Të gjithë drejtorët paraardhës të Ami Kozelit në Autoritetin Rrugor Shqiptar janë në burg, në arrest shtëpiak, nën hetim nga SPAK për korrupsion me tenderat. Por edhe ky duket një “kamikaz” i radhës, që zbaton urdhrat për të firmosur deri në sekondën e fundit që do të jetë drejtor. Një tender i dyshimtë, shumë i rëndë për supet e tij, i ka ngecur në dorë këto ditë.
Prokurimi 47 milionë EURO, u është dhënë pa garë formale 2 oligarkëve. Ky dokument mund të mos jetë fleta e parë në dosjen për Ami Kozelin në SPAK, por është provë flagrante.

Objekti i kontratës është “Mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të katër rajoneve (4 lote)”
Fondi limit i përgjithshëm i ndarë nga buxheti i shtetit për këtë shërbim është 4,47 miliardë lekë të reja pa TVSH, ndërsa në Euro: 46,7milionë EUR pa TVSH, sipas kursit zyrtar.

Nuk e dimë, nëse kjo punë nisi ters, apo komisioni i caktuar nga Ami Kozeli përdori një marifet për ta zhdukur tenderin nga radarët e të interesuarve. Procedura u shpall më 7 prill 2026 dhe tenderi u caktua të mbahej më 8 maj 2026.

Papritur më 20 prill 2026, në sistemin e prokurimeve elektronike statusi i tenderit kaloi në “Anuluar”. Cfarë ndodhi? Afro një muaj më vonë mësojmë se Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH)
“konstaton se dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme”.
Të bësh gabime në një tender me vlerë 47 milionë euro, që kishte 1 vit që përgatitej, është e pabesueshme. Për më tepër, nuk është publikuar akoma ndonjë dokument ku të tregohen ndryshimet që janë bërë.
Paradoksalisht, të katërta lotet janë anuluar në të njëjtën ditë. Pra, gabimi dohet të jetë përsëritur në mënyrë të njëjtë në të gjitha prokurimet e shpallura.
Tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve është i ndarë në 4 lote që mbulojnë ka rajonet e Shqipërisë.
Kështu, Loti 1: Kontrata A “Mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të Rajonit Verior” kushton 814,3 milionë lekë të reja pa TVSH.
Loti 2: Kontrata B “Mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të Rajonit Qendror dhe Verilindor”, e ka vlerën vlerë totale afro 1,1 miliard lekë pa TVSH.
Loti 3: Kontrata C “Mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të Rajonit Qendror dhe Juglindor”, kap vlerën 1,36 miliard lekë pa TVSH.
Ndërsa Loti 4: Kontrata D “Mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të Rajonit Jugor”, është përllogaritur me fond limit afro 1,2 miliard lekë pa TVSH.

Ami Kozeli do ta rishpallte tenderin pas ndreqi “gabimet” në dokumentet standarde. Kështu, procedura do të kishte një datë të re për t’u zhvilluar.

Sipas dokumentit të publikuar nga Agjencia e Prokurimit Publik, tenderi i njoftuar të mbahej në 8 maj 2026, u anulua.

Pas rishpalljes prokurimi do të duhet të zhvillohej më 11 qershor 2026. Për këtë tender, ARRSH ka zgjedhur “procedurën e kufizuar”.
Sipas nenti 31 të Ligjit për Prokurimet, pas mbarimit të afatit kohor të shpallur për paraqitjen e kërkesave për pjesëmarrje, autoriteti kontraktor përzgjedh kandidatët.

Më pas autoriteti kontraktor dërgon ftesën për ofertë për kandidatët e përzgjedhur, duke u kërkuar atyre të paraqesin ofertat.
Pas mbarimit të afatit kohor për dorëzimin e ofertave, autoriteti kontraktor hap ofertat dhe përcakton kontratën fituese.
Por drejtori Ami Kozeli, me siguri nën presionin e urdhrave, ka harruar që tenderi është rishpallur dhe ka një datë të re për t’u zhvilluar, të paktën formalisht.
Kozeli e ka dërguar shpalljen e fituesit në Agjencinë e Prokurimit Publik më 18 maj 2026, kur edhe është lidhur kontrata me fituesin.

