Qendra e Tiranës ishte mbuluar nga retë e gazit lotsjellës pasditen e 24 tetorit, ndërsa krismat e armëve të policisë përziheshin me shpërthimet e kapsollave dhe fishekzjarrëve të protestuesve.
Mes përplasjeve pranë Teatrit të Kukullave, Erjon Vishkulli, një i ri nga Elbasani dhe pjesëtar i grupimit të tifozëve “Tifozët Kuq e Zi”, u godit nga një plumb gome në syrin e majtë.
Në pamjet filmike të incidentit, Vishkulli shihet duke vrapuar në drejtim të sheshit “Skënderbej”, larg vijës së përplasjeve mes policisë dhe protestuesve. Ai mban me dorë syrin e plagosur, përpara se të rrëzohet në tokë.
I gjakosur, Vishkulli u transportua fillimisht në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë dhe më pas me një avion mjekësor drejt Italisë, ku mjekët po përpiqen t’i shpëtojnë shikimin.
Plagosja e tij ishte incidenti më i rëndë i dokumentuar gjatë valës së protestave që ka përfshirë kryeqytetin shqiptar prej mesit të tetorit. Por ky incident nuk ishte një rast i izoluar.
Të dhënat e mbledhura nga BIRN bazuar në pamje filmike, dëshmi të të plagosurve, raportime publike, si dhe dhe raporte nga organizatat e të drejtave të njeriut, identifikojnë të paktën 16 raste të protestuesve dhe qytetarëve të lënduar nga predhat kinetike të policisë mes 17 dhe 24 tetorit.
Të plagosurit kanë marrë goditje në kokë, fytyrë, qafë, kraharor, bark dhe shpinë, ndërsa disa prej tyre paraqisnin plagë të shumëfishta nga predhat. Gjashtë gazetarë raportuan gjithashtu se ishin goditur me plumba gome gjatë ushtrimit të detyrës.
Lloji i plagosjeve, si dhe pamjet filmike që tregojnë efektivë duke qëlluar në drejtim horizontal, ngrenë dyshime serioze për respektimin e standardeve ndërkombëtare që kufizojnë përdorimin e armëve të tilla kundër protestuesve.
Udhëzuesi i Kombeve të Bashkuara i vitit 2020 mbi armët jo vdekjeprurëse ndalon përdorimin e predhave kinetike për shpërndarjen pa dallim të turmave dhe paralajmëron kundër shënjestrimit të kokës, fytyrës, qafës dhe pjesëve të tjera të ndjeshme të trupit, për shkak të rrezikut të plagosjeve të rënda dhe vdekjes.
Ekspertët e të drejtave të njeriut dhe të sigurisë të intervistuar nga BIRN-i vlerësojnë se mënyra e përdorimit të këtyre armëve gjatë protestave studentore në Tiranë mund të përbëjë shkelje të këtyre standardeve.
“Plumbat e gomës dhe predhat e tjera kinetike nuk janë armë të zakonshme për të menaxhuar një turmë protestuesish, pasi standardet ndërkombëtare i trajtojnë si mjete të jashtëzakonshme, të lejuara vetëm kur është e domosdoshme dhe në mënyrë proporcionale,” tha Erida Skëndaj, juriste e të drejtave të njeriut.
Për ekspertin e sigurisë Redion Qirjazi, pamjet e ndërhyrjeve policore tregojnë mungesë disipline dhe ngrenë pikëpyetje mbi trajnimin e efektivëve.
“Së pari, për mua element shqetësues është lirshmëria me të cilën përdoren armët jovdekjeprurëse me të shtënë,” tha ai. “Ato duhet të përdoren vetëm si masë e fundit dhe më specifikisht kur ekziston një kërcënim i menjëhershëm për dëmtim serioz apo humbje jete të personelit ligjzbatues apo civilëve,” shtoi Qirjazi.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk iu përgjigj pyetjeve për koment në lidhje me këto akuza. Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, deklaroi se kishte kërkuar vazhdimisht që çdo ndërhyrje policore të ishte proporcionale dhe brenda kornizës ligjore.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, si me iniciativën e saj, ashtu edhe në vijim të 63 ankesave dhe denoncimeve të administruara, po kryen hetimet dhe verifikimet përkatëse për secilin rast,” deklaroi Demo. “Askush nuk është mbi ligjin. As ai që proteston, as ai që mban uniformën dhe ka detyrimin ta zbatojë atë”, shtoi ai.
