Kryebashkiaku Armando Subashi mbush me asfalt gropat e rrugëve para zgjedhjeve, po ashtu llogarinë e mikut të tij Paqsor Buzi. Nuk janë pak, por 2.5 miliardë lekë që janë prokuruar nga Bashkia Fier për asfaltin elektoral që do të hidhet në rrugë dhe sheshe të dëmtuara. Subashi thotë se ky asfaltobeton është për 3 vjet, por pa caktuar asnjë rrugë konkrete apo afat për secilin objekt që do të asfaltohet. Në fakt, koha e zhvillimit të tenderit për kon me zgjedhjet që po afrojnë.
Tenderi me “Flamur të kuq”
Tenderi është për asfaltimin e rrugëve të dëmtuara, ndërsa zyrtarisht është klasifikuar “Blerje mallrash”. Ky është një mashtrim i bashkisë Fier me qëllim rritjen e fondit limit dhe kufizimin e pjesëmarrësve në tender. Jo vetëm kaq, por është vendosur një afat 3 vjet, që Paqsor Buzi të marrë sa më shumë lekë nga arka e bashkisë, pa asnjë projekt konkret për të zbatuar.
Bëhet fjalë për prokurimin e Bashkisë Fier me objekt “Blerje (furnizim/vendosje) materialeve të nevojshme për rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve të brendshme dhe shesheve të Bashkisë Fier”.
Fondi Limit që ka caktuar kryebashkiaku për të xhiruar në llogarinë e Paqsor Buzit është 249 470 651,00 lekë pa TVSH.
Kështu, më 24 janar 2025, kryebashkiaku ka urdhëruar njoftimin e tenderit dhe u është lënë një muaj kohë kompanive që të paraqesin ofertat. Megjithëse aplikuan 8 operatorë pjesëmarrës, komisioni i tenderit u kujdes që t’i shpallte të pavlefshme ofertat e tyre, përfshirë edhe ato më ekonomike.
Më 18 mars 2025, “G.P.G.COMPANY” shpk me pronar Paqsor Buzin u shpall fituese me ofertën 165 098 873,00 lekë.
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, citojmë përshkrimin e bërë nga Open Data Albania për tenderin, Kjo procedurë është shënuar me “flamur të kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit.
Argumenti komik për të skualifikuar ofertën më të ulët
Operatori të ketë në pronësi ose me qira një fabrikë asfaltobetoni me vendndodhje jo më larg se 50 km. Ky është kriteri i përdor nga komisioni i Subashit për të shpallur të pavlefshme ofertën e kompanisë BIBA-X që është më e ulët se ajo e “GPG Comapny”.
“Vendndodhja e fabrikës duhet të jetë në një largësi jo me të madhe se 50 km nga qendra e qytetit të Fierit, pasi është parashikuar të shtrohen, jo vetëm rrugët brenda qytetit të Fierit, por edhe në njësitë administrative të Bashkisë Fier”, citojmë dokumentet e tenderit.
Në dosje gjejmë ofertën e kompanisë që njofton se ka në pronësi “Fabrikën_e Asfalto-betonit_Biba-X_në Kavajë”, me lejen me kodin III.1.B, me datë lëshimi 20.03.2015, Adresa: Autostrada Durrës-Rrogozhinë (50 m pranë karburant “Eurodrin”) si dhe një dokument me emërtimin “DISTANCA E VENDODHJES SË IMPIANTIT TË ASFALTOBETONIT TË SHOQERISË BIBA – X NGA OBJEKTI I PROKURIMIT”. Aty pasqyrohet largësia nga fabrika e asfaltobetonit deri në qendrën e qytetit të Fierit prej 54.2 km.
“Referuar sa më lart, komisioni i Subashit, bëri verifikimet për largësinë e kësaj fabrike nga qendra e qytetit të Fierit, ku rezulton se kjo fabrikë ndodhet 54 km nga qendra e qytetit të Fierit. Pra, ka një largësi më të madhe se 50 km, në kundërshtim me sa është kërkuar në kriterin 2.3.5, gërma “b”. Në këto kushte, rezulton që operatori ekonomik BIBA-X SHPK të skualifikohet…”, citojmë procesverbalin e KVO.
Pra, me këtë argument të paligjshëm dhe qesharak eliminohet oferta e BIBA-X prej 144 656 156 lekë dhe fiton oferta që është 200 milionë lekë më e shtrenjtë.
Megjithëse KLSH u ka lënë rekomandim bashkive në mënyrë të përsëritur të mos e vënë këtë kriter, sepse është diskriminues dhe ngushton pjesëmarrjen e operatorëve, Subashi vazhdon ta aplikojë. Po çfarë i shkaktohet asfaltit për 4 km? A ka ndonjë argument shkencor apo ekonomik? Kompanitë mund të kenë edhe makina që ruajnë temperaturën e duhur të bitumit gjatë transportit në distanca të largëta. Por, Subashi i skualifikon sepse e ka paracaktuar fituesin e tenderit!
