Përmbytja është përdorur disa herë për të mbuluar korrupsionin me paratë taksapaguesve të hedhura në argjinaturat e lumit Vjosë. Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi i ka ndërtuar çdo vit, por njësoj si tek kalaja Rozafa, argjinaturat e tij i merr përpara Vjosa. Dhe kështu, edhe paratë e taksapaguesve fierakë i merr lumi i korrupsionit.
Tenderi merr “Flamur të kuq”
Së fundmi, kryetari Subashi ka njoftuar tenderin e ri me objekt “Rikonstruksioni i argjinaturës për mbrojtjen nga lumi Vjosa ( Bankina e krahut të majtë te dega e Martinës) zona e Ferrasit”
Prokurimi i hapur më 16 korrik 2024 ka parashikuar një fond limit prej 29 988 413,00 lekësh. Në këtë procedurë të hapur, deri më 1 gusht 2024, kur ishte afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve, arritën 14 oferta, ku mund të zhvillohej një garë e vërtetë. Por zhvillimi i procedurës tregoi se tenderi ishte farsë. Të gjitha firmat pjesëmarrëse u skualifikuan, përveç fituesit “Llazo” shpk.
Siç mund ta shihni nga dokumenti më sipër, prokurimi është kapur nga filtrat e Open Data Albania, e cila i ka vendosur një “Flamur të kuq”. Kjo është shenjë e riskut të korrupsionit.
Pra, kontrata e bërë gati për “Llazo” Shpk me pronarët Aldi Llazi dhe Enea Llazi, nuk respekton ligjin mbi prokurimet publike. Së pari, kryetari Subashi është kujdesur që të eliminojë plotësisht konkurrencën. Së dyti, kontrata po lidhet me një ofertë më të shtrenjtë se sa e disa pjesëmarrësve në këtë tender.
Konkretisht, kompania e huaj EUROKOS HOLDING SH.P.K. DEGA NE SHQIPERI ka propozuar ta bëjë këtë punë me 19,518,765.00 lekë.
Ndërsa FLED SHPK ka bërë ofertën 20,066,707.50 lekë. Po ashtu, NIKA SHPK ka bërë ofertën ekonomike 20,697,180 lekë. Ndërkaq, BEQIRI SHPK ka pranuar ta bëjë këtë punë me 16,878,225 lekë.
Përndryshe, Armando Subashi do t’i kishte kursyer buxhetit të bashkisë Fier të paktën 150 milionë lekë, nëse do të kishte marrë në konsideratë njërën prej ofertave të mësipërme. Kryetari ka vazhduar me planin e tij për t’ia dhënë këtë fond kompanisë që e ka favorizuar gjatë procedurës. Me argumente që mbështeten në kritere të ekzagjeruara, në dispropocion me objektin e kontratës, që meritojnë një shkrim tjetër, Subashi i skualifikoi të gjitha kompanitë e tjera.
Kush është “Llazo”?
Llazi shpk plotëson kriteret personale të Subashit për të bashkëpunuar në këtë tender të korruptuar. Kompania në fjalë është përfituese e fondeve publike përmes falsifikimeve dhe mashtrimeve. Me seli në Bishqethëm të Lushnjes, kompania e zotëruar nga Aldi dhe Anea Llazi ka përfituar miliarda lekë nga institucionet shtetërore gjatë viteve të fundit. Dy muaj para zhvillimit të këtij tenderi, Agjencia e Prokurimeve Publike publikoi një vendim ku nënvizohej se kjo kompani ka mashtruar të paktën në katër tendera duke mos deklaruar gjobat nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
Për këtë arsye operatori ekonomik i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit me emër “LLAZO” shpk, me NIPT K24218401K, sipas vendimit të APP përjashtohet – 6(gjashtë) muaj (duke filluar nga data 20.05.2024 -20.11.2024).
Nuk e dimë se si ia kanë gjetur anën Subashit djemtë e Bishqethëm. U përpoqëm të gjejmë ndonjë vendim të ri të APP apo KPP që i rikthen Llazos pjesëmarrjen në tendera, por në faqet zyrtare të tyre nuk ka shkresë anulimi.
