Shqipëria dhe vendet e tjera kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian duhet të përshpejtojnë reformat në arsim, formimin profesional dhe tregun e punës përpara anëtarësimit, për të shmangur largimin e kapitalit njerëzor dhe për të krijuar më shumë mundësi punësimi në vend.
Ky ishte një nga mesazhet kryesore të Samitit Global të Aftësive 2026, zhvilluar në Torino të Italisë, ku zgjerimi i Bashkimit Europian dhe përgatitja e vendeve kandidate për integrimin në tregun europian të punës zunë një vend të rëndësishëm në diskutime.
Emil Boc, kryetar i bashkisë së Cluj-Napoca dhe ish-kryeministër i Rumanisë, iu referua përvojës së vendit të tij, i cili u anëtarësua në Bashkimin Europian në vitin 2007.
“Filloni të punoni përpara anëtarësimit. Nëse punoni përpara anëtarësimit, mund të shmangni largimin e trurit. Rumania u përball me këtë fenomen, por ju mund ta shmangni”, iu drejtua Boc vendeve kandidate.
Ai i cilësoi aftësitë profesionale si “investimin më të sigurt në botë”, duke shtuar se “liria e lëvizjes është gjithashtu liria për të qëndruar”.
Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, është ndër vendet më të avancuara të Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit. Vendi synon të përmbyllë negociatat deri në fund të vitit 2027 dhe ka mbyllur përkohësisht kapitullin për arsimin dhe kulturën, sipas informacionit të shpërndarë nga Fondacioni Europian i Trajnimit (ETF). Agjencia e Bashkimit Europian vijon të bashkëpunojë me Shqipërinë për reformat në sistemin arsimor, formimin profesional dhe tregun e punës.
Zhvillimi i aftësive profesionale është tashmë pjesë e agjendës së BE-së për konkurrueshmërinë, ndërsa strategjia europiane për aftësitë (Union of Skills) përfshin edhe vendet kandidate për anëtarësim.
Në një videomesazh drejtuar pjesëmarrësve në samit, zëvendëspresidentja ekzekutive e Komisionit Europian, Roxana Mînzatu, tha se për këto vende strategjia nënkupton përgatitjen e sistemeve të arsimit dhe formimit profesional për një integrim më të ngushtë me BE-në.
“Kur mbështesim reformat në arsim dhe formim profesional dhe lehtësojmë njohjen e kualifikimeve, ndihmojmë partnerët tanë të zhvillojnë ekonomitë e tyre dhe të krijojnë mundësi më të mira për qytetarët”, tha Mînzatu.
Mario Nava, drejtor i përgjithshëm për Punësimin, Çështjet Sociale dhe Përfshirjen në Komisionin Europian, theksoi gjithashtu rëndësinë e nisjes së reformave përpara anëtarësimit.
“Kur bëhet fjalë për aftësitë, sa më herët të filloni, aq më mirë”, tha Nava.
Drejtoresha e ETF-së, Pilvi Torsti, nënvizoi se përfitimet e bashkëpunimit me Bashkimin Europian nuk janë të kushtëzuara nga anëtarësimi i plotë.
“Për vendet që përgatiten të anëtarësohen në Bashkimin Europian, bashkëpunimi më i ngushtë ka tashmë vlerë praktike”, tha Torsti, duke shtuar se qytetarët “mund të ndiejnë përfitimet e një marrëdhënieje më të ngushtë me BE-në në jetën e tyre profesionale, edhe përpara anëtarësimit”.
Shqipëria u përfaqësua në diskutimet e samitit nga dy folëse. Dafina Peci, nga Kongresi Rinor Kombëtar, mori pjesë në panelin mbi ndërtimin e sistemeve efektive të zhvillimit të aftësive, së bashku me përfaqësues të OECD-së, Qendrës Europiane për Zhvillimin e Formimit Profesional (Cedefop), Marokut, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Konsulentja e tregut të punës, Ada Shima Hasani, mori pjesë në panelin mbi aftësitë për paqen, rindërtimin dhe tranzicionet e drejta, së bashku me përfaqësues të institucioneve të Ukrainës, Palestinës, Kombeve të Bashkuara dhe Bankës Botërore. Diskutimet u përqendruan në pasojat e luftës mbi sistemet e arsimit dhe formimit profesional dhe nevojat për rindërtimin e tyre.
Samiti, në Torino, mblodhi mbi 250 pjesëmarrës dhe 80 folës nga afro 50 vende, përfshirë përfaqësues të qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare, bizneseve, sindikatave dhe institucioneve arsimore.
Nën moton “Aftësi globale për zhvillimin lokal”, aktiviteti trajtoi mungesën e fuqisë punëtore, ndryshimet demografike, migracionin, inteligjencën artificiale dhe tranzicionin e gjelbër, me fokus në përshtatjen e aftësive profesionale me nevojat e ekonomisë. Samiti u organizua nga Fondacioni Europian i Trajnimit, agjenci e BE-së që mbështet reformat në arsim, formim profesional dhe tregun e punës në afro 30 vende partnere, dhe zhvillohet nën patronazhin e Komisionit Europian, Parlamentit Europian dhe Bashkisë së Torinos.









Discussion about this post