Sipas këtij dokumenti, data e nënshkrimit të kontratës së ARRSH me kompaninë “2T” shpk të oligarkut Artan Sako, është më 18 maj 2026. Bëhet fjalë për LOTI 3, që i përket mirëmbajtjes së rrugëve të rajonit Qendror dhe Juglindor.
Kujtojmë se kjo kompani e ka pasur për detyrë mirëmbajtjen në këtë zonë dhe, për gjendjen në të cilën janë rrugët, nuk duhej të përzgjidhej.

Në vitin 2022, pa konkurrencë, me “Flamur të kuq” korrupsioni, “2T” shpk do të shpërblehej nga “Rilindja” me kontratën e mirëmbajtjes së kësaj zone.
Sako, vëllai i kryebashkiakut të Tepelenës, do të duhej të përgjigjej penalisht për rrugën që u shemb në Librazhd dhe bllokoi Shqipërinë për javë të tëra. Ishte përgjegjësia e kompanisë së Sakos që ta mirëmbante.
Për këto “merita”, Kozeli i firmos kompanisë “2T” shpk tenderin me fond limit 11.7 milionë euro. Po kur u bë tenderi, kush mori pjesë në fazën e parë, cilët u përzgjodhën për të bërë ofertë?
Këto hapa janë kapërcyer dhe publikut i tregohet vetëm një njoftim se kontrata është firmosur më 18 maj 2026. Këtu ka edhe një koordinim me Agjencinë e Prokurimit Publik, e cila e ka publikuar njoftimin e fituesit një muaj më pas, në Buletinin e datës 15 qershor 2026.
E njëjta metodë është përdorur për procedurën Loti 1.

Më 20 prill 2026 është bërë anulimi i tenderit me objekt Loti 1: Kontrata A “Mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të Rajonit Verior”.
Fondi Limit i kësaj procedure është 883 milionë lekë të reja pa TVSH.

Pasi është rishpallur tenderi, data e re e zhvillimit të prokurimit është caktuar më 11 qershor 2026.
Por gjithcka kishte mbaruar shumë kohë më parë, në zyrën e Ami Kozelit dhe në telefonat e shefave të tij. Ndoshta merr akoma urdhra nga ish-zëvendëskryemnistrja Belinda Balluku.
Pra, vini re: Data e nënshkrimit të kontratës është më 20 maj 2026, ndersa mbajtja e tenderit me 11 qershor. Pra, mashtrohet sikur ka pasur tender. Ndërkohë, kontrata u publikua në Buletinin e APP më 15 qershor 2026.
Fituesi është “GECI” SHPK e oligarkut Ram Geci, pronari i kullës 40 katëshe pas Hotel Tiranës.

Kjo nuk është hera e parë që Geci përfiton në tenderat në këtë mënyrë. Tashmë hetimet kanë nxjerrë edhe anën e errët të këtyre pazareve.
Bazuar në dosjen e SPAK për aferat me tenderat e rrugëve, në 24 gusht 2021, zv/kryeministrja Belinda Ballullu i shkruan kreut të ARRSH-së se i kishte kërkuar kryeministri Edi Rama që të takonte oligarkun Ram Geci, i cili kërkonte tenderin me vlerë 12 milionë euro me objekt ‘Ndërtim rruga Porto Romano Durrës loti 3’.
Evis Berberi i përgjigjet se e kishte takuar atë ditë Ram Geci kryeministrin. Këtë informacion Berberi e kishte marrë nga vetë Geci, pasi të dy kishin bërë një xhiro në kantierin e Unazës së Madhe.
Tre javë pas këtyre bisedave dhe takimeve, në 16 shtator 2021, ARRSH-ja me në krye Evis Berberin njofton procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”. Në 16 nëntor 2021, ARRSH-ja shpall fituese të tenderit kompaninë Geci shpk me pronar Ram Gecin. ‘Oferta fituese’ e Ramë Gecit është pothuajse sa fondi limit.

Trekëndëshi Rama-ministër-drejtor që vendos tenderat vazhdon funksionon, megjithëse SPAK merr nën hetim, shkarkon, con në qeli drejtorët dhe ministrat.

©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet .nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016










Discussion about this post