Shprehja “Një foto vlen sa 1000 fjalë” përdoret për të treguar fuqinë që ka një imazh për të shprehur emocione, ide ose situata.

Kjo është foto e shkrepur më 22 qershor 2026, ku Presidenti francez, Emmanuel Macron mban në dorë emrin e objektit të shkruar në një faqe bosh (kopertina e projektit). Pas tij qëndron kryeministri Edi Rama, me vështrimin që jep shumë mesazhe. E kuptueshme që ju shkon mendja tek protesta dhe kërkesat për dorëheqje. Vështrimet e të dyve mund të zbërthehen edhe politikisht.
Por le të përqendrohemi tek objekti që mban në dorë Macron. Rama do të mbushë menjëherë faqen bosh me shifra, me emra, me skica, me lekë. Dritan Agolli, Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, disa orë pas publikimit të fotos (23 qershor 2026) do të shpallte fituesin e tenderit të rikonstruksionit të Liceut.
Dhe në këtë projekt, që Rama e ka për zemër, do të lërë gjurmë kompania “Ndregjoni” shpk. Xhetan Ndregjoni është thirrur të rindërtojë Liceun e Korçës. Kjo është pamja që do të ketë Liceu Francez pas një viti e gjysmë.

Fotoja 3D “kushton” afro 6.4 miliardë lekë. Por për këtë projekt nuk kursehen lekët.
Liceu Francez në Korçë, një projekt i përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj franceze, do të jetë një qendër ekselence në fushën e teknologjisë dhe inovacionit në rajon, duke ofruar diploma të dyfishta për nxënësit.
Gjatë vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Paris ku u prit nga Presidenti francez, Emmanuel Macron, u hodh një tjetër hap i rëndësishëm për të çuar përpara punën e përbashkët drejt finalizimit të këtij projekti.
“Sot edhe Rilindja e Liceut Francez të Korçës është në tryezën e Presidentit të Francës, si një ndër projektet nën kujdesin e tij, pas vizitës historike në Tiranë”, u shpreh kryeministri Rama, ndërsa ndau foton e përbashkët me Macron..
Të rinjtë mund të studiojnë në Korçë në një mjedis ndërkombëtar, duke përfituar diploma të dyfishta të Maturës Shtetërore dhe Baccalauréat Français, të njohura si në Shqipëri ashtu edhe në Francë.
Projekti ka niur të hartohet qysh në 2023, ndërsa do ta bënte publik më 20 mars 2024, nga Korça, ambasadorja franceze Catherine Suard. Ajo ka deklaruar se Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macronn kanë biseduar në lidhje me projektin e krijimit të Liceut Francez.
Këto lloj projektesh, apo sic i quan një mik i huaj i Ramës, “The Albanian Files”, kalojnë nga procesi i ëndrrës së Kryeministrit-mbret direkt tek zbatimi nga arkitektët dhe drejtorët e oborrit.
Këtu ka rolin e tij Dritan Agolli. Tenderi i Agollit që kishte nisur më parë, ka objekt “Ngritjen e Infrastrukturës Arsimore të Liceut Franko-Shqiptar të Shkencave dhe Inovacionit, Bashkia Korçë_Konvikti + Shkolla e re + Shkolla e vjetër”.
Financimi i këtij objekti është i parashikuar në buxhetin e shtetit për periudhën 2026-2028 dhe e ka fondin limit mbi 633,1 milionë lekë të reja (pa TVSH).



Sipas dokumenteve, punimet që do të kryhen përfshijnë konviktin, skollën e re dhe shkollën ekzistuese. Janë punime arkitekture, konstruksioni, elektrike dhe hidromekanike.
Tenderi është mbajtur më 22 maj 2026, ku morën pjesë 18 operatorë ekonomikë dhe bashkime kompanish me marrëveshje.
Por nuk ka pasur hapësirë për konkurrencë apo garë në këtë prokurim. Gjysma e operatorëve që kishin oferta më ekonomike u skualifikuan për t’i hapur rrugë Xhetan Ndregjonit.

Filtrat e Open Data Albania kanë kapur shkeljet e prokurimit dhe për këtë shkak procedura është shënuar me “Flamur të kuq”. Kjo është shenja e riskut të korrupsionit.
Mëkat që pas fotos së bukur me Macron, Liceu të nis rikonstruksionin me këtë sinjal të keq!
Këtë radhë, Ndregjoni ka bashkuar forcat me firmën modeste “NDERTIMI” shpk sh.p.k. Bashkimi i dy subjekteve, me ofertën 435,1 milionë lekë pa TVSH, u shpall fitues më 23 qershor 2026, disa orë pasi u publikua fotoja e Kryeministrit me Macron.

Po përse po favorizohet kaq shumë, Xhetan Ndregjoni? Për më tepër që ky projekt e rëndon shumë kapacitetin e kompanisë tij, që ka marrë përsipër shumë kontrata nga Dritan Agolli dhe akoma nuk i ka dorëzuar.
Pronari i “Ndregjoni” shpk, Xhetan Ndregjoni, njihet për tenderët e shumtë pa garë që fiton nga bashkitë në vend për çështje rindërtimesh apo rehabilitimesh. Ndregjoni u fut në listën e oligarkëve, kur mori statusin “Investitor strategjik” dhe “kontratë 1 euro” për pjesën e luanit nga koncesioni i Portit të Vlorës.

