Mijëra familje prej disa ditësh kanë mbetur pa ujë në Shkodër, ndërsa në disa zona furnizimi është rikthyer me ujë të turbullt dhe të papërdorshëm. Kështu, qyteti që ndodhet mes ujërave, ku janë investuar mbi 20 milionë euro për ujësjellësin, vuan korrupsionin dhe keqmenaxhimin.
Në mes të kësaj situate, drejtori i Ujësjellësit Shkodër, Besmir Lesha, bën tender për vendosjen e paneleve fotovoltaikë. Plot 2.8 miliardë lekë është fondi prokuruar nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime, me objekt “Përmirësim i eficencës së energjisë dhe implementim të paneleve fotovoltaike për shoqërinë Shkodër”.
Më saktë, Fondi Limit i përllogaritur nga komisioni i tenderit është 281.7 milionë lekë të reja pa TVSH. Pra, kur Shkodra digjet për ujë, ky drejtor i dërgon paratë për prodhim energjie diellore. Dhe këtë pazar e bën me Ded Malutajn, një biznesmen i regjur në mashtrime dhe përvetësime të parave të tenderave.

Tenderi i organizuar nga Besmir Lesha është vlerësuar nga Open Data Albania me “Flamur të kuq” për të treguar riskun e korrupsionit.
Procedura është mbajtur më 25 qershor 2026 me 4 operatorë pjesëmarrës që janë trajtuar në mënyrë të dyshimtë.
Së pari, në këtë super tender merr pjesë një kompani që nuk ka bërë fare ofertë ekonomike. Së dyti, tenderin e fiton kompania me ofertë më të lartë.

Më konkretisht, “Progres Shkodra” shpk, sipas dokumenteve nuk ka paraqitur ofertë ekonomike. Pra, është pjesëmarrëse vetëm sa për të plotësuar numrin.
Kompania “CURRI” shpk ka bërë ofertë rreth 300 milionë lekë më të ulët se sa “Junik” shpk që është shpallur fituese.
Kjo diferencë është tarifa që i paguajmë korrupsionit. Kaq kushton kjo firmë e hedhur nga Besmir Lesha më 21 korrik 2026, në formularin e shpalljes së fituesit, dërguar biznesmenit Ded Malutaj.

Kujtojmë se edhe para dy javësh drejtuesi i Ujësjellësit Shkodër firmosi dy tendera marramendës me flamur korrupsioni, njërin në favor të kompanisë së të afërmit të ish-deputetit të PS-së, Paulin Stërkaj, tjetrin për Ndoc Kullën.

Ky guxim për të bërë haptazi korrupsion me paratë e buxhetit të shtetit inkurajohet përmes dy linjave, partiake dhe shtetërore.
Lesha ishte kandidat për deputet i PS për Shkodrën në zgjedhjet e kaluara, ndërsa shefi shtabit politik të qarkut, është ministri që e ka në varësi, Enea Karakaci.
Janë këto linja korrupsioni e kanë favorizuar edhe herë të tjera Malutajn që të marrë tendera të mëdhenj. Në tetor 2025, Gentian Gjyli, drejtuesi i ARRSH-së, megjithëse nën hetim nga SPAK, do t’i jepte Malutajt tenderin ‘Ndërhyrje emergjente për mbrojtjen e themeleve në urën e Milotit’, me një fond limit prej 1 milion euro.
Në këtë garë morën pjesë 6 kompani, por në mënyrë të dyshimtë, në mungesë konkurrence dhe me flamur të kuq u skualifikuan ofertat më të favorshme për shtetin, përfshirë edhe atë me çmimin më të ulët.
Një skemë klasike për të favorizuar klientët e qeverisë. Fitues u shpall bashkimi i operatorëve ‘JUNIK’ shpk & ‘JOOS & KRASNIQI – BAZE’, me një ofertë prej 867 mijë euro, plot 233 mijë euro më shumë se oferta më e lirë që mund të ishte përzgjedhur.
Dhe rezultati i këtij tenderi është vërtetë një katastrofë. “Pas rikonstruksionit të kryer për forcimin e këmbëve të urës, është rritur me deri 7 vite jetëgjatësia”, u njoftua në përfundim të zbatimit të kontratës.

Më 19 mars 2026, në “vendin e krimit” do të kthehej Enea Karakaci, që zëvendësoi Belinda Ballukun.

Gjatë inspektimit të urës nga ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, i vuri vulën hedhjes së parave në lumë. Ai tha se pesha në këtë urë do të jetë 13 tonë për aks, pra 26 tonë pesha maksimale. Jetëgjatësia e urës është 5-7 vjeçare.
Ded Malutaj ka disa firma në pronësinë e tij, që i përdor sipas rastit. “Junik’ shpk u regjistrua në Lezhë në vitin 1995 dhe në emër të saj janë përfituar më së shumti tenderat dhe koncesionet e dhëna nga qeveria.

