Gazetari Klodian Tomorri ka dhënë alarmin për korrupsionin në KESH, duke marrë rastin ku së fundmi Autoriteti i Konkurrencës kishte aprovuar një kontratë mes NOA dhe KESH. Dy kompanitë bënin shit-blerje energjie mes njëra tjerash shume herë brenda 24 orëve, duke bërë që NOA të fitonte shuma marramendëse, pasi blinte energjinë me çmim më të lirë në mëngjes dhe në mbrëmje ja shiste sërish KESH me vlerë shumë më të lartë.
Duke analizuar situatën, eksperti thotë se, se është korrupsion i hapur që një institucion i energjisë bën të tilla pazare në kohën kur kryeministri Edi Rama kishte shpallur krizën energjetike.
“Tre ditë pasi Qeveria kishte shpallur gjendjen e emergjencës, Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare shkëmbente energjinë e Kaskadës së Drinit me një kompani private të quajtur Noa Energy. Plot 950 mega të shkëmbyera, tre dite pasi ishte krijuar Komiteti i Emergjencës dhe kryeministri kishte vënë kujën e krizës. Në të njëjtën ditë OSHEE zhvilloi ankand dhe bleu energji me çmim deri në 300 euro për megavat, madje nuk arriti të sigurojë sasinë e nevojshme. Ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe Kaskada vazhdonte të përdorej për interesa private”, shkruan Tomorri në rrjete sociale.
Sipas tij, të dhënat konfidenciale tregojnë se në periudhën qershor-shtator KESH ka shkëmbyer 150 deri në 200 mijë mega vat energji, përmes një marrëveshje të dyshimtë. Tomorri shkon edhe më tej, duke hedhur dyshime të mëdha dhe bën apel për hetim të kësaj afere dhe për hetim të institucionit të KESH-it.
“Së pari, nga fakti që bëhet kontrate shkëmbimi me një kompani tregtare. Kontratat e shkëmbimit zakonisht bëhen mes prodhuesish jo mes një prodhuesi dhe një tregtari. Së dyti, shkëmbimi i energjisë është tentuar edhe më parë, madje disa herë nga kompani të tjera, por nuk është miratuar asnjëherë. Dhe fakti që nuk miratohej tregon se ishte problematike. Megjithatë oraret se kur është shkëmbyer energjia nuk i di askush me saktësi. Arsyeja është se KESH nuk rregullohet më. Me pak fjalë, KESH sot është një çiflig privat, prandaj të gjitha kompanitë publike të energjisë duhen vënë nën hetim”, përfundon reagimin gazetari Tomorri.
Kujtojmë se ky nuk është rasti i vetëm kur institucionet tona abuzojnë dhe fusin në xhepat e tyre paratë. Pasi pak kohë më parë ne raportuam se OSHEE blinte energjinë me çmim shumë më të larta se bursa.