Arben Kraja e mbylli mandatin e tij si kreu i SPAK pa bërë asnjë punë. Ndoshta është shembulli i vetëm në planet i një hierarku të sistemit të drejtësisë që nuk arriti dot të çonte në gjykatë asnjë dosje të zyrtarëve të lartë dhe pushtetarëve të korruptuar. Edhe dosjen Tahiri, SPAK e trashëgoi nga sistemi i vjetër i drejtësisë, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që u shkri me reformën në drejtësi. Por kjo nuk është veçoria kryesore dalluese e tij. Ai ka spikatur më bujshëm në një fushë tjetër.
Sa herë që situata politike në vend ishte në disfavor të Edi Ramës, shefi në largim i SPAK përfshihej në një fushatë propagande që synonte të zbuste presionin publik mbi shefin e qeverisë. Të gjithë i kujtojmë premtimet e tij çdo qershor se në shtator do të kishte arrestime zyrtarësh. Shtatori vinte, siç erdhi disa herë, dhe arrestimet e bujshme përfundonin në arrestimin e njerëzve që kishin humbur çdo pushtet apo arrestime të rangjeve të dyta a të treta.
Por çdo shtator, zotëria në ikje nga drejtimi i SPAK kishte premtime të tjera: kjo vjeshtë, dhjetori, janari, pranvera dhe në fund vinte qershori me premtimin se sa të mbaronin pushimet, politikanët e lartë të korruptuar e kishin vendin prapa hekurave.
Këtë bëri z. Kraja edhe këtë javë. Ai doli në media dhe deklaroi se do të ketë arrestime të ministrave e deputetëve vetëm një ditë përpara protestës së paralajmëruar nga Ilir Meta dhe partia e tij tek inceneratori i Tiranës. Jo se protesta e Metës do të rrëzonte qeverinë, por sepse ajo nuk duhej të ishte lajmi kryesor i 13 shtatorit. Sepse dosja e inceneratorëve është faktikisht edhe patatja e nxehtë në duart e Edi Ramës. Ai nuk ia doli që ta menaxhonte atë siç menaxhoi me dhjetëra kapituj të tjerë të qeverisjes së tij korrupte.
Dosja e inceneratorëve më së paku përvëlon vetë trashëgimtarin, kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj që më shumë se ministrat e akuzuar është kapur në paligjshmëri të hapur nga komisioni hetimor që u zhvillua me kërkesë të vetë amerikanëve.
Ngulmimi i amerikanëve që mazhoranca të votonte ngritjen dhe zgjatjen e afatit të këtij komisioni është në fakt edhe brenga e vërtetë e Edi Ramës. Përse ata ngulën këmbë që kjo kërkesë e opozitës të shkonte në vend? A mos ndoshta ata donin fakte dhe prova për korrupsionin e Edi Ramës? Mos vallë amerikanët kishin kuptuar se u duhej ta kapnin diku Edi Ramën që prej muajsh po ndjehej i parivalizuar dhe kishte nisur të sillen me arrogancë edhe me ta?
Këto pyetje e lënë pa gjumë Edi Ramën. Por lënë pa gjumë edhe Erion Veliajn. Përpjekjet e Z. Kraja për t’u shndërruar në valium për ta u bënë edhe kapaku i turpshëm i karrierës së tij. Ai erdhi në krye të SPAK me akuza si ish funksionar i drejtësisë së diktaturës por iku prej asaj detyre si shërbëtor i korrupsionit.
Ai po lë në sirtarët e zyrës së tij dhjetëra dosje, nga ajo e check-up, e sterilizimit, e inceneratorëve, e pastrimit të parave të Ndragheta-s në Tiranë, kutia e pandorës së grupeve kriminale që hapi Nuredin Dumani, por edhe shumë kontrata PPP që ka dhënë Rama në këto 9 vite qeverisje. Por, jo pa çudi, ai nuk la asnjë rast pa u përfshirë në axhendën propagandistike të Ramës dhe Veliajt, sa herë që ata patën nevojë.
Vitet e drejtimit prej tij të SPAK do t’u shtohen viteve të humbura të drejtësisë së re, një shpërdorim i madh i mundësisë për të vendosur sundimin e ligjit dhe për ta bërë Shqipërinë një vend të vërtetë perëndimor.
©Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post