Malutaj ka qenë vazhdimisht një shkelës i ligjeve të biznesit dhe të prokurimeve, por një rast i bërë publik më 31 maj 2022, tregon më së miri se si i zbaton kontratat me firmën e tij.
Paradoksi qëndron në faktin se Malutaj ka vjedhur organin e akuzës. Kjo ka ndodhur në Prokurorinë e Elbasanit. Tre administratorë të firmave dhe drejtuesi teknik janë treguar shumë të guximshëm duke vjedhur me anë të tenderit për sistemin ngrohës dhe ftohës të godinës së organit të akuzës. Bëhet fjalë për Ardian Lloshi, administrator në “Tirana Neë Supervizor”, Ibrahim Dragoshi administratori në “IMES-D”Shpk, të 2 të arrestuar, si edhe Dedë Maluta, administrator te shoqëria “Junik” shpk dhe drejtuesin teknik, Vladimir Maluta, të shpallur në kërkim nga Policia.
Të katërt, sipas Prokurorisë, në koordinim me njëri-tjetrin, kanë montuar në Prokurorinë e Elbasanit pajisje për ngrohje dhe ftohje të cilat kanë rezultuar me defekt dhe jashtë përdorimit pasi janë instaluar, duke shkaktuar një dëm prej afro 35 milionë lekë.
Godina e re e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ishte marrë në dorëzim në dhjetor të vitit 2017. Në fillim të muajve të verës të vitit 2020 në sistemin e ftohjes janë konstatuar disa problematika që kanë pasur të bëjnë me mosfunksionimin e aparaturës Chiller të instaluar nga subjekti nënkontraktor.
Në vijim, me afrimin e periudhës së dimrit (rreth muajit nëntor), ka rezultuar se pajisja “Chiller” nuk ka funksionuar fare përsa i takon procesit të ngrohjes në institucion. Nga disa verifikime dhe të dhëna paraprake të marra nga specialistë të fushës ka rezultuar se pajisja në fjalë kishte dalë nga funksionimi.
Në muajin dhjetor 2020, Drejtuesi i Prokurorisë ka kërkuar nga Bashkia Elbasan, vendosjen në dispozicion të nje grupi ekspertësh të jashtëm, për të kryer një verifikim profesional të pajisjes. Nga mendimi i përpiluar me shkrim prej këtyre specialistëve, me profesion inxhinierë, depozituar ne date 13 janar 2021 kanë rezultuar se së pari, pajisja kishte dalë jashtë funksioni, së dyti kapaciteti i pajisjes aktuale (kW) nuk i përgjigjet shifrave si në ftohje ashtu edhe në ngrohje të pajisjes së parashikuar në projekt dhe preventiv. Së treti, është ndryshuar zëri i preventivit nga chiller për ftohje dhe kaldajë për ngrohje në chiller për ngrohje-ftohje që nuk i përgjigjen kapacitetit të nevojshëm që kërkon godina në tërësi.
Falsifikuan faturat, u paguan për punime që nuk i kishin kryer! Përveç mashtrimit të kryer duke montuar pajisje me defekt dhe që kishin dalë jashtë funksionit, nga hetimet ka rezultuar se ato edhe kanë falsifikuar faturat duke u paguar për punime që nuk i kishin kryer.
“Shtetasit Ded Malutaj administrator i shoqërisë “Junik” shpk, Vladimir Malutaj me detyrë drejtues teknik i shoqërisë “Junik” Shpk, secili sipas roleve më së pari kanë prodhuar dokumentacionin në zbatim të investimit Akti i Kolaudimit dhe situacioni përfundimtar ( i paguar) i cili ka mospërputhje mes punimeve të deklaruara dhe atyre të kryera në fakt. Pra kanë prodhuar dokumentete të cilat janë të falsifikuara duke konsumuara kështu elementet e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve” të parashikuar nga neni 186/2 I K.penal”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prandaj, në përfundim të këtyre hetimeve, prokurori Bledar Valikaj ka firmosur kërkesën për caktimin e masave të sigurisë “arrest me burg” për 3 administratorët dhe drejtuesin teknik për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.
Ndërkaq, Malutaj nuk i paguan rregullisht taksat, duke detyruar Tatimet që të dërgojnë Përmbarimin gjyqësor në zyrat e tij. Dhe kjo ndodh me projektin e resortit që Malutaj e ka marrë me firmën e Edi Ramës.

Historia nisi më 2018, kur Malutaj ia blen një shtetasi nga Maqedonia kompaninë “Prince Junior” shpk, e cila aktualisht rezulton me status “e pezulluar”.
Por c’ndodhi? Në 26 dhjetor 2023, Edi Rama në cilësinë e kryetarit të KKT, firmosi lejen për resortin turistik që do të ndërtonte Ded Malutaj në vendin më të bukur të bregdetit verior, tek “Rana e hedhun”.

Paralelisht me këtë leje, Malutaj merr edhe një kredi të madhe nga një banke e nivelit të dytë, ku la si kolateral “Prince junior”.
Më tej, vijuan vetëm mospagime taksash dhe bllokime nga Përmbarimi që kërkon paratë.

Këtu lind një pyetje e publikut, por që mund të jetë indicie për SPAK: Ku i con Malutaj miliarda lekë që po merr me tenderat, ndërkohë që ka edhe leje për resort nga Edi Rama?
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post