Plumba gome kundër turmës
Protestat që përfshinë Tiranën gjatë tetorit e kanë zanafillën në një lëvizje paqësore të nisur më 31 maj 2026, në mbrojtje të zonës bregdetare Pishë Poro–Nartë nga projektet e zhvillimit. Për më shumë se katër muaj, të njohur si “Revulucioni i Flamingove”, demonstruesit marshuan kundër shkatërrimit të mjedisit, korrupsionit dhe kostos së lartë të jetesës.
Por më 13 tetor, me përfshirjen masive të studentëve dhe gjimnazistëve, lëvizja u shndërrua në një revoltë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Përplasjet u përshkallëzuan me sulme ndaj institucioneve publike me gurë dhe mjete piroteknike, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës, ujë me presion, plumba gome dhe arrestime masive.
Për një student 22-vjeçar të Akademisë së Arteve, i cili kërkoi të mbetej anonim nga frika e pasojave, goditja me plumb gome më 24 tetor ndodhi ndërsa po përpiqej të qetësonte një përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Ai i tha BIRN-it se demonstrata kishte nisur përpara Ministrisë së Arsimit, ku policia kishte përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën. Rreth orës 15:00, protestuesit ishin mbledhur sërish para Kryeministrisë.
Sipas studentit, automjetet ujëhedhëse kishin përdorur ujë me ngjyrë të kuqe dhe përbërës irritues, duke i detyruar protestuesit të tërhiqeshin drejt parkut “Rinia”.
Në një nga përplasjet pranë Kishës Katolike, disa demonstrues nisën të hidhnin gurë drejt policisë. Studenti pretendon se ai dhe një grup tjetër në vijën e parë po përpiqeshin të shmangnin përshkallëzimin, kur efektivët e armatosur me armë shotgun filluan të qëllonin.
“Më shumë më erdhi si shpim në qafë dhe u zmbrapsa, bëra mbrapa, pashë që kishte çarë xhupin dhe po më dilte gjak,” kujtoi studenti, i cili shtoi se përpara se të qëllohej e kishin lagur dy herë me ujë me piper me presion.
Fotografitë që studenti i tregoi BIRN-it dokumentojnë dëmtimin e veshjes dhe plagën e shkaktuar në pjesën e sipërme të kraharorit.
Sipas tij, efektivi që e goditi kishte qëlluar nga një largësi prej rreth 20 metrash, me armën të drejtuar horizontalisht.
“Polici që më goditi nuk ishte i ulur në gjunjë dhe nuk po shënjestronte për poshtë; e mbante armën drejt dhe thjesht gjuajti,” tregoi studenti.
Ai pretendon gjithashtu se gjatë ndërhyrjes policore ishin goditur me ujë, gaz dhe plumba gome edhe personat që po përpiqeshin t’u jepnin ndihmën e parë të lënduarve.
Kallëzimi në SPAK
Rrëfimi i studentit është bërë pjesë e kallëzimit penal të depozituar në Prokurorinë e Posaçme, SPAK nga Qendra “Res Publica” bashkë me avokatë, qytetarë dhe organizata të shoqërisë civile.
Krahas verifikimit të rolit të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Ervin Demo, kallëzimi kërkon hetimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Drejtorit të Policisë së Tiranës, Oliger Torba, drejtuesve të Forcës Kombëtare të Sigurisë, njësive “Shqiponja”, si dhe të strukturave operacionale e kriminale.
Avokatja e Qendrës “Res Publica”, Irena Dule, pjesë e grupit vullnetar të avokatëve që kanë nisur të dokumentojnë dhe kallëzojnë për dhunën e paligjshme ndaj protestuesve, veçon një regjistrim audio të datës 24 tetor, të publikuar në media, si dëshmi kyçe për mënyrën se si u urdhërua përdorimi i plumbave të gomës.
“Një provë me rëndësi të veçantë për mënyrën e komandimit të operacionit është regjistrimi i datës 24 tetor 2026, rreth orës 17:00, ku dëgjohet, sipas transkriptimit të kërkuesve, urdhri: ‘Me plumba gome dhe me gaz! Mos i kurseni!’.
“Shprehja e fundit, në kontekstin e përdorimit të armëve dhe të tjerave substanca të pacertifikuara ndaj protestuesve, ngre shqetësimin se efektivët mund të jenë orientuar drejt përdorimit të forcës pa individualizim të mjaftueshëm dhe pa kufizimet e nevojshme,” thekson Dule.
Duke cituar vendimin e Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së të 11 dhjetorit 2025 në çështjen Tsaava dhe të Tjerë kundër Gjeorgjisë, si dhe rastin e 10 shkurtit 2007 në Prishtinë ku protestuesit Mon Balaj dhe Arben Xheladini humbën jetën nga plumbat e gomës të policisë së UNMIK-ut, kallëzuesit kërkojnë ekspertimin balistik e mjekoligjor të armëve dhe regjistrave të municionit.
