Ditën e sotme përmbyllet java e 9-të në Abissnet Superiore me ndeshjet Tirana – Dinamo dhe Egnatia – Teuta. Prej orës 13:30, do të luhet derbi i kryeqytetit në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.
Bardheblutë kërkojnë reagim pas humbjes në Klasiken e Shqipërisë, kurse dinamovitët vijnë të “karikuar” nga suksesi ndaj Egnatias.
Në sfidën tjetër, kampionët e Egnatias, prej orës 18:30, do të “përplasin brirët” me Teutën në Rrogozhinë. Nëse të besuarit e Nevil Dedes fitojnë, do të rrëzojnë durrsakët nga kreu, me vetëm 2 pikë diferencë.
Trajneri i dinamovitëve, Ilir Daja, ka folur për faqen e klubit, ndërsa ka hedhur më shumë “dritë” mbi atë që e pret nesër skuadrën e tij në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, prej orës 13:30.
Derbi ndaj Tiranës?
Derbi luhet për t’u fituar. Janë ndeshje që karakterizohen nga rivaliteti i madh, grinta dhe dëshira e të dyja skuadrave për të dhënë maksimumin dhe për të arritur suksesin.
Në përballje të tilla kërkohet përqendrim dhe kujdes maksimal në çdo moment të lojës, pasi të gjithë e dimë se janë detajet ato që bëjnë diferencën. Duke qenë se jemi në një fazë të kampionatit ku skuadrat kanë arritur një konsolidim të manovrës së tyre, besoj se do të jetë një ndeshje e bukur dhe e luftuar.
Objektivi i Dinamos në këtë përballje?
Kemi punuar mirë gjatë këtyre ditëve për ta përgatitur sa më mirë këtë përballje, me synimin e qartë për të marrë maksimumin.
Sigurisht që e vlerësojmë dhe e respektojmë kundërshtarin, por ne duhet të vazhdojmë në rrugën e fitoreve, ku u rikthyem në ndeshjen e fundit. Duam t’i japim vazhdimësi këtij momenti pozitiv dhe të tregojmë sërish vlerat tona në fushën e lojës.
Përgatitja e ndeshjes në kohë të shkurtër dhe mundësia e rotacionit?
Koha në dispozicion për përgatitjen e derbit ka qenë e njëjtë për të dyja skuadrat, ndaj nuk mendoj se kjo përbën një avantazh apo disavantazh për ndonjërën prej tyre.
Jam i kënaqur me mënyrën se si kanë punuar djemtë gjatë këtyre ditëve, me seriozitet dhe përkushtim. Mund të bëjmë njëfarë rotacioni në formacion, por gjithmonë duke ruajtur ekuilibrat dhe pa cenuar manovrën e skuadrës.










Discussion about this post