Ergys Agasi pas arrestimit ditën e djeshme qëndroi deri në mesnatë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku agjentët e BKH-së, menjëherë pas arrestimit bënë ekzekutimin e masës arrest me burg. Pasi iu komunikua masa ai u transferua në ambientet e Bllokut të Sigurisë, aty ku do të qëndrojë derisa të dalë para GJKKO-së për vlerësimin e masës.
Ndërkohë që ditën e sotme avokati Maks Haxhia ka takuar Agasin vetëm disa orë pasi u transferua te Blloku i Sigurisë. Haxhia deklaroi se ka kërkuar dosjen në mënyrë që të ngrenë pretendimet.
“Ky është një takim i parë dhe përgatitemi për procesin që është në ditët e afërta lidhur me kushtet e arrestimit. Ne duam dosjen, sepse është e turpshme që edhe pas kaq kohësh që e kemi kërkuar, kjo nuk ka ndodhur Na është mohuar një e drejtë. Pa dosjen nuk ngremë dot pretendimet. Agasi pretendon se është jashtë çdo ngarkesë juridike pasi nuk ka prekur financat publike pasi nuk ka mbajtur funksione të autoriteteve që menaxhojnë financat publike, as lidhur me tenderat”, tha Haxhia.
Teksa u pyet nëse Ergys Agasi është i pafajshëm, përse nuk është dorëzuar më herët, avokati tha se në vendit tonë fillimisht të fusin në burg dhe më pas nisin me akuzat.
“Problemi është që në Shqipëri të fusin në burg, pastaj nisin me akuzat. E di atë historinë, ta presin këmbën e pastaj ta numërojnë që nëse ke apo jo dy këmbë. Duhet të jetë e kundërta, duhet të bëjnë hetime, të gjejnë prova dhe më pas të kërkohet masë e përshtatshme”, u shpreh avokati Haxhia, teksa shtoi se seanca për masën e sigurisë mund të mbahet pasnesër.
Prokuroria e Posaçme ka reaguar me një njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e Ergys Agasit, i shpallur në kërkim prej muajsh për aferën e AKSHI-t.
Në njoftimin zyrtar, SPAK e lidh hetimin me një sërë veprash penale, duke nisur nga ndërhyrjet e paligjshme në konkurrencë dhe tendera publikë, deri te korrupsioni, pastrimi i parave dhe aktiviteti kriminal në kuadër të një grupi të strukturuar.
Biznesmeni dyshohet për “Konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqjen e paligjshme të lirisë”, shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike, pastrimin e produkteve të veprës penale, si dhe për “Grupin e strukturuar kriminal”.
Njoftimi i SPAK:
Pas një pune disa javore në bashkëpunim të ngushtë me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot më datë 26.8.2026, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Ergys Agasi, në hyrjen jugore qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ky shtetas shoqërohej nga shtetasi, U. Sh, ish punonjës policie, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon hetimet për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025, për të cilin, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit Ergys Agasi.
Ky shtetas po hetohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.
Ndaj personit nën hetim dhe konkretisht shtetasit Ergys Agasi, me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për kryerjen me sukses të operacionit.










Discussion about this post