Një operacion i karabinierëve në zonën e Altedos, pranë Bolonjës në Itali ka zbuluar një aktivitet të përmasave të mëdha të kultivimit dhe përpunimit të kanabisit në ambientet e një ish-kompleksi industrial.
Autoritetet kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme lënde narkotike, që dyshohet se i afrohet një toni, ndërsa në pranga ka përfunduar një shtetas shqiptar 57-vjeçar.
Gjatë kontrollit, efektivët zbuluan bimë kanabisi ende në fazë rritjeje, lëndë narkotike që po thahej, si dhe sasi të përgatitura për paketim dhe shpërndarje në treg.
Në ambientet e kompleksit ishte ngritur edhe një kamp i improvizuar, me çadra dhe pajisje që dyshohet se përdoreshin për të mbështetur veprimtarinë e paligjshme.
Në momentin e ndërhyrjes, tre persona po merreshin me përpunimin e kanabisit.
Dy prej tyre arritën të largoheshin dhe aktualisht janë shpallur në kërkim, ndërsa i treti, 57-vjeçari shqiptar u arrestua në flagrancë.
Përveç tij, gjashtë shtetas të tjerë shqiptarë, të moshave 51 deri në 65 vjeç, janë vënë nën hetim në gjendje të lirë për përfshirje të dyshuar në këtë aktivitet kriminal.
Mediat italiane shkruajnë se hetimet dhe kontrollet në zonë vijojnë për të përcaktuar sasinë përfundimtare të drogës së sekuestruar, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për shkatërrimin e lëndës narkotike dhe çmontimin e plotë të plantacionit.










Discussion about this post