Avokatët dhe shoqëria civile kanë regjistruar rreth 22 episode të përdorimit të predhave kinetike në mënyrë të parregullt nga policia dhe rreth 180 episode të tjera shkeljesh, përfshi 47 episode rrahjesh ndaj personave të neutralizuar, mbipopullimin në qeli e dhunën ndaj të miturve të konstatuara nga Avokati i Popullit.
Edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) kërkon hetim të thelluar të dhunës së policisë në protesta, i cili sipas organizatës për të drejtat e njeriut duhet të shkojë përtej oficerëve që kanë përdorur armët.
“Hetimi i rasteve të dëmtimeve nuk duhet të kufizohet vetëm te punonjësit që kanë përdorur drejtpërdrejt forcën, por duhet të shqyrtojë edhe përgjegjësinë eventuale të zinxhirit komandues në planifikimin, urdhërimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e operacioneve policore,” i tha KShH-ja BIRN-it.
KShH-ja ngriti po ashtu alarmin se protestues të plagosur kishin frikë të shkonin në spital nga droja e arrestimit, duke lënë të kuptohet se mund të kishte më shumë të dëmtuar.
“Këto dëshmi kërkojnë vëmendje dhe verifikim të mëtejshëm, pasi frika nga pasojat ligjore nuk duhet të shndërrohet në pengesë për marrjen e ndihmës mjekësore,” shtoi organizata.
Nga protestuesit te gazetarët
Protestat që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të Shqipërisë gjatë dy javëve të fundit janë shoqëruar me dhjetëra të lënduar. Vetëm gjatë përplasjeve të 18 tetorit, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, 36 persona morën ndihmë mjekësore në spitalet e Tiranës, përfshirë 21 punonjës policie dhe 15 civilë.
Rastet e dokumentuara nga BIRN-i tregojnë se dëmtimet nga plumbat e gomës nuk u kufizuan vetëm te protestuesit që përballeshin drejtpërdrejt me policinë.
Më 17 tetor, kur u raportua përdorimi i parë i gjerë i predhave kinetike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pranë Ministrisë së Arsimit, disa persona pësuan plagë në pjesët e sipërme të trupit.
Një i ri u raportua i plagosur në syrin e majtë nga një predhë e dyshuar gome, një vajzë u godit në ballë, ndërsa një 17-vjeçar u raportua i plagosur në qafë.
Pedagogu Maksim Meço denoncoi një dëmtim në fytyrë, afër syrit, ndërsa pedagogu Lush Susaj dhe një pedagoge tjetër e Universitetit të Tiranës u raportua se u goditën në kraharor.
Në një incident tjetër, një i ri u filmua me shtatë plagë të shkaktuara nga predhat, ndërsa më 20 tetor një protestues i plagosur në bark iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Traumës.
Për avokaten Dule, vendndodhja dhe përsëritja e plagëve ngrenë pikëpyetje nëse policia i përdori predhat për të neutralizuar kërcënime konkrete apo për të shpërndarë turmat.
“Dëmtimet e raportuara gjatë datave 13–24 tetor, përfshirë goditjet në kokë, fytyrë, sy, qafë dhe kraharor, ngrenë dyshime serioze se këto mjete nuk janë përdorur në mënyrë të individualizuar ndaj personave që paraqisnin kërcënim të menjëhershëm për jetën ose integritetin fizik të të tjerëve,” tha ajo.
Edhe gazetarët që mbulonin protestat u gjendën në vijën e zjarrit.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH, të paktën gjashtë gazetarë dhe punonjës të medias raportuan se u goditën me predha gome gjatë protestave mes 13 dhe 24 tetorit.
Më 17 tetor u raportua goditja e dy gazetarëve të agjencisë Reuters. Një ditë më vonë, gazetari i SYRI TV, Elkier Bushkolaj, u plagos në këmbë.
Më 19 tetor, gazetari Gazment Seiti i KlikNews.al raportoi se ishte goditur gjatë mbulimit të protestës, ndërsa gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami, u qëllua teksa transmetonte drejtpërdrejt nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Bajrami i tha BIRN-it se ndodhej pranë parkut “Rinia”, bashkë me operatorin Erald Kuçuku dhe ekipe të tjera mediatike, kur policia nisi të përdorte gaz lotsjellës dhe plumba gome pas hedhjes sporadike të gurëve nga drejtimi i parkut.
“Po raportoja live dhe po përpiqesha të ndiqja lëvizjet e policisë dhe të protestuesve, ndërsa ndjeva një si grushtim të fortë mes kraharorit dhe supit të djathtë,” tregoi ai.
