Nga Kim Mehmeti
Është naive të besosh se drejtuesit e PD’së dhe deputetët e saj nuk e dinë dhe nuk e kanë kuptuar se të rinjtë dhe qytetarët që protestojnë në Tiranë duan të mbeten njësoj larg dy ‘degëve’ të Partisë së Punës – PD’së dhe PS’së – të cilat, për katër dekada me radhë, shtirreshin sikur nuk e shihnin se në Shqipëri kishte rënë partia e Enverit, por jo edhe mendësia enveriste.
Gjithashtu, është e pamundur të besosh se kreu i PD’së dhe deputetët e saj – mbështetjen e të cilëve askush nuk e ka kërkuar – nuk e dinë se pjesëmarrja e tyre në protesta vetëm sa e dobëson atë dhe e forcon Piktorin.
Pra, ata e dinë se nga çdo grindje dhe përçarje brenda protestës përfiton Piktori, por për ta kjo është një humbje më e vogël sesa të mos përfitojnë asgjë nga kjo revoltë rinore.
Ndërkohë, edhe drejtuesit e PD-së, ashtu si ata që Shqipërinë e bënë narkoshtet, mbrohen nga protestuesit në të njëjtën mënyrë: Piktori duke thënë se pas tij qëndrojnë 800 mijë votues, ndërsa Doktori duke u mburrur se ka marrë votën e 500 mijë shqiptarëve.
Domethënë, duke mos e përfillur fare revoltën e rinisë shqiptare dhe duke shpërfaqur kështu të njëjtën mendësi enveriste: se fati i partive të tyre është më i rëndësishëm sesa fati i Shqipërisë dhe duke e barazuar fatin e tyre politik me atë të popullit!
Sidoqoftë, duhet theksuar se kjo rini po përballet me një betejë shumë të rëndë: ta pastrojë Shqipërinë nga një kastë politike që mëmëdheut ia mori të gjitha, pa i dhënë thuajse asgjë.
Pra, ta pastrojë nga plehu politik që kurrë nuk pati guxim t’i përgjigjej pyetjes: Çfarë i dallon ata që e zbrazën Shqipërinë, ata që më shumë u shërbejnë dhe u frikësohen lobeve hebreje sesa popullit të vet, pra ata që për katër dekada me radhë e vranë Shqipërinë, nga Enveri që po aq dekada vrau shqiptarë, por pa e shitur vendin?
Njësoj siç nuk iu përgjigjën as pyetjes se çfarë i dallon mediat ‘e pavarura’ me të gjithë moderatorët e bashkëbisedimeve politike dhe panelitsët e tyre – që i mbronin ‘vrasësit’ e Shqipërisë – nga ‘Zëri i Popullit’, që i arsyetonte vrasjet e Enverit.
Sidoqoftë, duhet thënë se, nëse nuk duan t’i bëjnë gati valixhet për ta braktisur Shqipërinë, protestuesit e rinj në Tiranë nuk kanë dy zgjidhje, por vetëm një: ta rrëzojnë Piktorin dhe ta pastrojnë Shqipërinë nga plehu politik katërdekadësh që e qelb dhe e kalb atë.
Ndryshe, nëse nuk bie Piktori, Shqipëria do të mbetet pronë private e tij, ndërsa Doktori do të kënaqet me ‘spitalin’ e vet privat – PD’në, ku do t’i trajtojë simpatizantët e tij.
Kështu do të mbetet edhe e vërteta se Piktori dhe ‘Rilindja’ e tij ishin dhe mbeten fatkeqësia më e madhe që i kishte ndodhur ndonjëherë mëmëdheut tonë, siç do mbetet edhe e vërtetë se ‘Nokat’, ‘Jozefinat’, ‘Shehajt’… e PD’së pasuroheshin njësoj si atëherë kur partia e tyre ishte në qeveri, ashtu edhe kur ajo ishte në opozitë.
Dhe pikërisht këto dy të vërteta u japin të drejtën protestuesve të mos lejojnë që revoltën e tyre të pastër rinore ta ndotin drejtuesit dhe deputetët e PD-së, të cilëve nuk u shkon për shtati rënia e Piktorit, sepse vetëm duke e krahasuar veten me të, ata mund të duken si një fatkeqësi më e përballueshme për Shqipërinë.










Discussion about this post