Nën shqetësimin se kërcënimi i Rusisë mund ta zgjerojë konfliktin e Ukrainës në Ballkan, kryeministri pro amerikan i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti pro rus i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kanë zhvilluar një çudi ballkanike –një partneritet që shumë njerëz në Perëndim shpresojnë se mund të krijojë një bazë për stabilitet rajonal. Megjithatë, një vështrim më i afërt i marrëdhënies së tyre e rrëzon këtë mendim të dëshirueshëm dhe zbulon atë që në fakt nuk është asgjë më shumë se një lojë politike e Vuçiç, që i lejon atij të kapërcejë ndarjen mes Lindjes dhe Perëndimit.
Ruajtja e pushtetit në Ballkan kërkon një lojë shahu me tre nivele që luhet njëkohësisht në nivel ndërkombëtar, rajonal dhe lokal. Vuçiç është “Mjeshtri i madh” ndërsa Rama një “ushtar”. Pavarësisht nga historitë e tyre jashtëzakonisht të ndryshme të origjinës ideologjike – Vuçiç si një ultranacionalist dhe bashkëpunëtor i regjimit të Slobodan Milosheviç, ndërsa Rama si një socialist dhe ish-artist – të dy ndajnë pjesë të së njëjtit libër të pakëndshëm. Të dy e kuptojnë se lëvizjet e këqija në nivel lokal janë më të tolerueshme për Perëndimin se sa ato në nivel rajonal, sa kohë që ata sillen mirë me fqinjët; të dy i udhëheqin vendet e tyre me grusht të hekurt – Vuçiç haptazi, ndërsa Rama i fshehur pas një dorashke kadifeje.
Miqtë e Vuçiç kanë përdorur dhumë ekstreme kundër liderëve të opozitës, protestuesve dhe gazetarëve kritikë si dhe kanë përqafuar korrupsionin e gjithëpërhapur. Departamenti amerikan i Shtetit ka kritikuar gjithashtu sistemin e dobët gjyqësor si dhe mungesën e lirisë së medias. Gjatë mandatit të Ramës – sundimtari i dytë më jetëgjatë në historinë shqiptare,
organizata vendase dhe ndërkombëtare kanë ngritur akuza për korrupsion qeveritar, klientelizëm dhe intimidim të gazetarëve dhe kritikëve. Raportet e fundit të Departamentit të Shtetit dhe Bashkimit Europian fajësojnë qeverinë e tij për minimin e gjyqësorit dhe ushtrimin e presionit politik dhe ekonomik për të heshtur kritikët si dhe për masa të pakëta kundër korrupsionit. Këto prirje të përbashkëta u kanë dhënë vendeve të tyre një vlerësim të ngjashëm nga Freedom House – “regjime hibride” që po rrëshqasin nga demokracia drejt autokracisë.
Rama si ushtar i Vuçiç
Për fat të keq, marrëveshjet e dyshimta dhe raportet kanë pasur ndikim të paktë në mbajtjen e tyre në pushtet si dhe në marrëdhëniet me Uashingtonin dhe Brukselin, ku dyshja dinamike ka marrë vlerësime të larta për përpjekjet për të “stabilizuar” rajonin, kryesisht në formën e inisiativës së Ballkanit të Hapur, që bën thirrje për një zonë të lirë ekonomike dhe politike të ashtuquajtur “mini-Schengen”.
Inisiativa Ballkani i Hapur – dolli e festave me kokteile të frekuentuara nga diplomatët perëndimorë – shihet me dyshim në rajon si një lojë e shkathët e Vuçiç, duke përdorur Ramën si “ushtar” për të avancuar interesat serbe. Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë refuzuar të bashkohen nga frika se kjo nismë i shërben vetëm axhendës nacionaliste të Serbisë si dhe është një zëvendësim i anëtarësimit në BE.
Mbështetja e zhurmshme e Ramës ka antagonizuar Kosovën dhe kryeministrin e saj, Albin Kurti. Deklarata naïve të tipit “Ne duhet të rritemi dhe të harrojmë të gjitha problemet që i kemi krijuar njëri-tjetrit” mund të lavdërohen në Serbi dhe Rusi, por nuk i rrinë mirë një kombi që po përpiqet ende të gjejë eshtrat e mbi 1 mijë njerëzve të listuar sit ë zhdukur që nga lufta e Kosovës së viteve 1998-1999. Pra, çfarë po arrin Rama përmes kësaj? Një rritje të numrit të qytetarëve serbë që vizitojnë Shqipërinë dhe lavdërime nga Perëndimi. Por përparimi real ekonomik dhe politik është i Vuçiçit.
Ai vazhdon ta përdorë minoritetin serb që jeton në vendet fqinje si burim për influencë gjeopolitike. Ashtu si paraardhësit e tij, ai ofron mbështetje të vazhdueshme politike dhe financiare për këto pakica në rajon, veçanërisht në Kosovë dhe në Republikën Srpska në Bosnje.