Më datë 13.10.2021, me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 599, u miratua lidhja e kontratës së qirasë, me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkimit të Shoqërive “Marina di Valona” sh.p.k., “Brunes” sh.p.k., “Ndregjoni” sh.p.k. dhe “Marina Projects” LTD.

Kontrata 1 euro shërben për ndërtimin e hoteleve me vlerë 105 milionë Euro (pa TVSH). Kjo kontratë është e vlefshme për një periudhë 20 vjeçare. Nuk dihet se çfarë roli ka pasur Ndregjoni në këtë transaksion, por aktualisht koncesionin e ka marrë në dorë Geront Çela me dy kompani të vetat.

Duke qenë “investitor strategjik” i Belinda Ballukut dhe i kryeministrit Rama, Ndregjonit do t’i bëheshin në vazhdim favorizime nëpër tendera. Një prej tyre është prokurimi me objekt “Rivitalizimi i parqeve natyrore nëpërmjet sigurimit të elementeve të mobilimit urban dhe shtimit të aktiviteteve të rekreacionit rajoni 2”, “Ndërtimi i amfiteatrit, fushave sportive, këndit të lojërave dhe shkallareve panoramike në liqenin e Paskuqanit”.

Më datë 27 qershor 2024, Ndregjoni u shpall fitues i kontratës, pasi Agolli u kishte vënë vizën 16 ofertave, ku kishte edhe më të ulëta se ajo e “investitorit strategjik”.

Një park lojërash, një shkallare për shfaqje dhe një video që e postoi Rama dhe u mbyll kjo punë.
Një tender tjetër do t’i jepej Ndregjonit nga kryebashkja Anuela Ristani më 4 korrik 2025, datën e ditëlindjes së Edi Ramës. Katër rrugicat e Ish-Bllokut anës vilës së Enver Hoxhës nuk mund t’i asfaltojë kushdo. Duhet një njeri i besuar që t’i marrë 2.5 miliardë lekë dhe të asfaltojë vetëm 363 metër rrugë. Ironia eshte se Ndregjoni vjen nga shtresa e të përndjekurve të regjimit komunist dhe shtron me asfalt rrugicën e Ish-Bllokut. Ortaku tjetër është një i ri nga Skrapari, Renido Petritaj.
Sado punime të kryhen aty, nuk mund të kushtojë kaq shumë lekë. Janë rrugë 3.7 metra të gjera dhe trotuar 1.6 metër në të dy anët e “Vaso Pashës”.

Në këtë seri tenderash të kushtueshëm hyn projekti më i fundit i firmosur nga Agolli në Himarë. Sërish për llogari të biznesmenëve ortakë me marrëveshje, Xhetan Ndregjoni dhe Renido Petritaj.
Për t’i hapur rrugë të sigurtë transaksionit me vlerë afro 6 miliardë lekë, drejtor Agolli ka zgjedhur t’i fshijë të gjithë konkurrentët.

Bëhet fjalë për tenderin “Përmirësimi i Infrastrukturës së Parkimit Faza II: Ndërtim i godinës së shërbimeve administrative, Himarë” (Punime plotësuese), I mbajtur në mars 2026.
Fondi limit i caktuar enkas për Xhetan Ndregjonin është 156,6 milionë lekë të reja.
Ky tender është thela mbi bisht, pasi në nëntor 2025, kompania ka marrë kontratën me vlerë afro 6 miliardë lekë për rregullimin e zyrave të bashkisë Himarë dhe ndërtimin e parkimit nëntokësor.
Më konkretisht, bëhet fjalë për tenderin me objekt “Përmirësimi i Infrastrukturës së Parkimit Faza II: Ndërtim i godinës së parkimit nëntokësor dhe godinës së shërbimeve administrative, Himarë” (Godina e Re)”.
Projekti ka fond limit 5.749 miliardë lekë pa TVSH dhe financohet nga buxhetit i shtetit për vitet 2025-2027.

Projekti i godinës së bashkisë Himarë ka një kopsht të varur njësoj si “Eden” i Kryeministrisë. Kjo tregon se sa besim ka krijuar FSHZH tek Ndregjoni.
Ndërkaq, Ndregjoni ka qenë bashkëpunëtor i afërt me drejtorët e Erion Veliajt që u arrestuan për korrupsionin me kompaninë 5D.
Tenderat e mëdhenj,”5D”, edhe për shkak se nuk kishte kapacitete, i ka fituar në bashkëpunim me mbi 15 kompani të tjera ndërtimi, të cilat kanë marrë ‘pjesën e luanit’, edhe për shkak se kanë marrë përsipër të kryejnë pjesën më të madhe të punimeve si kompani të mëdha dhe të konsoliduara. Njëra prej tyre është “Ndregjoni” shpk, por biznesmeni nuk është thirrur për llogari të dosjes së SPAK.
Dhe, të gjithë këta tendera kanë nisur me ndonjë foto inaugurimi, ku 1000 fjalët janë për abuzimet që po ndodhin haptazi!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post