Nga Preç Zogaj
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, zonja Juri Kim, u drejtoi pardje katër pyetje kandidatëve për kryetarë bashkish në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Ja pyetjet: “Nëse sponsori juaj kryesor është dikush i caktuar nga SHBA për korrupsion të konsiderueshëm, çfarë saktësisht po ju premtoni votuesve?
Kush do t’ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t’u detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin SHBA?
Pavarësisht se nuk përmend emra, është e qartë se pyetjet u drejtohen kandidatëve të Lëvizjes për Rithemelimin e PD-së, që drejtohet nga Sali Berisha, kandidates së PS-së në Durrës, në stafin e së cilës është parë të ketë marrë një rol protagonisti ish-kryebashkiaku Vangjush Dako dhe indirekt, edhe kandidates së PS në Shkodër, ku PSD, partia aleate që e mbështet, ka kryetar ish-deputetin Tom Doshi.
Do të kishte qenë me interes të kishte pasur ndonjë reagim nga vetë kandidatët. Ata vërtet mund ta pasuronin debatin me përgjigjet e tyre për gamën e çështjeve me peshë që ngërthejnë pyetjet e ambasadores.
Por ka folur vetëm Sali Berisha, reagimet e të cilit për një temë kësisoj janë pothuajse të njëjta prej çerek shekulli. Nga viti 1997 e këndej, me ndonjë përjashtim të rrallë, ai i ka konsideruar ambasadorët e SHBA në Tiranë guvernatorë, ose i ka trajtuar qëndrimet e tyre si të motivuara nga interesa vetjake, pa lidhje me qëndrimet dhe politikat e shtetit amerikan që ata përfaqësojnë. Dhe në këtë rast i bie që SHBA të mos jenë shteti demokratik më solid dhe më i fuqishëm i botës, por një rrumpallë ku ambasadorët dhe zyrtarët e saj nëpër botë bëjnë çfarë t’u teket.
Me qëndrime të tilla, Sali Berisha ka kontribuar si pakkush për të formuar dhe ushqyer në kushtet e reja një mendim të shtrembër për institucionet amerikane sikur i kapur nga Xhorxh Soros, apo si një shtet ku paraja e lobistëve merr zvarrë dhe përcakton vendimmarrjet e mëdha. Kjo qasje ka zgjuar ndërkaq mendime dogmatike të bartura apo të fjetura për SHBA nga periudha e regjimit të Enver Hoxhës. Kriteri i qëndrimeve të tilla kanë qenë marrëdhëniet personale të Berishës me SHBA, më shpesh e më shumë të tendosura sesa të relaksuara. Ilir Meta ka dhënë kontributin e tij në këtë pikë. Jo vetëm me sulmet ndaj ambasadores së SHBA, por edhe me deklarata të baraslarguara të tipit “ka raketa SHBA, por ka dhe Rusia dhe Koreja e Veriut”, si të mos ishte President i një vendi të NATO-s, por i ndonjë vendi të paangazhuar si ato të periudhës së Luftës së Ftohtë që kishin si pararojë Jugosllavinë e Titos. Edi Rama nuk do të mund të mungonte me të vetën në menynë antiamerikane, duke e ambalazhuar me burrëri apolitike. Dhe këtu më vjen ndërmend deklarata e tij “nuk m’i cakton Departamenti i Shtetit shokët”, me rastin e shpalljes non grata të Vangjush Dakos. A thua se lënda dhe procedura e shpalljes non grata të një personi nuk është një çështje shumë serioze e figurës së zyrtarit të shpallur, por një banalitet që ka për qëllim të të caktojë shokët.
Autokratët, të çdo ngjyre qofshin, e kanë të pashmangshme hyrjen në krizë me SHBA. Jo se SHBA kërkojnë në Shqipëri jesmenë, siç predikojnë “sovranistët”. Po të jetë për jesmenë, nuk ka më të kollajtë e më të kapshëm se zyrtarët e përfshirë në afera korruptive domethënëse. SHBA nuk kërkojnë t’i kapin sepse janë të korruptuar, por kërkojnë t’i largojnë si të korruptuar. Ky është motivi numër një i shpërthimit të tanëve kundër zyrtarëve dhe institucioneve amerikane.
