Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se e shqetëson neglizhenca e institucioneve për ta trajtuar në mënyrë më serioze krizën që e ka prekur krejt botën, përfshirë edhe Kosovën.
Rukiqi ka folur rreth inflacionit dhe stagflacionit, po ashtu ka folur rreth sfidave me të cilat po ballafaqohen bizneset, bashkëpunimin me institucionet, çështjen e çmimeve të naftës dhe marrëveshjet në mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në lidhje me gjendjen aktuale në të cilin po kalon vendi me ngritje të inflacionit, që tashmë është 11.2%, Rukiqi deklaroi se qeveria aktuale e drejtuar nga Albin Kurti nuk po e pranon se vendi është në gjendje jo të mirë ekonomike.
Sipas tij, qeveritë e vendeve tjera dhe bizneset janë ulur për t’i diskutuar problemet e këtyre të fundit, por kjo nuk ka ndodhur në Kosovë, gjë që mund të krijojë dëme të pariparueshme.
“Neve po na shqetëson pak neglizhenca e institucioneve me e trajtuar në mënyrë më serioze këtë krizë, me adresuar që ka një krizë fillimisht duhet me pranuar që ka një krizë, ka pak një hezitim të qeverisë me adresuar si krizë dhe, unë mendoj që kjo është natyra e problemit, pastaj te specifikat e problemit apo si mund të trajtohet një krizë, ka shumë mekanizma në radhë të parë do të ishte një mekanizëm mes sektorit privat dhe qeverisë për me diskutuar në baza të rregullta këtë çfarë po ndodhë dhe kjo po bëhet praktikë në të gjitha vendet, ulën kompanitë, ulën akterët të rëndësishëm të tregut, ulën shoqatat e bizneseve, ulën qeveria dhe diskutojnë modalitetet se si mund të dilet nga një situatë, e cila mund të krijon dëme të pariparueshme, tani për tani është inflacion, po çfarë nëse shkon në stagflacion e pastaj edhe në vende pune”, tha ai
Rreth rritjes së çmimit të naftës, Rukiqi ka deklaruar se fajtor për këtë nuk janë bizneset, ashtu siç deklaron qeveria, por sipas tij, fajtor për këtë është importi me rritje të çmimit.
Këtë vit ndryshe nga vendet e tjera, Serbia po drejton me importin më të lartë në vendin tonë. Sipas Berat Rukiqit, institucionet duhet të bëjnë më shumë punë që të rriten inputet vendore duke parë në cilat produkte kemi nevojë.
E sa i përket bashkëpunimit Qeveri-Oda Ekonomike dhe biznese, sipas Rukuqit, kryeministri Kurti del të jetë më i mbyllur për të parë nga afër problemet në të cilat kalojnë bizneset e vendit por edhe organizatat.
“Ende është një vit prej që e kanë marrë mandatin por sigurisht, ka një ngadalësim, ose më mirë me thënë ka një rënie të intensitetit të bashkëpunimit mes biznesit dhe institucioneve publike në këtë mandat, shpresoj se kjo do të përmirësohet si çdo qeveri që vjen në fillim i ka pak ato kokë-fortësinë e veta por megjithatë shpresoj që me kohën edhe mund të përmirësohen, do t’i jap mendimet e mija në një konstilacion tjetër dhe do të flas konkretisht se çfarë duhet të bëhet dhe çka mundë të bëhet dhe çfarë nuk është bërë si nga kjo qeveri, si dhe nga qeveritë e tjera”, ka deklaruar Rukiqi.
Rukiqi ka bërë të ditur se kanë mbetur edhe dy javë deri te përzgjedhja e delegatëve, ku do të bëhen të ditur edhe kandidatët për kryetar të Odës Ekonomike.
Discussion about this post