Që kur është emëruar kryetar i Bashkisë Berat, Ervin Demo, premtimet elektorale i ka kthyer në tendera korruptivë, ndërsa qytetarët presin të shohin veprat. Në ndonjë rast, vonesat e procedurave dhe korrupsioni vënë në rrezik jetën e banorëve. Kështu është rasti me fshatin Lapardha 2 në Berat. Prej vitesh banorët denonconin se janë në rrezik pasi fshati i tyre lidhet me qytetin dhe zonat e tjera përmes një ure prej druri që është e shkatërruar.
Ankesa e fundit është bërë në vitin që lamë pas nga një qytetar i cili tregoi se për pak sa nuk ra në lumë teksa po kalonte mbi urën me dërrasa të kalbura.
Duke mos pasur asnjë mundësi tjetër për tu lidhur me fshatrat e tjerë, ata detyrohen të kalojnë në këtë urë pasarelë të ndërtuar 60 vite më parë dhe që koha e ka degraduar.
Në gjatësinë e urës mungojnë dërrasat që shërbejnë si bazament, e ato që kanë mbetur janë të kalbura. Edhe kavot lidhëse janë ndryshkur.
Në prill të vitit 2023, bashkia njoftoi se është hartuar një projekt për këtë urë, por u desh të kalonte një vit për të dëgjuar sërish për këtë objekt.
Tenderi abuziv
Tani përmes këtij tenderi po hidhen hapat e parë drejt projektit. Bëhet fjalë për tenderin me objekt ‘NDËRTIM I SHPATULLAVE TË URËS SË LAPARDHASË 2’, pra po ndërtohet bazamenti mbajtës i urës si fillim, dhe vetëm kjo pjesë do të kushtojë 100 milionë lekë.
Afati për kontratë është 1 muaj dhe ka nisur që më datë 7 gusht 2024, kur është publikuar kontrata. Por ne kemi dyshime nëse banorët e Lapardhasë do kenë një urë të vërtetë pas një muaji.
Nga të dhënat e dokumenteve të tenderit tregohet se janë dorëzuar 4 oferta për këtë tender. Ishin mjaftueshëm që kryetari Demo të zhvillonte një garë dhe të përzgjidhte ofertën më ekonomike. Por, në fakt është zgjedhur kompania që Demo i ka premtuar qysh më parë fondin 100 milionë lekë.
Qysh në fazën e parë janë skualifikuar nga gara 3 oferta, mes tyre dhe propozimi i firmës INA SHPK që ishte më i lirë, me vlerë 83 milionë lekë. Sipas komisionit të Demos, kjo firmë nuk ka paraqitur brenda afatit dokumentet fizike, ndërsa për ofertat e tjera nuk ka asnjë arsyetim.
Me këtë skemë abuzive që përdoret gjerësisht në tenderë, në fazën finale mbeti vetëm oferta e firmës RRODHE- CONSTRUCTION SHPK, e cila pa u përballur fare me konkurrent u shpall fituese.
Open Data Albania i ka vendosur “Flamurin e kuq” tenderi, si shenjë e riskut të korrupsionit.
Kompania e mësipërme ka pronar Anasatas Rrodhen ka marrë 11 kontrata publike, të gjitha nga bashkia Berat dhe të tëra me “Flamur të kuq”, e favorizuar nga zyrtarët e tenderave.
Të njëjtës kompani, në 26 dhjetor 2023, i është dhënë tenderi për ndërtimin e shpatullave të urës tjetër në fshatin Lapardha, me vlerë 7 804 198,00 lekë.
Tenderi është zhvilluar me procedurën “Me negocim, pa njoftim”, Kjo lloj procedure përdoret kur ka ndonjë emergjencë, por ura akoma nuk është në funksion. Ndërkohë KLDH në maj 2024 gjatë kontrollit të bërë në bashkinë Berat, lidhur me investimet për ujësjellësin e fshatit Lapardha zbuloi se bashkimi i firmave fituese “Rej sh.p.k & 2 T shpk” kishte marrë nga kryetari Demo fonde për punë pa cilësi. Larg qoftë të ndodhë kjo edhe me urat e këtij fshati!
Theksojmë se kjo urë vazhdimisht ka marrë fonde, por qytetarët nuk i kanë parë se ku shkojnë këto lekë. Dokumenti më poshtë tregon se Demo vazhdimisht ka ndarë buxhet për këtë urë.
Dhe tani, që Demo bëri tenderin e fundit, qytetarëve u mbetet vetëm të shpresojnë, që kompania ta riparojë urën.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post