Kryedemokrati Sali Berisha i ka bërë thirrje Erion Veliajt të tregojë publikisht gjithçka që di për Edi Ramën, duke theksuar se kushdo që dëshiron të kontribuojë për largimin e qeverisë është i mirëpritur, pa humbur identitetin e tij politik.
Në përgjigje të shqetësimit të një qytetareje për thirrjet e tij për bashkëpunim, Berisha deklaroi se Shqipëria ndodhet përballë një rreziku ekzistencial për shkak të emigracionit dhe rënies së lindshmërisë, ndërsa akuzoi Ramën dhe Ballukun për situatën në vend.
Të njëjtin mesazh, kryedemokrati e kishte edhe për ish-kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali e cila është përjashtuar nga radhët e PS me vendim të vetë kryeministrit.
Pyetje: Doktor, ju keni qenë kundërshtari më i madh politik i kryebashkiakut të Tiranës.
Së fundmi, keni bërë një thirrje për bashkëpunim edhe me Erion Veliajn kundër Edi Ramës, madje keni folur edhe për bashkim me Arlind Qorrin.
Mos ndoshta këto thirrje po mërzisin anëtarësinë?
Berisha: Të falënderoj për pyetjen dhe shfrytëzoj këtë rast për t’ju shpjeguar juve dhe gjithë anëtarësisë: Vendi është në momente kritike, është në një rrezik ekzistencial.
Statistikat evropiane shprehen se nga Shqipëria janë larguar 54% e shqiptarëve, të tjera 47%.
E vërteta është se vetëm dy javë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar korrigjoi të ardhurat për frymë për shqiptarët duke pjesëtuar prodhimin e brendshëm bruto jo me 2.8 milionë si më parë, por me 2.3 milionë që është statistika.
Pra, për secilin nga ne, për çdo atdhetar, patriot të këtij vendi, çdo qytetar të përgjegjshëm, ne jemi para një rreziku ekzistencial.
Sot lindshmëria e banorëve në Shqipëri është ajo që ishte 100 vite më parë kur ne ishim më pak se 1 milion.
Atëherë, çfarë ndodh? Kush është shkaku?
Prit, se jemi tek demografia. Ky institut statistike ka publikuar një grafik në të cilin tregon se nga viti 2007 në vitin 2014, numri i banorëve në Shqipëri rritej nga viti në vit. 10 vitet e fundit vetëm në Bashkimin Evropian kanë emigruar 1 milion e 99 mijë shqiptarë.
A nuk përbën ky regjim një rrezik madhor për ekzistencën tonë?
A nuk duhet të bashkohemi të gjithë të tjerët për largimin e këtij rreziku madhor pa humbur asnjëri identitetin e tij?
Por secili që do të kontribuojë, që ndihet sadopak shqiptar apo përgjegjës para këtij vendi dhe këtij kombi, është i ftuar të kontribuojë, të largojmë këtë të keqe.
Dhe çfarë të rikthejmë?
Të rikthejmë votën e lirë të qytetarëve shqiptarë.
Shqiptarët të zgjedhin me votën e tyre partinë që duan, deputetët që duan, personat që duan dhe jo të diktuar nga krimi, droga, presioni i tmerrshëm qeveritar.
Po, Erion Veliaj nëse do të kontribuojë, le t’u thotë shqiptarëve gjithçka di për Edi Ramën, sepse sado që të ketë bërë vetë, krimet e Edi Ramës janë të pakrahasueshme me të asnjë tjetri dhe unë nuk mund të them se Erion Veliaj sot në qeli është rrezik ekzistencial për Shqipërinë.
Ne kemi protestuar dhe kemi bërë gjithçka që ai të shkojë para drejtësisë.
Ky është qëndrimi im ndaj cilido që do të kontribuojë për të larguar nga pushteti dyshen më famëkeqe Rama-Balluku apo Balluku-Rama.
Çfarë ka në dorë Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali?
Ata dinë shumë më tepër se të tjerët për korrupsionin e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut. Ata duhet të përpiqen të bëjnë sa më shumë njerëz me vete nga ata deputetë. Është sot betejë për jetë, betejë për ekzistencën e kombit. Ne po shkojmë duke e zbrazur Shqipërinë.









Discussion about this post