“Zhurmë, shumë zhurmë sa zhurmë./ Kjo është Tirona jonë, Tirona kontradiktës…ATY KU KRYETARI BERTET ME MEGAFON/ Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiron!”. Qysh kur ish-kryetari i bashkisë Tiranë, Edi Rama e këndoi këtë këngë në bashkëpunim me “West Side Family”, kanë ndodhur shumë gjëra, por vetëm zhurmat nuk u zhdukën.
Tani për zhurmat nuk bëhen më vargje, por tendera! Erion Veliaj ia ka kaluar mësuesit, nxjerr para edhe nga zhurmat. 50 milionë lekë jep kryebashkiaku që të “zbulojë” nga vjen zhurma?! 700 milionë lekë ka planifikuar deri në vitin 2027.
Në fillimet e tij, kur u bë kryetar, u thoshte qytetarëve denoncojini zhurmat në policinë bashkiake. Tani paguan drejtori mjedisi, agjenci konsumatori, agjenci parqesh, inspektoriate, por tenderat i bën vetë.
“Harta strategjike e zhurmave”
Me firmën e tij u ngrit Grupi i punës dhe vendosi të bëjë studimin e tregut për përllogaritjen e vlerës së kontratës, mbi bazën e të cilës përcaktohet fondi limit për procedurën e prokurimit. Pas kësaj është ngritur komisioni me Urdhër të Kryetarit të Bashkisë Tiranë “Për krijimin e komisionit për
hartimin e termave të referencës dhe përcaktimin e fondit limit për procedurën “Krijimi i hartës strategjike të zhurmave në Bashkinë e Tiranë”.
Është fjala për tenderin me objekt: “Krijimi i Hartës Strategjike të Zhurmave në Bashkinë e Tiranës”. Burimi i financimit për këtë hartë është buxheti i bashkisë që vihet vënë në dispozicion me anë të VKB-së nr.125, datë 22.12.2023 ‘’Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2024-2026 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2024”.
Tenderi u iniciua më 17 korrik 2024 me njoftimin në Agjencinë e Prokurimit Publik, me fond limit 4.999.722 lekë pa tvsh. Afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave ishte vendosur në datën 29 korrik 2024.
Tenderi u anulua në 12 gusht 2024. “Bazuar në Ligjin Nr. 162/2020, datë 23.12.2020 “Për Prokurimin Publik”, Neni 98, pika 1: b) në procedurat me një fazë nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme”, thuhet në njoftimin zyrtar. Duket se janë prishur pazaret!
Denoncimi në KPP
Tenderi u rishpall më 24 dhjetor 2024. Mes festave të fundvitit i erdhi radha edhe “hartës së zhurmave”.
Data e fundit për dorëzimin e dokumenteve ishte më 6 janar 2025, por ankesa e njërës prej studiove pjesëmarrëse e ka pezulluar procedurën. Operatori ekonomik “ENVIRONMENTAL MANAGEMENT CONSULTANTS” më 27 janar 2025 ka aplikuar online në Komisionin e Prokurimit Publik duke depozituar një ankesë për tenderin.
Shumë zhurmë… për 700 milionë lekë!
Erion Veliaj, siç është dëshmuar edhe nga hetimet dhe raportimet ne media, ka krijuar një rrjet kompanish të tipit “5D” që i mban me tendera. Dhe në këtë kuadër shpiken prokurime si ky që po raportojmë.
Nga shqyrtimi i objektit të tenderit, duket qartë se Bashkia Tiranë nuk ka funksion të merret me matjen e zhurmave, rrjedhimisht “hartën strategjike” duhet ta përpilojë me të dhënat e institucioneve të tjera shtetërore, që janë të akredituara dhe të ngarkuara me ligj.
Sipas dokumenteve të tenderit, Bashkia Tiranë ndërmerr nismën për të zbatuar një fushatë monitorimi në funksion të krijimit dhe miratimit të Hartës Strategjike të Zhurmës, si pjesë përbërëse e Planit Lokal për Menaxhimin e Zhurmave.
“Informacioni gjeneruar nga kjo fushatë monitorimi si edhe analiza e detajuar e përkthyer në hartëzimin e ndotjes do të mbështesë hartimin më tutje të masave të bazuara në fakte. Kjo në funksion të rritjes së shkallës mbrojtës së shëndetit dhe të mjedisit nga zhurmat, duke përcaktuar mënyrën e shmangies dhe masat për parandalimin, reduktimin dhe zhdukjen e efekteve të dëmshme të ekspozimit ndaj tyre, përfshirë bezdinë nga zhurma”, citojmë bashkinë.
Dhe kjo hartë “Heat-Map” do të shërbejë për shpalljen e zonave të qeta në mjedis të banuar ose në mjedis të hapur si dhe vendosja e kufizimeve për zhurmën në përputhje me nivelet e lejuara të zhurmave në mjedis sipas udhëzimit të Ministrisë.
Duket sikur bashkia po zbulon për herë të parë ekzistencën e zërit. Në fakt, për këtë qëllim, bën matje Instituti i Shëndetit Publik dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Ato kanë 15 stacione monitorimi në qytetin e Tiranës. Bashkia duhet t’i marrë ato të dhëna dhe të bëjë planet apo hartat e “luftës” kundër zhurmës.
Më poshtë është tabela e zonave më të ekzpozuara ndaj zhurmës në Tiranë.
Kjo është harta e monitorimit të zhurmave, që kërkon të bëjë me tender Veliaj:
Pra, me kërkesë të bashkisë mund të merren të dhëna të detajuara nga Instituti i Shëndetit Publik dhe të përditësohen hartat ekzistuese.
Për më tepër, Bashkia Tiranë ka shkuar më përpara dhe ka miratuar një Plan Veprimi për Kontrollin e Zhurmave (dokumenti më poshtë).
Jo vetëm kaq, por në këtë plan janë llogaritur edhe buxhetet sipas viteve që do të harxhohen për mbajtjen e zhurmave në normat e lejuara, që shkon në 700 milionë lekë dhe përfshin afatin deri në vitin 2027. Plani është porositur nga bashkia dhe është bërë nga një studio private,
“Kosto totale të njohura për zbatimin e masave të rekomanduara për periudhën 5 vjeçare përfshin: 70,000,000 Lekë (prokurime mallrash, shërbime konsulence, trajnime, mirëmbajtje dhe kalibrim pajisjesh, fushatë ndërgjegjësimi dhe edukimi, printime, etj). Zbatimi i Planit të Zhurmave është parashikuar të kërkojë një fond prej 30,000,000 Lekë vitin e parë për shkak të blerjes së pajisjeve, kalibrimit të tyre, trajnime, vendosja e mjeteve sinjalizuese…” citojmë planin.
Nëse janë blerë aparatet e matjen e nivelit të zërit, sipas planit, pse duhet tender për hartën e zhurmave? A nuk mundet bashkia të krijojë një database me matjet, apo një hartë?
Kujtojmë se kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, është nën hetim nga SPAK. Prokuroria e Posaçme sqaroi se hetimet, ende në fazë paraprake, kishin gjetur prova për të paktën katër akuza.
“Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal (korrupsioni pasiv), por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal”, thuhet në deklaratën e prokurorisë.
SPAK po ashtu bëri me dije se informacioni ishte verifikuar, ndërsa thanë se akuzat ishin regjistruar. “Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Regjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post