Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar me një kërkesë gjyqtarëve të GJKKO-së, në seancën e radhës gjyqësore që po zhvillohet këtë të martë, lidhur me çështjen ndaj tij.
Veliaj nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit, por përmes avokatit i ka përcjellë gjykatës një letër, ku kërkon të marrë leje për t’u operuar në një spital të zgjedhur prej tij dhe familjes, dhe jo në institucionin që përcakton Drejtoria e Burgjeve.
Në deklaratën e lexuar gjatë seancës, kryebashkiaku ka theksuar se dëshiron të jetë i pranishëm në procesin gjyqësor, por gjendja e tij shëndetësore, për shkak të këmbës së thyer, nuk ia mundëson këtë.
“Me gjithë vullnetit tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të prokurorisë, mbrojtja ime do ju vërë në dispozicion disa shkresa shëndetësore.
Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botox as mbjellje flokësh, as të zbardh dhëmbët por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime. Nuk duhet të vendosë askush, kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, thuhet në letrën e Veliajt.
Përmes kësaj kërkese, kryebashkiaku i ka kërkuar gjykatës të ndërhyjë për të garantuar që ndërhyrja kirurgjikale të kryhet nga mjeku dhe në spitalin e zgjedhur prej familjes së tij.









Discussion about this post