Granit Pepnika, i dyshuar nga autoritetet si drejtuesi i një prej rrjeteve më të mëdha të Call Center-ave mashtrues në vend, është arrestuar këtë të premte në një resort në Dhërmi. Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Forcat Operacionale, duke i dhënë fund arratisë së tij pas disa muajsh në kërkim.
Pepnika akuzohet se qëndronte në krye të një skeme mashtrimi që, sipas hetimeve, u ka zhvatur mbi 50 milionë euro qindra qytetarëve evropianë.
Grupi kriminal u godit për herë të parë në muajin prill, pas një operacioni të gjerë të Prokurorisë së Tiranës dhe Policisë së Shtetit.
Sipas dosjes hetimore, aktiviteti i paligjshëm zhvillohej nga një godinë pranë qendrës së Tiranës, në hyrje të Rrugës së Kavajës.
Gjatë kontrolleve të kryera në atë kohë, hetuesit sekuestruan kompjuterin e Pepnikës, si dhe qindra pajisje elektronike të përdorura në aktivitetin kriminal.
Hetimet, të cilat zgjatën rreth dy vite, u drejtuan nga prokurorja Rovena Zoto në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe partnerët austriakë.
Pikërisht Austria ishte shteti që sinjalizoi rastin pas denoncimeve të shumta të qytetarëve të mashtruar.
Sipas prokurorisë, skema funksiononte duke kontaktuar persona që më herët kishin humbur para në investime online. Operatorët u premtonin rikuperimin e shumave të humbura kundrejt një pagese fillestare, e cila më pas pasohej nga kërkesa të tjera financiare, deri në zhvatjen e plotë të viktimave.
Paratë e përfituara nga mashtrimi dyshohet se transferoheshin në portofole të kriptovalutave për të humbur gjurmët, ndërsa më pas konvertoheshin në para cash përmes një exchange në Tiranë.
Për këtë skemë janë arrestuar dhe proceduar disa persona, ndërsa me arrestimin e Granit Pepnikës autoritetet synojnë të zbardhin plotësisht organizimin dhe rrjedhën financiare të një prej aferave më të mëdha të mashtrimit me Call Center-a në Shqipëri.
Masat
MASË ARREST NË BURG
Eduart Dalla 48 vjeç (I arrestuar)
Mateo Hoxha 24 vjeç (I arrestuar)
Tedi Agastra 23 vjeç (I arrestuar)
Ledio Toçi 33 vjeç (I arrestuar)
Xhoel Mekolli 29 vjec (I arrestuar)
Marsel Lami 29 vjec (Në kërkim)
Xhoni Hitaj 31 vjeç (Në kërkim)
Granit Pepnika (Arrestuar, 3 korrik 2026)
NDALIM DALJE JASHTE VENDI
Aida Vokli 33 vjeç (masë e ekzekutuar)
Ledjon Cenaj 25 vjeç (masë e paekzekutuar)
TË ARRESTUAR NË FLAGRANCË
Kristjan Buda 38 vjeç
Eno Hana 32 vjeç
Benard Biba 26 vjeç
Kleidi Dyrma 25 vjeç
Ema Taip 25 vjeç
U SEKUESTRUAN
891,735 euro
443 kompjuterë;
238 telefona celularë
6 laptop
HDD, DVR










Discussion about this post