gazin e abuzimeve me paratë e arkës së bashkisë. Qosja i xhiron këto fonde pa garë në duart e oligarkut me të cilin bën pazare.
Në dokumente shohim që vetëm firma “GEGA CENTER GKG” shpk ka dorëzuar një ofertë, me vlerë identike sa fondi limit dhe këtu nis shkelja e parë.
Pasi ligji kërkon që ofertat të mos jenë sa 100% e fondit limit. Dhe më keq akoma, Qosja ka vazhduar procedurat me këtë ofertë të shtrenjtë dhe pa asnjë konkurrent. Kur duhet të theksojmë se edhe në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje të ligjit mbi prokurimet.
Menjëherë i është firmosur kontrata Paulin Gegës dhe në datë 16 korrik 2027 e kanë publikuar dokumentin në Agjencinë e Prokurimeve Publike.
Të dyja kontratat ( në tetor 2023 dhe në 16 korrik 2024) janë vlerësuar nga Open Data Albania me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Mbështetur në dokumentet e publikuara, në kemi dyshime se kontrata është përpiluar shkel e shko. Konkretisht në dokumentet standarde të tenderit, siç paraqitet më sipër, ka dy lloje sasish në litra të karburantit që do të furnizohet. Në krye sasia e mallit që kërkohet është 87331.194 litra, ndërsa në tabelë është përshkruar me shifrën 162980,13 litra. Po ashtu, “afati i lëvrimit” është 7 muaj, ndërsa “periudha e dorëzimit” është 12 muaj.
Nga ana tjetër, në asnjë cep të dokumenteve nuk caktohet se sa do të jetë fitimi i Paulin Gegës për litër. Si do të reflektohet ndryshimi i çmimit, që zakonisht ndodh në bursë, tek sasia e furnizuar? Cila është formula?
Dokumentet e tenderit janë firmosur nga sekretari i bashkisë, por sigurisht me urdhër të kryetarit Qosja. Jemi të sigurtë se auditimi i KLSH do të gjejë shkelje të tjera, por edhe këto mjaftojnë për të ngritur alarmin se kjo është një kontratë korruptive që nuk mbron interesa e taksapaguesve kavajas.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post