Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, po përgatit një projekt që mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e administrimit të futbollit botëror.
Sipas një raportimi të gazetës britanike “The Times”, kreu i FIFA-s synon të krijojë një kompani të re që do të menaxhojë kompeticionet më fitimprurëse të organizatës, duke u hapur rrugën investitorëve privatë për të blerë aksione.
Plani parashikon që kompania e re të administrojë Kupën e Botës, Kupën e Botës për Klube dhe turnetë kryesorë të futbollit të femrave.
FIFA do të mbajë shumicën e aksioneve, ndërsa investitorët privatë do të mund të blejnë nga 20 deri në 30 për qind të tyre për disa miliardë dollarë.
Një tjetër 20 për qind e aksioneve do t’u shpërndahej 211 federatave anëtare, të cilat do të kishin të drejtë t’i mbanin ose t’i shisnin.
Sipas raportit, në diskutime janë përmendur emra të njohur si banka JP Morgan dhe investitori Joshua Kushner.
Gjithashtu, pretendohet se Infantino mund të marrë drejtimin e kompanisë së re pas përfundimit të mandatit të tij si president i FIFA-s në vitin 2031.
Megjithatë, projekti ka ngritur shqetësime në botën e futbollit. Zyrtarë të ndryshëm druhen se përfshirja e kapitalit privat mund të ndikojë në vendimet sportive, duke shtyrë drejt zgjerimit të mëtejshëm të Kupës së Botës ose organizimit të saj më shpesh se një herë në katër vjet, për arsye kryesisht ekonomike.
Deri tani, FIFA nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj raportimit të “The Times”.
Aktualisht, organizata funksionon si një ent jofitimprurës në pronësi të 211 federatave kombëtare, ndërsa të ardhurat për ciklin 2022-2026 pritet të arrijnë rreth 15 miliardë dollarë, çka e bën Kupën e Botës një nga asetet më të vlefshme në sportin global.










Discussion about this post