Mund të ndryshojnë drejtorët, kryebashkiakët, deputetët, administratorët dhe pronarët e firmave, por mbetet e njëjtë vazhdimësia e linjës së korrupsionit. Ky rast që do t’ju raportojmë e ilustron më së miri sagën e personazheve që lidhen me tenderat e përfituara nga një kompani me seli në një fshat të Fierit, që lidhjet i ka tek zyrat e pushtetit në Tiranë.
Tenderi me “Flamur të kuq”
Kompania quhet BEAN shpk dhe një nga tenderat e fundit ku ka fituar është me vlerën afro 2 milionë euro. Kontrata u lidh më 14 shkurt 2025 me firmën e drejtorit të Fondit shqiptar të zhvillimit, Dritan Agolli, por tenderi është zhvilluar qysh më 21 gusht 2024. Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me objekt “Ndërhyrje për rehabilitim dhe transformim mjedisor, peizazhit urban dhe natyror, etj: Unifikimi i gardheve në zona bregdetare, rehabilitim mjedisor dhe pika panoramike”.
Në atë kohë, Gijotina.com raportoi se tenderi ishte shënuar me “Flamur të kuq” nga Open Data Albania.
Një shënim me RedFlag është një fakt, ngjarje, ose grup i rrethanave ose informacione të tjera që mund të tregojnë një shqetësim apo ekspozim dhe mbi rrezik potencial të pajtueshmërisë ligjore për sjellje të paligjshme ose joetike të biznesit, veçanërisht në lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektimit të ligjeve anti-korrupsion.
Megjithëse morën pjesë 12 kompani në këtë tender, Agolli e eliminoi konkurrencën duke favorizuar kompaninë BEAN shpk. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit. Kusht: fituesi nuk është operatori me ofertën më të ulët”, përshkruhet tenderi me këtë rast.
Tenderi e ka fondin limit 141,717,379.39 lekë pa TVSH, por duke llogaritur tatimin e rimbursueshëm (plus shtesat e zakonshme të kontratave që bën Agolli pas ca kohësh) pritet që të shkojë deri në fund afro 2 milionë euro.
Megjithëse Agjencia e Prokurimit Publik e shpalli fituesin më 12 shtator 2024, nuk e kuptojmë përse projekti u mbyll në sirtarin e Agollit deri ditën e Shën Valentinit më 14 shkurt 2025.
Siç mësojmë, përsëri nga Agjencia e Prokurimit Publik, në këtë datë është firmosur një e ashtuquajtur minikontratë me vlerë 35,581,821 lekë pa TVSH, por me kohëzgjatje 2 vjet. Po përse u rrudh kontrata e madhe e këtij tenderi? A nuk mund të ndaj tenderi në lote dhe të mos ngarkohej e njëjta kompani me 4 apo 5 minikontrata në 12 qarqet e vendit?
Në fakt Dritan Agollit kushedi se cili ia bën gati letrat para se t’i firmosë, sepse nuk ka qenë në humor këto kohë, pasi është vënë nën hetim nga SPAK për korrupsion.
“100 fshatrat”, një projekt megakorrupsioni
Asnjëherë nuk doli një listë me 100 fshatrat që do të bëheshin model i turizmit, vetëm herë pas here nxirrte kokën korrupsioni me këto lekë. Ky projekt i është besuar Dritan Agollit. Në këtë kuadër është edhe ky tender që shënohet me fjalët magjike “projekte prioritare 100 fshtarat”. “Ky projekt ka si qëllim krijimin e modeleve për rrethime, mure, gardhe, etj., dhe të kenë kapacitetin estetik për të rregulluar imazhin e hapësirave publike të fshatrave, por edhe të garantojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e tyre, duke harmonizuar estetikën e instalimeve të reja me bukuritë natyrore dhe trashëgiminë arkitekturore të fshatit”, përshkruhet në hyrje të dokumentit teknik të dorëzuar bashkë me dosjen e tenderit në Agjencinë e Prokurimit Publik.
Një prej tenderave që ka bërë përshtypje në fillim të 2022, ka qenë krijimi i një menuje për 100 fshatra turistikë. Ndërkohë që ishte një tender me vlerë, 500 mijë dollarë dhe bëhej fjalë që do krijoheshin 100 menu për 100 fshatra turistikë. Dukej që ishte një tender i nisur keq, i fituar nga kompania e Alfio Rrotanit, një kuzhinier i njohur me Endrit Maçin dhe këta persona u shpallën fitues. Dukshëm kishim të bënim me një konflikt interesi të pastër pasi kuzhinieri Alfio Rrotani punonte si kryekuzhinier tek restoranti i djalit të drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Duke pasur parasysh se çfarë ndodhi ato ditë pasi media fliste shumë ky tender u anulua, por aso kohe Prokuroria e Posaçme e ka nisur kryesisht këtë hetim pas raportimeve të ndodhura në media. Është një hetim i nisur kryesisht nga SPAK pas lajmeve në media.
Më 12 nëntor 2024, Prokuroria e Posaçme ka marrë në pyetje drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli. Ai ka mbajtur disa detyra të rëndësishme në Bashkinë e Tiranës, në vitet 2002, deri në 2011. Ka qenë drejtor i Urbanistikës, drejtor i Punëve Publike dhe administrator i përgjithshëm i Bashkisë.