Ambasadorët e SHBA-ve kanë qenë mbështetësit kryesorë të pastrimit të politikës nga krimi në Shqipëri, sponsorët kryesorë të ligjit të dekriminalizimit dhe Reformës në Drejtësi. Ish-ambasadori Donald Lu pati kërkuar publikisht largimin e individëve me rekorde kriminale nga Kuvendi i Shqipërisë, moskandidimin për të njëjtin motiv nga Partia Socialiste të E. Roshit, A. Bushit dhe disa kandidatëve të tjerë, qoftë në zgjedhjet vendore të vitit 2015, qoftë në zgjedhjet politike të vitit 2017. Ambasadorja Juri Kim ka vazhduar në këtë hulli. Ajo ka kërkuar ndër të tjera moskandidimin e Tom Doshit në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të shkuar dhe mospërfshirjen e tij nga Rama në koalicionin qeveritar. E vërteta është se pavarësisht meritave të PD-së dhe konsensusit të PS-së, dekriminalizimi nuk do të ishte ky që është pa mbështetjen e fuqishme të SHBA dhe pa daljes hapur të ambasadorëve amerikanë në fushën e betejës, duke përmendur emra, duke treguar me gisht fytyra.
Askush nga PD, as Berisha, nuk kanë thënë një fjalë e nuk kanë zënë në gojë ndonjë konventë për të kundërshtuar qëndrimet amerikane si ndërhyrje në punët e brendshme. Në prag apo brenda fushatave elektorale. Përkundrazi. I kanë lavdëruar, kanë kërkuar qëndrime edhe më të ashpra kundër të inkriminuarve apo të përcaktuarve non grata.
Çfarë ka ndryshuar tani? Ka ndryshuar vetëm një gjë: Berisha është shpallur non grata. Ai ka ndërmarrë një lëvizje politike dhe po kërkon të sfidojë SHBA e të zhvlerësojë instrumentin “non grata” nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje me kandidatët e tij. Me shembullin e tij, ai ka inkurajuar e “mbuluar” Dakon e PS-së. Nuk kam informacion deri tani të them edhe Doshin. Përdorimi i dy standardeve për të njëjtin fenomen e zhduk parimësinë.
Këtu edhe pyetjet shumë domethënëse të ambasadores Kim. SHBA kanë shpallur botërisht si përparësi të politikës së tyre të jashtme luftën kundër korrupsionit, duke e konsideruar armikun numër një demokracisë. SHBA kanë vënë më lëvizje instrumentin non grata edhe në Shqipëri. Presidenti Biden ka nxjerrë urdhrin ekzekutiv nominalisht për Shqipërinë ku theksohet se korrupsioni cenon sigurinë kombëtare të SHBA si vend që udhëheq aleancën e NATO-s. SHBA i kanë premtuar popullit shqiptar një drejtësi që do të ndëshkojë korrupsionin në sferat e larta dhe sot, pas një rruge plot pengesa, vendi ynë është në vigjilje të zhvillimeve të mëdha nga fronti i drejtësisë. Të gjitha këto meritojnë mbështetjen e gjithë qytetarëve shqiptarë e jo më të mos jenë përparësi dhe rutinë e punës së përfaqësueses me të lartë të shtetit amerikan në Shqipëri. Është e qartë se SHBA nuk do të donin këtu një lëvizje antiamerikane. Sado e vogël të jetë. Por më shumë se për SHBA, ky do të ishte një problem për popullin shqiptar. Nuk ka asnjë arsye për të përligjur një lëvizje të tillë në Shqipëri. Aq më tepër në një moment kyç për antikorrupsionin me mbështetje prioritare amerikane. Historia po na shikon. Pyetjet e ambasadores Kim janë edhe përgjigje të SHBA për një vend mik si Shqipëria.
Discussion about this post