Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Shkolla të Pastra”, duke goditur disa grupe të dyshuara për shpërndarjen e lëndëve narkotike në doza, kryesisht në afërsi të shkollave dhe ambienteve të tjera publike në qytet.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 13 persona, tre prej të cilëve rezultojnë me precedentë penalë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, pas tre muajsh hetime me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës.
Sipas policisë, personat e dyshuar kishin krijuar disa grupe dhe ushtronin aktivitetin e shpërndarjes së drogës në doza të vogla, duke përqendruar veprimtarinë kryesisht pranë institucioneve arsimore dhe në hapësira publike.
Në pranga kanë rënë:
Qamil Gusha
Fatjon Gokaj
Martin Pezerja
Abedin Sufaj
Lisart Draçini
Emanuel Marku
Sokol Kuçi
Izmir Tafili
Edilberto Fusha
Emiljan Fusha
Gjonfranko Krahishta
Lionis Marku
Mariglen Gjergji
Të arrestuarit janë banues në Shkodër dhe Malësinë e Madhe. Sipas policisë, tre prej tyre kanë precedentë penalë për vepra që lidhen me prodhimin dhe shitjen e narkotikëve.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e të dyshuarve, efektivët e policisë kanë sekuestruar 1 kilogram e 670 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Një pjesë e saj ishte ndarë në doza dhe paketuar në qese farmaceutike, gati për shpërndarje.
Përveç lëndës narkotike, policia ka sekuestruar edhe dy automjete, 14 telefona celularë, tri peshore elektronike dhe materiale të tjera që dyshohet se përdoreshin për paketimin dhe shpërndarjen e drogës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme hetimore.
Të 13 personat dyshohen për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.









Discussion about this post