Pas vitit 2011, Agolli u angazhua në biznese private në fushën e ndërtimit dhe energjisë. Në vitin 2019, mendihmën e Veliajt u emërua drejtor të përgjithshëm të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Agolli ia dha kontratën firmës me ofertën më të shtrenjtë
Megjithatë, drejtor Agolli tregon se nuk ka frikë nga hetimet e SPAK, duke vazhduar ta lëshojë pa fre dorën duke firmosur tendera korruptivë. Këtë e vërtetojnë edhe ofertat e paraqitura në tenderin ku favorizohet BEAN Shpk. Nga një shqyrtim i dokumenteve të tenderit del se operatori “BEAN” sh.p.k ka dhënë ofertën me vlerë 106,179,634 lekë pa tvsh.
Por ndërkohë firma “EURONDERTIMI 2000” sh.p.k propozon ta bëjë këtë punë me 93,955,721
lekë pa tvsh. Po ku lejon Agolli t’i prishë dikush planin. Firma me ofertën më të ulët është skualifikuar pa ndonjë shkak të arsyetuar sipas ligjit.
A nuk e shikon Agolli diferencën prej 100 milionë lekësh mes dy ofertave? Shpjegimi gjendet tek “Flamuri i kuq” që shënon tenderin, siç e treguam më sipër.
Kompania që merr paratë dhe nuk bën punimet
Këto kompani përfituese në tenderat korruptivë kanë zakonin që nuk bëjnë punë me cilësi dhe në afat, ose i lënë fare pa i kryer ato.
Kujtojmë punimet e lëna përgjysmë nga firma “Bean SHPK”, për rehabilitimin e Lulishtes në Kinostudio më 2016.
Bashkia Tiranë i kishte dhënë kësaj kompanie tenderin 1.75 miliard lekë për rindërtimin e hapësirave publike tek zona e ish- Kinostudios, por qytetarët shpreheshin të revoltuar se punimet ishin skandaloze dhe të lëna përgjysmë. Kompania që abuzoi me fondet publike rezultonte të ishte në pronësi të Arben Gjojdeshit, vëllait të drejtorit të UKT, Neritan Gjojdeshi. Në atë kohë administrator i firmës ishte Arben Sadushi. Sipas kontratës që kompania ka patur me Bashkinë e Tiranës, punimet duhet të kishin mbaruar rreth 11 muaj më parë.
Ky skandal përkonte me rënien e fuqisë politike të deputetit të PS-së, Koço Kokëdhima, që i mbështeste vëllezërit Gjojdeshi të fitonin poste, tendera dhe fuqi ekonomike. 22 shkurt 2016, Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës Kanalizime Tiranë është liruar nga detyra pas problemeve me mbifaturimet e ujit të pijshëm. Bashkia shkarkoi nga detyra Neritan Gjojdeshin dhe do të emëronte në këtë detyrë z. Redi Molla, i cili kishte drejtuar më parë Drejtorinë e Përgjithshme të Punëtorëve të Qytetit Nr. 2 Tiranë. Molla aktualisht është burg për korrupsion pas daljes në dritë të skandalit “5D”.
Në këto kushte, Kokëdhima e caktoi Neritan Gjojdeshën drejtor të televizionit “A1 News”, të cilin e kishte në bashkëpronësi me italianin Carlo Bolino.
Edhe aty nuk iu ndanë telashet, sepse drejtori mori përsipër mëkatet e pronarëve ndaj gazetarëve. Drejtori i “A1 News” është kallëzuar në prokurori nga gazetarët se nuk paguante rrogat e disa muajve dhe sigurimet shoqërore.
Për të shpëtuar biznesin, vëllezërit Gjojdeshi ia kaluan kompaninë në pronësi 100% administratorit të tyre, Arben Sadushit. Edhe vetë Kokëdhima u tërhoq nga TV “A1 News” dhe ia la Carlo Bolinos në pronësi.
Për të rregulluar imazhin dhe për të vazhduar punën me tenderat në janar të vitit 2019 kompania e Sadushit, iu bashkua nismës “Adopto një konvikt”, përmes së cilës, synohej të ndërhyrja fillimisht në mjediset e përbashkëta të godinave dhe më pas edhe nëpër dhoma.
Në të vërtete gjithçka u bë me ndonjë qindarkë të parave që Sadushi kishte përfituar ndër vite me tenderë abuzivë. Gjithsesi, për t’i treguar se është mik i Rilinjdes dhe aferat do vazhdojnë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dorëzoi në shenjë vlerësimi Arben Sadushit “Medaljen e Mirënjohjes”.
Ndërsa theksojmë këtu se konviktet iu nënshkruan një tjetër rikonstruktimi pas viti 2019, me fondet e Rindërtimit pas tërmetit të nëntorit. Dhe qysh nga ajo kohë, për BEAN Shpk u çelën fondet nga Veliaj dhe drejtorët e tjerë të lidhur drejtpërdrejt me të.
Kujtojmë se Erion Veliaj u arrestua për korrupsion më 10 shkurt 2025 nga SPAK.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post