Përgjigja e Beogradit ndaj shpërthimit të fundit në qytetin e Kosovës veriore, Mitrovicë, ndaj kërkesës së Prishtinës që serbët etnikë të ndërrojnë targat e makinave të lëshuara nga Serbia me ato kosovare bëri pak për të promovuar nismën e Ballkanit të Hapur. Beogradi vendosi tanke, avionë luftarakë dhe automjete të blinduara në kufi.
Tensionet u shfrynë vetëm pas ndërhyrjes së NATO-s dhe Vuçiç dhe serbët etnikë në Kosovë pranuan shtyrjen e ndryshimeve nga Prishtina me një muaj. Për shumë njerëz, përgjigja e ashpër e Beogradit nuk ishte befasi dhe ishte një tjetër shembull i rritjes së militantizmit të qeverisë serbe ndaj rajonit.
Nisma Ballkani i Hapur i ka rrënjët në besimin se rajoni i Ballkanit mund të bashkohet në ndjekjen e prosperitetit ekonomik. Por lind një pyetje: a munden regjimet hibride në Shqipëri dhe Serbi të lejojnë rrotat e tregut që të rrotullohen lirisht dhe në mënyrë të drejtë?
Më e rëndësishmja, a do t’i braktisë Serbia politikat e saj nacionaliste? Nëse raportet e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për Shqipërinë dhe Serbinë janë tregues, të dy janë shumë të dyshimtë.
Kështu, të gjitha rrugët edhe një tjetër herë të çojnë në Beograd. Nisma Ballkani i Hapur mbetet dhurata që vazhdon të prodhojë fryte – për Vuçiç.
Vuçiç përfiton sa kohë që kërcënimi i luftës dhe i destabilitetit qëndron mbi rajon. Kërcënimi i pakëndshëm i Moskës se do ta zgjerojë konfliktin ukrainas në Ballkan e forcon pozicionin e tij, në rajon dhe ndërkombëtarisht, dhe Vuçiç do të mbajë fuqi të mjaftueshme mbi Perëndimin nga shpresat e varura në një sjellje të tij më pro-Perëndimore.
Ku është pika e kthesës së Vuçiç?
Përgjatë mandatit të tij, Vuçiç ka kërkuar që të forcojë lidhjet vëllazërore të Serbisë me Rusinë. Moska i është përgjigjur reciprokisht duke i dhënë Vuçiç shitjen e armëve dhe gaz të lirë si dhe duke mbështetur pozicionin e Beogradit për Kosovën dhe përpjekjet për ndarje të Republikës serbe në Bosnje.
Rrjedhimisht, nuk është për t’u habitur që Beogradi ka refuzuar të rreshtohet plotësisht me Perëndimin për luftën në Ukrainë. Air Serbia, linja shtetërore ajrore, vazhdon t’i shërbejë Moskës.
Brukseli dhe Uashingtoni do të preferonin ta kishin Vuçiçin në kampin e tyre, jo vetëm për ta izoluar më tej Rusinë, por edhe për të parandaluar përpjekjet luftarake të Putinit. Megjithatë, çarjet në aleancën perëndimore e forcojnë më tej pozitën gjeopolitike të Vuçiç.
Në kundërshtim me Perëndimin, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, një figurë “kumbari” si për Ramën ashtu edhe për Vuçiç, mban marrëdhënie të mira me Putinin dhe ra dakord së fundmi që të rrisë lidhjet ekonomike me Moskën, çka ka rritur frikën në Perëndim se një anëtar kyç i NATO-s mund të ndihmojë Rusinë që të shmangë sanksionet.
Shumë udhëheqës dhe ekspertë të Ballkanit paralajmërojnë se Putini do të kërkojë të zgjerojë konfliktin e Ukrainës në Ballkanin Perëndimor, por për ta bërë këtë atij i nevojitet Vuçiç.
Pyetja mbetet: çfarë do t’i nevojitet Vuçiçit për t’u shkëputur nga vëllai i tij rus? A mund t’i mjaftojë një rrugë e shpejtë drejt anëtarësimit në BE apo një rritje e financimeve? Këtë vit, Bashkimi Europian i ka dhënë Serbisë 223.7 milionë euro.
Ndoshta një zgjidhje e favorshme për Kosovën mund të jetë pika e kthesës së Serbisë për t’iu bashkuar aleancës Perëndimore? Apo Vuçiç do të preferonte që të ruante status quo-në – duke punuar për të siguruar mbështetje për Beogradin nga të gjitha anët përmes mbajtjes së paqes dhe konfliktit mbi tavolinë, si rezultate njësoj të mundshme.
Nëse Perëndimi nuk gjen një qasje alternative ndaj Beogradit dhe rajonit, Vuçiç do të vazhdojë ta mbajë peng Ballkanin dhe komunitetin ndërkombëtar, ndërkohë që do t’i kufizojë liderët lokalë dhe ndërkombëtarë në rolin aktual të Ramës – si një nxitës tifozësh sa herë që Beogradi flet për stabilitet rajonal./ Marrë nga Birn
Discussion about this post