Aktivistja Albina Ruko, gjatë fjalës së saj para protestuesve në Tiranë, deklaroi se protesta ka rikthyer shpresën dhe dinjitetin e qytetarëve.
Ruko tha se kërkojnë ndryshim dhe se, sipas saj, në më pak se 60 ditë kanë arritur të mobilizojnë njerëzit kundër asaj që e cilësoi si keqqeverisje.
“Na u deshën më pak se 60 ditë që t’i ngjallim shpresën këtij populli”, u shpreh ajo.
Duke kritikuar largimin e të rinjve nga vendi, aktivistja tha se shumë shqiptarë janë detyruar të emigrojnë për shkak të mungesës së mundësive.
Në përfundim, Ruko deklaroi se qytetarëve u është kthyer besimi për të kërkuar një të ardhme më të mirë në Shqipëri. “Shqipëria është e jona dhe kurrë e hajdutëve”, tha ajo.
Protestuesja:
E vërtetë është, revolucion kërkojmë, ndryshim kërkojmë. Pikë së pari, përshëndetje të gjithë shqiptarëve të lirë, të bukur e të ndershëm. Doja t’ju thoja që na është dashur më pak se 60 ditë që t’i ngjallim shpresën këtij populli, dhe na është dashur më pak se 60 ditë t’i kallim datën çdo patronazhisti, çdo servili, çdo spiuni, çdo deputeti, çdo kryeministri!
Shqipëria dhe shpresa jonë kishte vdekur në fakt me kohë. Që kur ishim fëmijë, që kur prindërit tanë u detyruan të merrnin rrugët e emigrimit, e një pjesë e tyre të ktheheshin me flokë të thinjur, e një pjesë e tyre mos të kthehej më kurrë.
Na e vranë shpresën dhe fëmijërinë kur në vend të shkollës, kopshteve, parqeve, lodrave, na dhanë punën. Na lanë të vdisnim në landfille, na lanë të vdisnim në miniera për të nxjerrë kromin, na lanë të vdisnim në punë sezonale në verë! Edi Rama, ne nuk harrojmë! Na thanë se do të kishim shpresë kur të merrnim diplomat. Ato diploma do të ishte kjo dera e madhe e Evropës. Po e vetmja derë e madhe që na u hap ishte ajo e aeroportit dhe e gomones.
Aty ku rrezikuam jetën çdo ditë për të ikur sa më parë nga ky vend. Por, na u deshën 60 ditë, që këtij vendi, e këtij bulevardi, e kësaj rinie, pleqërie, e fëmije, t’i kthehej buzëqeshja! T’i kthehej shpresa! T’i kthehej dinjiteti! Ta gëzojmë vendin tonë! Ta gëzojmë Shqipërinë e re! Edhe të buçasë ky shesh! Edhe të këndojë ky shesh! Shqipëria është e jona, e kurrë e hajdutëve! E ndaj e gëzofshim Shqipërinë e re!










Discussion about this post