Bajrami tha se kishte parë një efektiv me armë shotgun të merrte pozicion qitjeje në këmbë dhe të lëvizte tytën në drejtim horizontal.
“E kam të pamundur të përcaktoj nëse qitja me plumba gome drejt meje ishte rastësore apo e qëllimshme, por mund të them se efektivi qëlloi në pozicionin në këmbë, me armën të drejtuar horizontalisht drejt një hapësire të ndriçuar në bulevard, në një kohë që pranë meje ndodheshin edhe përfaqësues të tjerë të medias,” tha ai.
Më 24 tetor, gazetari i Euronews Albania, Ardit Hoxha, raportoi gjithashtu se ishte goditur me plumb gome.
Këto incidente u shtohen dhjetëra rasteve të tjera të raportuara të pengimit dhe dhunës ndaj gazetarëve gjatë protestave, përfshirë goditje fizike, marrje telefonash dhe fshirje materialesh filmike.
Përgjegjësia e policisë
Pavarësisht raportimeve të përsëritura për plagosje, hetimi i parë i njoftuar publikisht nga Prokuroria e Tiranës për përdorimin e forcës policore erdhi pas incidentit të rëndë të Erjon Vishkullit më 24 tetor.
Prokuroria njoftoi regjistrimin kryesisht të një procedimi penal dhe administrimin e rreth 20 kartelave mjekësore të personave të tjerë të plagosur gjatë protestës, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, AMP.
Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së, Klevis Qose, i tha BIRN-it se institucioni kishte ngritur një grup pune për të verifikuar rastet e raportuara në media dhe rrjete sociale gjatë periudhës 13–26 tetor.
Sipas tij, AMP kishte nisur hetime kryesisht, kishte referuar materiale në prokurori dhe kishte hapur dy inspektime mbi procedurat e shoqërimit, ndalimit dhe arrestimit, si dhe mjetet e përdorura nga policia.
Inspektimet përfshijnë predhat kinetike, gazin lotsjellës, ujin e automjeteve ujëhedhëse dhe përbërës të tjerë kimikë të mundshëm.
Megjithatë, AMP nuk dha informacion mbi respektimin e protokolleve të përdorimit të armëve apo përgjegjësitë e mundshme të drejtuesve, duke argumentuar se verifikimet vijojnë.
Një ditë pas plagosjes së Erjon Vishkullit, kryeministri Edi Rama njoftoi se ishte angazhuar personalisht për sigurimin e trajtimit të tij mjekësor në Itali.
Por në reagimin publik, Rama e lidhi incidentin me dhunën e protestave dhe përgjegjësinë e opozitës politike.
“Pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre,” deklaroi ai.
“Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?!” shtoi kryeministri.
Duke sulmuar kritikët e qeverisë, Rama deklaroi se ata ishin “errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit”.
Disa ditë më parë, në një takim me drejtuesit e policisë më 19 tetor, kryeministri kishte deklaruar se personat që qëndronin pranë protestuesve të dhunshëm mund të konsideroheshin gjithashtu objekt i ndërhyrjes policore.
“Ti je po aq shënjestër e policit sa dhe ai tjetri,” tha kryeminstri.
Në të njëjtin takim, ai kishte njoftuar shpërblimin me rreth 270 mijë lekë për secilin prej 2,821 efektivëve të policisë të angazhuar në operacionet gjatë protestave.
Por sipas standardeve ndërkombëtare, policia ka detyrimin të dallojë mes individëve që paraqesin kërcënim konkret dhe pjesëmarrësve të tjerë në një tubim, pavarësisht nëse demonstrata ka përshkallëzuar në dhunë.
Përdorimi i predhave kinetike duhet të jetë i domosdoshëm, proporcional dhe i drejtuar ndaj një kërcënimi të identifikuar, ndërsa mënyra e qitjes duhet të minimizojë rrezikun e dëmtimeve të rënda.
Për juristen Skëndaj, përgjigjja institucionale ndaj dyshimeve për dhunë policore ka qenë dukshëm e ndryshme nga trajtimi i protestuesve të dyshuar për vepra penale.
“Raste të tilla kërkojnë hetim të pavarur dhe të shpejtë nga organi i prokurorisë. Nëse një protestues shoqërohet dhe arrestohet në flagrancë, kur shkelja ndodh nga punonjësit e policisë, kemi vënë re aplikimin vetëm të masës së pezullimit,” tha Skëndaj.
“Kjo krijon një trajtim të pabarabartë dhe joproporcional midis një protestuesi dhe një punonjësi policie, edhe në rastet kur aktet e trajtimit çnjerëzor të protestuesve nga efektivët janë dokumentuar me pamje filmike,” përfundoi ajo.










Discussion about this post