Nga ana tjetër ky fond është si “çek i bardhë”. Nuk grafik të lëvrimit, nuk ka projekt konkret për rrugë apo sheshe të caktuara, për volumin e saktë të punëve që do të kryhen. “Lëvrimi i mallit do të behet sipas kërkesës dhe nevojave faktike të bashkisë, bazuar ne kontratat që do të lidhet brenda afatit 36 muaj”, shkruhet në marrëveshjen e firmosur tashmë.
KLSH i la porosi Subashit të mos bëjë tendera të tillë!
Nuk është hera e parë që kryetari i bashkisë, Armando Subashi, autorizon tendera pa objekt të përcaktuar me klient të favorizuar, gjoja për riparimin e rrugëve. Në vitin 2023, KLSH auditoi dosjen e tenderit me objekt “Rikonstruksion i rrugëve të brendshme në Njësinë Administrative Mbrostar”. Bashkia Fier, me fond limit në shumën 11,085,155 lekë pa TVSh.
Sipas raportit, “nuk ka dalë urdhër në të cilin të ngarkohet një person apo komision, për hartimin e specifikimeve teknike dhe fondit limit, proces ky i cili bën të mundur dokumentimin e llogaritjes së fondit limit të vlerës së kontratës dhe bëhet përpara ngritjes së urdhrit të prokurimit për nisjen e procedurës në sistemin elektronik të prokurimeve (projekti është hartuar nga Drejtoria e Projekteve dhe Infrastrukturës dhe është miratuar nga titullari i Bashkisë Fier).
Në tenderin tjetër, procedura e prokurimit me objekt: “Blerje pllaka trotuari shtrim me rërë” me fond limit 90 000 000 lekë me TVSh, është me një kontratë 3-vjeçare.
Me urdhër të kryebashkiakut Subashi është zgjedhur “Procedura e hapur e thjeshtuar, Mallra, Marrëveshje Kuadër me një operator ekonomik – ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara” me afat 36 muaj. Në kërkesë përcaktohet nevoja për 10,000 m2 pllaka për një periudhë 3-vjeçare, pa asnjë kërkesë për të argumentuar nevojat e institucionit në mënyrë teknike dhe ligjore.
Edhe në këtë rast nuk është ngritur komision që do të testonte tregun dhe do të përcaktonte fondin limit.
Ndërsa nga auditimi i prokurimit publik me objekt: “Ripërtëritje urbane e bulevardit Ramiz Aranitasi” me fond limit 172 463 712 lekë pa tvsh, del se është eliminuar konkurrenca dhe është favorizuar haptazi oferta më e shtrenjtë. Këtë fond, sipas KLSH, e ka fituar “G.P.G Company”, në shkelje të ligjit të prokurimeve nga komisioni i tenderit.
Më tej raporti del në konkluzionin se në 7 raste për arsye të skualifikimit të operatorëve ekonomikë si pasojë e kritereve të vendosura në DST dhe devijimeve të parashikuara në ligj, janë përdorur fonde publike, pa ekonomicitet, eficence dhe efektivitet në vlerën 37,6 milion lekë, e cila përbën 7.3 % e vlerës së kontratave të lidhura.
Skandali i tenderit për Vjosën
Duke qenë se është biznesmen i listës që favorizohet nëpër tendera, Buzi arrin të marrë fonde gjithmonë me oferta të shtrenjta. Kështu ndodhi edhe me tenderin e ministres së Bujqësisë, Anila Denaj, e cila i dha Buzit projektin “Mbrojtja nga lumi Vjosë, krahu i djathtë Kashisht” me fond limit në vlerën 73,096,264 lekë të reja pa TVSH.
Bëhet fjalë për një procedurë me numër reference REF-03953-05-08-2024. Nëse shikojmë dokumentacionin e kësaj procedurë konstatojmë se ndonëse kanë marrë pjesë 10 firma, tenderin e ka fituar operatori që ka dhënë ofertën më të lartë.
Ndërkohë vlera e ofruar nga firma e Paqsor Buzit është sa 98% e fondit limit.
Kush është biznesmeni përfitues?
Paqsor Buzi, administrator i kompanisë G.P.G Company ishte marrë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për akuzën e abuzimit me TVSH.
Ai ishte akuzuar në shtator 2019, bashkë me një grup prej 49 personash të tjerë dhe rreth 50 kompanisë, për krijim të skemave mashtruese për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe falsifikim të vulave dhe fshehje të të ardhurave.
Çështja ndaj Buzit, i cili është kontraktori më i madh i qeverisë në programin e “Rilindjes Urbane”, është veçuar nga të tjerat dhe prokuroria i kërkoi gjykatës në qershor që ajo të pushohej, duke arsyetuar se nuk kishte prova.
Buzi u arrestua më 5 shtator bashkë me 14 persona të tjerë, ndërsa u tha se 35 persona ishin shpallur në kërkim. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi ndaj tij masën e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa më pas ai u lirua nga Gjykata e Apelit. Prokuroria pretendoi atëherë se biznesmenët e ndaluar i kishin shkaktuar shtetit dëm prej 1.8 miliard lekësh.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post