Një operacion i gjerë i autoriteteve zvicerane ka zbuluar një prej qendrave më të mëdha të kultivimit dhe përpunimit të kanabisit në vend, ndërsa në pranga kanë përfunduar tre persona, mes tyre një shqiptar dhe një kosovar.
Ngjarja është regjistruar në muajin mars, kur Policia Kantonale e Zyrihut, pas një hetimi të gjatë dhe bazuar në informacione të mbledhura më herët, kontrolloi në Zyrih automjetin e një 36-vjeçari me shtetësi gjermane.
Në automjet, policia gjeti një çantë me rreth 30 mijë euro dhe katër telefona celularë të ndezur. 36-vjeçari ishte vëzhguar më herët në Spreitenbach të kantonit Aargau, teksa largohej nga një objekt biznesi.
Po atë ditë, forcat e policisë së Zyrihut, të mbështetura nga kolegët e kantonit Aargau, ndërhynë në ambientet e objektit. Aty u arrestuan një kosovar 26-vjeçar dhe një shqiptar 29-vjeçar.
Kontrolli zbuloi një plantacion gjigant indoor kanabisi, me sipërfaqe rreth 4 mijë metra katrorë. Në ambientet e objektit u gjetën gjithsej 23.918 bimë marihuane, së bashku me hapësira të posaçme për mbjellje, tharje dhe pajisje teknike për përpunimin e drogës.
Por zbulimi më i madh ishte sasia e drogës së gatshme për shitje.
Autoritetet zvicerane sekuestruan 1.106 kilogramë marihuanë, ndërsa në objekt u gjetën gjithashtu dy armë zjarri, 6.420 franga zvicerane cash, makina profesionale për numërimin e parave dhe pajisje të tjera.
Sipas Gjykatës Federale Penale të Zvicrës, provat e mbledhura krijojnë dyshimin se aktiviteti nuk kufizohej vetëm te kultivimi i kanabisit, por bëhej fjalë për një veprimtari kriminale të organizuar dhe fitimprurëse, të lidhur me trafikun e lëndëve narkotike.
Një tjetër element i rëndësishëm i dosjes lidhet me mënyrën se si autoritetet zvicerane kishin reaguar ndaj informacioneve të mëparshme.
Në nëntor të vitit 2024, autoritetet e Aargaut kishin marrë një informacion anonim për kultivim të paligjshëm kanabisi në të njëjtin objekt. Megjithatë, pas verifikimeve, ato kishin arritur në përfundimin se nuk kishte dyshim të mjaftueshëm për një vepër penale dhe nuk e kishin hapur çështjen për hetim të mëtejshëm.
Vetëm pas hetimeve të Policisë Kantonale të Zyrihut, aktiviteti i përmasave të mëdha u zbulua.
Sipas gjykatës, në Spreitenbach funksiononte një qendër e madhe prodhimi të lëndëve narkotike. Përveç më shumë se një ton marihuanë, policia gjeti edhe mbetje bimësh që përdoreshin për prodhimin e polenit dhe pluhurit të rrëshirës.
Dokumentet, pajisjet digjitale, paratë cash, armët dhe makineritë për numërimin e parave forcuan dyshimet për ekzistencën e një strukture kriminale të organizuar.Pas operacionit, Prokuroria e Aargaut kërkoi që procedura t’i kalonte Zyrihut, pasi hetimet për trafikimin profesional dhe në kuadër të një bande ishin nisur fillimisht nga autoritetet e këtij kantoni.
Por Prokuroria e Zyrihut e kundërshtoi këtë kërkesë.
Gjykata Federale Penale vendosi në favor të Aargaut, duke arsyetuar se qendra e veprimeve kriminale ndodhej në Spreitenbach, aty ku ishte zbuluar plantacioni gjigant.
Për këtë arsye, Aargau u konsiderua kantoni kompetent dhe i detyruar për ndjekjen penale të pesë të dyshuarve.
Administratorët e kompanisë ende në kërkim
Hetimet lidhen me një shoqëri aksionare në Spreitenbach, e cila dyshohet se ishte përdorur si mbulesë për aktivitetin e paligjshëm.
Themeluesi i kompanisë dhe një prej administratorëve janë ndër personat e dyshuar dhe dyshohet se kishin rol drejtues në aktivitet.Tre personat e arrestuar në mars, një gjerman, një kosovar dhe një shqiptar, konsiderohen pjesë e strukturës operative.
Ndërkohë, personat që dyshohet se drejtonin aktivitetin nga nivelet drejtuese nuk u arrestuan gjatë operacionit. Administratorët e kompanisë u shpallën në kërkim.Nuk dihet nëse ata janë arrestuar që prej atëherë.Rasti është i ngjashëm me një procedurë tjetër në Zvicër, ku autoritetet e një kantoni kishin marrë më herët informacione anonime për një aktivitet kriminal, por nuk kishin ndërhyrë. Hetimi mori përmasa vetëm pasi Policia Kantonale e Zyrihut siguroi informacion të ri dhe nisi një operacion të fshehtë.
Edhe në atë rast, Gjykata Federale Penale përcaktoi se procedura duhej të drejtohej nga kantoni ku ndodhej qendra kryesore e aktivitetit kriminal.










Discussion about this post