Një tjetër vendim rëndon mbi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është dënuar me 17 muaj burgim nga Gjykata Speciale në Hagë, në çështjen që lidhet me pengimin e drejtësisë.
Vendimi është shpallur nga gjyqtari Christopher Gosnell, i cili e ka gjetur Thaçin fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Menjëherë pas vendimit, ish-presidenti ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke shkruar: “Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër!”.
Sipas Prokurorisë, gjatë vitit 2023, Thaçi u kishte dhënë personave që e vizitonin në Qendrën e Paraburgimit në Hagë informacione konfidenciale për dëshmitarët, si dhe udhëzime që synonin ndikimin në dëshmitë e tyre.
Vendimi për katër të bashkakuzuarit
Gjykata ka përcaktuar edhe përgjegjësinë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë proces. Konkretisht, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu janë dënuar me nga 12 muaj burgim secili.
Ndërkohë, për ish-ministrin Hajredin Kuçi është dhënë një dënim prej një muaji burgim me kusht, ndërsa Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm.
Me shpalljen e këtyre vendimeve ka përfunduar seanca gjyqësore në Hagë për çështjen e pengimit të drejtësisë.









Discussion about this post