Gjithsesi edhe pa këtë përjashtim, kompania nuk e meriton të jetë përfituese e këtij fondi të paguar nga taksapaguesit fierakë.
Punë e përsëritur, e pambaruar asnjëherë
Studimi i kryer për përmbytjet në këtë zonë nga lumi Vjosa dhe projekti për riparimin e argjinaturës pranë në fshatin Ferras është kryer nga inxhinierë të nderuar. Ndërsa kur vjen fjala tek zbatimi i projektit, kompanitë bëjnë punë shkel e shko dhe marrin paratë pa arritur objektivin, që është shmangia e përmbytjes.
Në vitet 2018 – 2019, nën drejtimin kryebashkiakut Armando Subashi u bë ngritja e bankinës (argjinaturës) së kanalit ujitës së Degës se Martinës në gjatësi 2510 metra.
Njëkohësisht me këtë në vitin 2019 u bë gjithashtu ngritja e bankinës së kolektorit të Kloses në një gjatësi prej 1100 metra. Qëllimi i kësaj ndërhyrje ishte që të eliminohej kalimi e ujit të plotave të lumit Vjosa në kanalin kullues të Depresionit, nëpërmjet të cilit përmbytet e gjithë zona prej më shume se 7000 ha që kullon me hidrovor dhe përfshin njësitë administrative Frakull, Levan dhe Darzezë.
Në vitin 2022, me projektin “Rikonstruksioni i argjinaturës për mbrojtjen nga lumi Vjosa zona Kafaraj” është bërë ngritja e argjinaturës ( bankinës së kanalit ujitës Dega e Martinës nga prog. 4668 ml deri ne prog. 6000 ml) për prurjen Q = 2500 m3/sek.
Sipas projektit, del shumë i domosdoshëm rikonstruksioni i argjnaturës në fshatin Ferras. Kjo u vu re edhe në përmbytjet e 11 Dhjetorit të vitit 2021, ku niveli i ujit në lumin Vjosa kapi dyshemenë e urës së vjetër të rrugës Fier -Vlorë.
A do ta zgjidhë ky tender çështjen e përmbytjes për banorët e Ferrasit? Dyshojmë shumë se puna do të zvarritet dhe do të kryhet pa cilësi. Mënyra e zhvillimit të tenderit të lë të kuptosh, se për Subashin nuk ka rëndësi se çfarë do të ndodhë me përmbytjet, por thjesht të xhirohen paratë nga arka e bashkisë drejt kompanisë private.
Tenderi akoma nuk ka përfunduar sepse mund të ankimohet në Komisionin e Prokurimeve Publike, kështu, që punimet e parashikuara të kryhen në verë në afatin 3 muaj, do të shtyhen për në vjeshtë kur nisin shirat. Nga ana tjetër, ky fond shumë i madh për punën që do të bëhet, mund të jetë pre e korrupsionit. Sipas preventivit dhe ofertave të bëra nga kompanitë, ka një diferencë prej 100 milionë lekë, që tregon qartë se fondi limit është fryrë për qëllime të kuptueshme.
Sa për punimet që do të kryhen, në dokumentin më poshtë jepet grafiku:
Më shumë punë ka për heqje barishtesh dhe shtrim çakëlli sipër argjinaturës, e cila shërben edhe si rrugë për banorët.
Kujtojmë se kryebashkiaku është kallëzuar penalisht në SPAK për prishje selektive të ndërtimeve gjatë punimeve të veprave publike. Po ashtu në vitin 2022, Subashi është marrë në pyetje nga SPAK për veprimet e tij në lidhje me Inceneratorin e Fierit. Hetimet e SPAK për aferën e inceneratorëve kishin nisur prej muajsh dhe në burg është ish-ministri Lefter Koka, ndërsa janë shpallur në kërkim dy pronarët e kompanive dhe zvëndëskryeministri Arben Ahmetaj.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post