Drejtoria Rajonale e Tatimeve Shkodër ka shkaktuar më shumë se 12 miliardë lekë dëme në arkën e shtetit për shkak se ka favorizuar disa kompani me deklarimet e xhirove si dhe taksat e importit. Në një raport të publikuar nga Kontrolli i Lartë i shtetit rezulton se në vitet e fundit Tatimet në Shkodër kanë abuzuar me detyrën dhe kanë favorizuar disa firma që bëjnë importe apo edhe eksporte, duke iu fshehur xhiron reale vjetore.
Sipas KLSH, në vitin 2022 janë shkaktuar rreth 7.5 miliard lekë dëme.
Pasi shihet një diferencë e madhe mes shifrës reale të të ardhurave në kasat fiskale që kanë bizneset dhe shifrës të deklaruar tek Tatimet, ndërsa këta të fundit i kanë kaluar pa asnjë kontroll.
“Janë evidentuar diferenca të konsiderueshme në qarkullimin e të ardhurave të deklaruara në kasat fiskale me të ardhurat e deklaruara në deklaratat e TFTH-së dhe TVSH-së; në qarkullimin e deklaruar në formularin e deklarimit të pagesës të TVSH-së (FDP) dhe deklaratën e Tatimit mbi Fitimit, të klasifikuara si të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit për periudhën objekt auditimi, të cilat sipas përllogaritjeve paraprake rezultojnë në shumën 754,281,903 lekë”, thuhet në raport.
Në raport thuhet se, për vitin 2020 rezulton 1 subjekt i cili kishte qarkullim sipas kasës më të lartë sesa deklarata e TTHF-së në vlerën 434,630 lekë, duke sjellë të ardhura të munguara për buxhetin e shtetit në vlerën 185,435 lekë.
Ndërsa për vitin 2021 rezultuan 158 subjekte të cilat kishin qarkullim sipas kasës më të lartë sesa deklarata e TTHF-së në vlerën 715,207,142 lekë, duke sjellë të ardhura të munguara për buxhetin e shtetit në vlerën 305,143,127 lekë. Pra, rezultojnë të ardhura të munguara për buxhetin e shtetit gjithsej në vlerën prej 596,120,224 lekë.
Aferat me importet dhe eksportet
Ndër të tjera në raport KLSH shprehet se janë evidentuar diferenca të konsiderueshme në vlerën e importeve dhe eksporteve të deklaruar në tatime dhe të deklaruar në doganë. Çka kanë 355,266,336 lekë të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit.
“Mbi diferencat në deklarimin e eksporteve mes doganave dhe tatimeve Falsifikohen deklaratat tatimore Nga kontrolli i Tatimeve Shkodër, për vitin 2021 mbi 1 miliard lekë të munguara në buxhetin e Shtetit nga mos pagimi i taksave te mallrave të importit Për vitin 2022 vlera dyfishohet ne 2.2 miliard leke Vendos tabelat Fshehja e te ardhurave mbi 1.1 miliard leke nga biznesi Merri me radhe vete vlerat ( diferencat ne deklarimin ne TVSH, Tatim fitimi”, thuhet në raport.
Sipas KLSH fakti, që Tatimet nuk ishin analizuar në përputhje me Ligjin nr. 9920/2008, kërkesat e Manualit të Kontrollit Tatimor, kërkesat e Programit të Kontrollit, mbi verifikimin e pasqyrave financiare të subjekteve tatimpagues dhe deklarimet e tatimpaguesve, ka sjellë 86,409,676 lekë të ardhura dëme në buxhetin e shtetit.
KLSH “ndëshkon” drejtorët
Këto abuzime dhe dëme marramendëse krijohen kur drejtorët zgjidhen nga deputetët gjatë fushatës elektorale. Sipas të dhënave, deri në maj të viti 2021 në krye të Tatimeve Shkodër ka qenë Agron Hasanaj, i cili ka dhënë dorëheqjen pas tre muajve në detyrë dhe ka zbritur si drejtor i Drejtorisë së Kontrollit. Në vend te tij u emërua Sindrit Istrefi, pra koha kur janë bërë këto ndryshime ka qenë në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në prill të vitit 2021.
Në maj të vitit 2021 është bërë ndryshimi i drejtorëve dhe përkon me të njëjtën periudhë që KLSH ka gjetur shkelje dhe abuzimet më të mëdha në Tatimet Shkodër. Për këtë arsye Kontrolli ka kërkuar masë disiplinore edhe për Agron Hasanajn edhe për Sindrit Istrefin. Por masa e ndëshkimit është qesharake, sepse ndërkohë që kanë shkaktuar afro 12 miliardë lekë dëmë arkës së shtetit, propozohen “të mos rriten në detyrë për 2 vjet”!
“Referuar Ligjit 152/2013 “Për nëpunësin Civil”, kërkohet “Pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë, përfshirë rritjen në shkallën e pagës për një periudhë deri në dy vjet”, për punonjësit e mëposhtëm: S.I., me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale Tatimore, Shkodër. Dhe 2. A.H., me detyrë ish. Përgjegjës i Sektorit të Kontrollit Tatimor në Vend dhe aktualisht, Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit Tatimor”, shprehet KLSH.
Lidhja e drejtorit me ministren Bilali
Edona Bilali, aktualisht Ministre Për Sipërmarrjen dhe e para në listën e deputetëve të qarkut Shkodër për PS-në, akuzohet se qëndron pas disa emërimeve post zgjedhore në qarkun Shkodër. Një nga ato raste është edhe emërimi i drejtorit te ri të Tatimeve Shkodër, Sidrit Istrefi, i cili është kushëriri i ministres.
I pyetur nga mediat, Istrefi thotë se ka shumë kushërinj dhe se me Edonën ka vite që nuk ka asnjë kontakt. Pra, nuk e mohon që të ketë një lidhje familjare mes tyre.
Si rrjedhojë e ndikimit të Bilalit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shkelur ligjin dhe nuk ka organizuar konkursd për këtë vend pune. Vetë Drejtoria e pranon këtë fakt.
“Sqarojmë se, kjo procedurë e shpalljes së vendeve vakante, referuar legjislacionit në fuqi, ndiqet, organizohet dhe publikohet nga Departamenti i Administratës Publike, ku referuar dhe njoftimeve të publikuara për këtë shpallje, rezulton se të dyja fazat e procedurës së rekrutimit kanë përfunduar pa kandidatë fitues, arsye kjo e cila kushtëzon vazhdimin e komandimit të një nëpunësi për ushtrimin e funksionit” thuhet në shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Kujtojmë se edhe parardhësi i tij ka shërbyer si i komanduar në këtë detyrë.
Pra, me sa shohim Bilali nuk pyet për konkurse, ndërsa kushëriri i saj u shkakton Tatimeve miliarda lekë të munguara në buxhetin e shtetit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post