Eksportet shënuan një përmirësim të ndjeshëm në muajin korrik, duke u rritur me 10.6%, në përshpejtim nga 6.15 që ishte zgjerimi për periudhën janar-qershor dhe duke i ikur tendencës negative që u konstatua në muajt e parë të vitit.
Sipas INSTAT, në Korrik 2026 eksportet e mallrave arritën vlerën 33,7 mld lekë, duke u rritur me 10,6 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë muajit Korrik 2026, në rritjen e eksporteve prej 10,6 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +8,9 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5,3 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,9 pikë përqindje, ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -4,3 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,6 pikë përqindje, etj.
Ky kompozim i rritjes u vlerësua si një zhvillim pozitiv nga Ministria e Ekonomisë.
“Përtej shifrave, vëmendjen e tërheq ajo që po ndodh me strukturën e eksporteve. Materialet e ndërtimit dhe metalet, energjia, makineritë dhe pajisjet po japin një kontribut më të madh në rritje, duke sinjalizuar një orientim gradual drejt sektorëve dhe produkteve me më shumë vlerë të shtuar”, tha ministrja e ekonomisë në një postim në rrjetet sociale.
“Monitor” ka parë përtej shifrave për të kuptuar se nga ka ardhur kjo rritje.
Së pari, filluam me rritjen në vlerë dhe në sasi, pasi një pjesë e tendencës së eksporteve ndikohet nga çmimet e naftës që janë shtrenjtuar në bursa.
Nga të dhënat rezulton se për grupin “Minerale, lëndë djegëse, ener. elek.”, efekti ka ardhur tërësisht nga konjuktura e favorshme e çmimeve në bursat ndërkombëtare.
Ky grupmall, që ka dhënë efektin e dytë më të lartë në korrik (+5.3 pikë përqindje) është rritur me 32.4% në vlerë, por me vetëm 1.5% në sasi. Me këtë grup, që zuri 19% të totalit të eksporteve në korrik nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme, është thjesht efekti i çmimit.
Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, grupi kryesor në vend, me 24% të totalit në korrik dhe që punëson rreth 50 mijë persona, ose rreth 40% të totalit të industrisë, sipas INSTAT është me rënie prej muajsh të tërë, duke vuajtur rritjen e kostove dhe nënçmimin e euros, duke çuar në largimin e furnitorëve të huaj.
Ky grup ra me 17% në sasi dhe 13% në vlerë në korrik. Për qeverinë ky nuk është më lajm, pasi sipas tyre ekonomia nuk mund të konkurrojë më me koston e ulët të fuqisë punëtore. Këtu jemi dakord, por së pari sektori ka potencial të kalojë në një vlerë të shtuar më të lartë dhe së dyti me çfarë do zëvendësohet!
Kalojmë te grupi që ka sjellë rritjen më të madh ai i “materialeve të ndërtimit dhe metaleve”.
Qeveria është entuziaste se rritja e këtij grupi ka sjellë ndryshim cilësor në strukturën e eksporteve. Dhe në pamje të parë kështu duket. Grupi, që solli 19.2% të totalit të eksporteve në korrik, është rritur me 61% në sasi dhe 72% në vlerë.
Së pari, këtu duhet të kemi parasysh se eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve kishin rënë ndjeshëm në korrikun e 2025-s, me 51%, pasi Kurum, fabrika e prodhimit të çelikut, që është eksportuesi më i madh i këtij grupi mbylli prodhimin. Ndaj rritja e këtij viti nisej nga një bazë shumë e ulët
Ideja e parë është që Kurum ka riaktivizuar prodhimin. Pyetëm te Kurum dhe konfirmuan që fabrika është e mbyllur dhe ata kanë eksportuar vetëm energji, që është aktiviteti tjetër i kompanisë.
Së dyti, pamë më në detaje nga ka ardhur rritja e grupit “materiale ndërtimi dhe metale”.
Ndikimi ishte nga giza dhe çeliku, që është në fakt kapitulli me rritjen më të lartë në sasi nga të gjitha produktet e eksportuara nga Shqipëria në korrik. Eksportet e këtij kapitulli janë katërfishuar, duke arritur ne 26.3 milionë kg, ose 19.8 milionë kg më shumë.
Hapi tjetër, ishte të shihnim se cili është shteti ku kanë shkuar këto eksportet. Rezulton që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Eksportet e gizës dhe çelikut drejt SHBA-ve arritën në u rritën me 124 herë në korrik 2026, në krahasim me korrikun 2025, ose 11 mln kg më shumë (nga 19.8 kg më shumë në total për korrikun) , ndërsa në korrik 2025 ishin afër zeros. Shteti i dytë, me rritjen më të lartë është Turqia, me 5 milionë kg më shumë. Të dy këto shtete ndikuan në gati 80% të rritjes.
Nga Byroja e Doganave të SHBA-ve, rezulton se produkti i eksportuar nga Shqipëria ishte ferrokrom. Në Shqipëri, prodhuesi kryesor i ferrokromit është Albchrome. Burime zyrtare nga kompania, thanë për “Monitor” se ata kishin eksportuar në SHBA rreth 11 mijë ton ferrokrom në korrik. (duke përbër rreth 47% të shtesës totale të eksporteve në sasi)
Kompania tha se nuk ka bërë investime shtesë, por sasia e lartë lidhet me faktin që ishte mbledhur prodhimi i disa muajve, pasi nuk ka leverdi që të dërgohet vetëm prodhimi i një muaji, për shkak të kostove të transportit.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se eksportet e gizës dhe çelikut në SHBA aktivizohen një herë në disa muaj. Psh në shtator 2024 u eksportuan 14 milionë kg, në tetor 2025 rreth 10 milionë kg dhe në prill 2026 rreth 8 milionë kg.. Muajt e tjerë eksportet e këtij produkti në SHBa ishin afër zeros.
Shifrat tregojnë që nuk ka pasur asnjë zhvillim të ri në strukturën e eksporteve. Përkundrazi, eksportet shqiptare janë aq të dobëta sa dhe një ngarkesë, që mbledh prodhimin e disa muajve të një kompanie të krijon iluzionin që ka rritje. E njëjta gje dhe kur konjuktura e çmimeve ndërkombëtare bëhet e favorshme.
Në fakt, është absurde të pretendosh që struktura e eksporteve nuk mund të ndryshojë brenda muajit, kur nuk ka as investime dhe as hyrje të kompanive të reja prodhuese. Realisht, eksportet në Shqipëri vijojnë të mbeten të varura nga kosto e lirë e fuqisë punëtore dhe shitja e burimeve natyrore të vendit, si nafta apo mineralet deh sa po vijë e po bëhem më pak konkurruese për shkak të nënçmimit të euros dhe konjukturës së pafavorshme ekonomike që nuk krijon mundësi për investime që rrisin vlerën e shtuar.
Këto sollën rreth 60% të eksporteve në korrik. Edhe grupi i makinerive e pajisjeve, ( që zë rreth 12% të totalit të eksporteve) i vetmi që ka têrhequ investime vitet e fundit është sërish fason, pasi kryen vetëm disa procece të thjeshta pêr industrinë mbështetêse automotive, si montimi i kabllove, duke shfrytëzuar koston e lirë të fuqisë punëtore!
Ndaj dhe në këtë rast, qeveria vetem sa po luan me iluzionin e shifrave, ashtu siç bën me rritjen ekonomike, apo me të ardhurat për frymë.










Discussion about this post