Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka bërë një denoncim për Presidentin Bajram Begaj.
Bardhi ka denoncuar se, djali i Presidentit merr një pagë të madhe në një kompani që ka marrë tenderë nga Presidenca.
Ai bëri me dije se, djali i Presidentit me studime dhe i punësuar jashtë shtetit rezulton i punësuar edhe në Shqipëri, në një kompani sigurimesh.
Djali i Begajt, 23 vjeç, jep konsulencë kundrejt mijëra eurove, për një aktivitet që nuk është fusha e tij e studimeve.
Sipas Bardhit, në këmbim të tenderave, djali i Presidentit rezulton i punësuar fiktivisht me një pagë sa dyfish i mesatares së punonjësve të kësaj kompanie.
Ndër të tjera ka thënë se, sipas Kushtetutës presidentit i ndalohet të kryejë çdo veprimtari shtetërore dhe private, ndërsa presidenti paradite është president dhe pasdite jep konsulencë për disa klinika mjekësore për 200 euro.
Për këtë Bardhi është shprehur se do të përgatitet një kallëzim për në SPAK.
“Një tjetët shkelje e evidentuar qartë nga përfaqësuesit e opozitës është se Begaj i ka dhënë të gjithë prokurimet e Institucionit të Presidentit kompanisë ku punon djali i tij.
Përfitimet personale dhe të birit në shkelje flagrante të Kushtetutës
Në kundërshtim me nenet 11, 86, 88 dhe 89 të Kushtetutës ka krijuar një gjendje permanente konflikti interesi, që cenon konkurencën e lirë në treg, duke i dhënë përfitimin e të gjitha pokurimeve publike të Institucionit të Presidentit në fushën përkatëse kompanisë private ku është punësuar djali i tij pas emërimit të z. Bajram Begaj si President i Republikës.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:
Ka vijuar të ushtrojë detyra publike në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe veprimtari private në Spitalin Acibadem në kundërshtim me detyrimin e tij kushtetues për të hequr dorë nga çdo lloj detyre publike apo veprimtarie private, duke u fokusuar plotësisht në detyrën më të lartë shtetërore, atë të Presidentit të Republikës;
Ka cënuar parimin e konkurrencës së lirë, në drejtim të barazisë së pjesëmarrësve në kontrata publike, duke i akorduar kompanisë private, ku rezulton i punësuar i biri, të gjitha prokurimet publike në fushën e sigurimeve në kushtet e konfliktit faktik të interesit;
Ka cënuar rëndë besimin e publikut të figura e Presidentit të Republikës, për shkak se gjenerimi i të ardhurave nga detyra të tjera publike dhe veprimtari private nga vetë Bajram Begaj, si dhe gjenerimi i të ardhurave nga i biri (person i lidhur) nga një kompani private në marrëdhënie kontraktuale me Institucionin e Presidentit të Republikës, krijojnë perceptimin tek qytetarët e përdorimit të funksionit publik për përfitime personale.
Për këtë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Ligjit, e paprecedentë për një President Republikës, kam autorizuar ekipin ligjor të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që të përgatisë kallëzim penal, i cili do të dorëzohet brenda kësaj jave në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se jemi në kushtet e konsumimit të të paktën dy veprave penale, në bashkëpunim, përkatësisht “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publik” dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, të parashikuara nga nenet 25, 258 dhe 260 të Kodit Penal,-thuhet ndër të tjera në shkresën e Partisë Demokratike.










Discussion about this post