Anëtarët e Partisë Demokratike ne Komisionin e Jashtëm kishin thirrur Kryeministrin Edi Rama në një seancë dëgjimore, lidhur me një editorial të përbashkët me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, mbi çështjet e integrimit, por në vend të tij u paraqit ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha.
“Kërkuam të vinte kryeministri që shkroi artikullin. Autori i artikullit nuk mund të përgjigjet me avokat. Ngatërruat temat qëllimisht për të sfumuar artikullin famëkeq” tha deputeti demokrat, Tritan Shehu.
Ministri i jashtëm u përpoq të justifikonte duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë bllokim dhe se artikulli me Vuçiç nuk është aleancë as projekt por një artikull, por nuk mund të fshehë të ‘të vërtetën se vendet e BE-së kanë vënë si kusht zbatimin e standardeve.
“Rritmi i procesit përcaktohet nga Presidenca dhe shtetet anëtare të BE. Ato do marrin kohën sa ta shohin të arsyeshme. Në këtë kuadër, thelbësore mbeten puna dhe rezultatet nga ana jonë. Ne duhet të vijojmë me durim dhe vendosmëri, duke dëshmuar progres të qëndrueshëm dhe të verifikueshëm, duke thelluar reformat, forcuar shtetin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve, si dhe duke përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga procesi i anëtarësimit”
Tritan Shehu i kujtoi se Shqipëria ka ngelur në vend sa i takon procesit të integrimit duke i nënvizuar ministrit të mos gënjejë, të mos bëjë demagogji por të thotë të vërtetat siç janë.
“Në BE anëtarësohemi vetëm duke plotësuar standardet. Mos kini iluzione e mos fshiheni pas gishtit për të maskuar rrugën tonë të integrimit dhe për të gënjyer njerëzit me artikuj që vetëm pengojnë procesin e integrimit. Nuk ka asnjë rrugë tjetër veç standardeve që po nxihen keq e më keq. Mali i Zi e hapi traktatin. Kam një pyetje retorike për ministrin por sdua përgjigje: Ku është Shqipëria? Nuk përmendet fare. Është në pritje për tu bërë anëtare e BE-së. Vendet anëtare nuk miratuan raportin IBAR. Ju e dini shumë mirë se pa miratimin e saj nuk mund të avancohet në procesin e integrimit. Ne kemi ngelur në vend në procesin e integrimit. Të themi gjërat si janë, të mos gënjejmë, të mos bëjmë demagogji këtu. Serbisë i kanë ngrirë fondet, pas saj e ka Shqipëria. Shqipëria dhe Serbia janë dy regjime ku nuk ka drejtësi. Një nga faktorët kryesorë që pengoi IBAR është imunuteti që mbajti ky parlament ndaj zv/kryeministres. Ajo që ndodhi me Serbinë është alarm për Shqipërinë . Procesi i integrimit të Shqipërisë ka hyrë në kalendat greke e nuk di kur do të dalë. Me këtë regjim nuk do dalë, të jeni të sigurtë”
Vëmendje u kushtua dhe artikullit Rama – Vuçiç në median gjermane. Editoriali i publikuar në median gjermane propozon që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen gradualisht në tregun e brendshëm të BE-së dhe në zonën Schengen pa qenë ende anëtare të plota të unionit.
Për Hoxhën artikulli nuk dëmton ndërsa po kërkohen rrugë të reja për të përshpejtuar integrimin.
“Fakti që ky opinion është firmosur së bashku me presidentin serb Aleksandër Vuçiç nuk mund të dhe nuk duhet të intepretohet si tregues aleance, apo më pak si projekt kundër ndokujt në rajon. Është veçse artikull, as alenacë as projekt. Është e menduar me zë të lartë nëse ndihmon’ tha Hoxha duke nënvizuar se artikulli nuk dëmton Kosovën përkundrazi.
Por Shehu thotë se artikulli dëmton: “Për të justifikuar bllokimin e procesit të integrimit dhe maskuar gjoja me rrugë të reja. Por nuk ka rrugë të reja, ka vetëm një: Reformat e thella, demokracia, drejtësia që ky regjim i ka shkelur. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Ai artikull dëmton shumë dhe tregon se Shqipëria është jashtë standardeve. Nuk mund të ndryshojë artikulli Rama – Vuçiç qëndrimin e BE-së. S’mund të marrim role që të sugjerojmë modalitete të BE-së. Duhet të jemi realistë. BE u ndërtua si aset vlerash, lirie e barazie e këto janë shkelur dhe kërkoni të justifikoni shkeljen e tyre në këtë artikull. Ju nuk ju takonte të flisnit. Nuk duhej të vinit. Ne kërkuam Ramën. Po bëni rolin e avokatit duke ju dëmtuar. Ju na lidhët me Serbinë, është gabim i madh strategjik. Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me Serbinë. Ata janë drejt Lindjes, drejt Rusisë, kjo është Serbia. Duke na lidhur me Serbinë, dëmtoni rëndë Shqipërinë. Pse e bëni këtë? Sepse regjimet kanë frikë nga BE-ja dhe në këtë linjë Tirana e Beogradi janë njësoj.”










Discussion about this post