Në GJKKO ka përfunduar seanca paraprake ndaj deputetit demokrat Asllan Dogjani, i cili akuzohet nga SPAK për fshehje pasurie.
Pas seancës, për mediat, Dogjani është shprehur se kërkesat e tij janë pranuar dhe se gjyqtarja e çështjes vendimin përfundimtar do ta shpallë të premten, 24 janar, ora 10:00.
“Ky vendim i gjyqtares Rudina Palloi tregoi se, pavarësisht këtyre kërcënimeve, ka gjyqtarë të zotë, dhe unë uroj që në sistemin e drejtësisë të ketë sa më shumë gjyqtarë si kjo zonjë sot, e cila vendosi pavlefshmërinë dhe dha një vendim shumë të drejtë. Ajo vendimin përfundimtar do ta japë ditën e premte, në orën 10, por kërkesat tona u pranuan. Sot u shpall pavlefshmëria e çështjes, dhe gjykata do të shprehet për pushimin ditën e premte.
Edi Rama, pavarësisht këtyre kërcënimeve që bën, unë sot kam qenë në Komisionin e Ligjeve, ku u kërkua një hua për t’ia dhënë AlbControl-it, sepse Beccheti u ka marrë 110 milionë euro taksapaguesve shqiptarë. Ndërkohë, Rama duhet të mbajë përgjegjësi për këto 110 milionë euro, sepse i paguajmë ne. Ai, së bashku me Erion Veliajn, mbyllën në mënyrë të kundërligjshme dhe arbitrare televizionin Agon Channel, i cili denonconte çdo ditë korrupsionin e kësaj qeverie.
Unë, pavarësisht përpjekjeve të Edi Ramës, do të vazhdoj të denoncoj, ashtu siç kam denoncuar vjedhjen e pronës publike nga ai mashtruesi atje. Do të vazhdoj të denoncoj çdo ditë në mbrojtje të interesit publik dhe të qytetarëve.
Nuk do të ketë mundësi, jo vetëm Edi Rama, por askush tjetër në botë, që të më ndalojë me asnjë lloj kërcënimi për të denoncuar korrupsionin.
Sot gjykata shpalli pavlefshmërinë dhe pranoi kërkesat tona. Për vendimin përfundimtar, për pushimin e çështjes, do të shprehet ditën e premte në orën 10.
Gjykata do të japë vendimin për pranimin ose për kthimin e akteve, pasi kjo është në të drejtën e saj.
Por sot kërkesat e mia si mbrojtje u pranuan: pavlefshmëria, papërdorshmëria dhe nxitimi i prokurorisë për dërgimin e çështjes në gjyq.
Uroj që sistemi i drejtësisë të ketë sa më shumë gjyqtarë si Rudina Palloi, që veprojnë mbi bazën e ligjit dhe procedurës dhe nuk kanë frikë nga këta hajdutë dhe banditë”, u shpreh ai.
Dogjani akuzohet për fshehje të pasurisë. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet pak ditë më parë dhe përcolli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për gjykim ndaj të pandehurit deputetit të PD, Asllan Dogjani. Sipas njoftimit zyrtar, Dogjani akuzohet për kryerjen e veprës penale deklarim i rremë i pasurisë në lidhje me një apartament që ai ka përfituar.
Discussion about this post