Tirana ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Skënderbeut, duke triumfuar 3-2 në një ndeshje spektakolare, ku të pesë golat u shënuan në pjesën e parë.
Bardheblutë shpërthyen në një interval të shkurtër kohe, por korçarët reaguan dhe e mbajtën sfidën të hapur deri në minutat e fundit.
Tirana kaloi në avantazh në minutën e 27-të, pas autogolit të Lagonidis, ndërsa vetëm një minutë më vonë Daci dyfishoi shifrat.
Festa e bardhebluve vazhdoi në minutën e 34-t, kur Xhixha realizoi golin e tretë, duke i dhënë skuadrës së Klafuriç një epërsi të konsiderueshme.
Skënderbeu nuk u dorëzua dhe reagoi me një supergol të Bragës në minutën e 39-të, ndërsa në shtesën e pjesës së parë Musa shënoi golin e dytë për korçarët, duke ngushtuar diferencën në 3-2.
Pjesa e dytë ishte më e luftuar, me Skënderbeun që kërkoi me ngulm barazimin.
Nasr krijoi disa raste të rrezikshme, por Bekaj u tregua vendimtar me ndërhyrjet e tij.
Në minutën e 53-të, korçarët kërkuan penallti pas një rasti të rishikuar me VAR, por arbitri ndryshoi vendimin dhe nuk akordoi 11-metërsh.
Në fund, Tirana arriti të ruajë avantazhin, pavarësisht presionit të Skënderbeut dhe një goditjeje të Nasr që përfundoi në shtyllë në minutat shtesë, duke siguruar tri pikë pas një sfide plot emocione.









Discussion about this post