Pavarësisht protestave kundër ujësjellësit të Shushicës, banorët e fshatrave të Vlorës votuan masivisht për Ramën
Ndërkohë që komunitetet përgjatë Luginës së Shushicës, pjesë e njësisë administrative Horë-Vranisht në bashkinë Himarë, kanë shprehur vazhdimisht kundërshtinë e tyre ndaj projektit qeveritar për devijimin e ujit të lumit drejt bregdetit, rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit në këtë zonë tregon një mbështetje dërrmuese për Partinë Socialiste.
Banorët e fshatrave si Kuç, Tërbaç, Brataj dhe të tjerë në këtë zonë kanë qenë prej kohësh në konflikt me autoritetet lidhur me projektin e ujësjellësit të Himarës, i cili synon të marrë ujë nga burimi i Shushicës për të furnizuar resorte të mëdha turistike në bregdet. Kundërshtia e tyre bazohet në frikën se ky projekt do të cënojë furnizimin e tyre me ujë të pijshëm dhe për vaditje, duke shkatërruar ekonominë lokale të bazuar në bujqësi dhe blegtori, si dhe do të dëmtojë ekosistemin e lumit, i cili është pjesë e Parkut Kombëtar të Vjosës. Protestat e shumta, peticionet (përfshirë atë simbolik me firmat mbi tub), paditë në gjykatë dhe përballjet me makineritë e ndërtimit e madje edhe me policinë, kanë shënuar rezistencën e tyre ndaj një projekti që ata shprehen se u është imponuar pa transparencë dhe pa konsultim real.
Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe organizatat mjedisore (si IUCN dhe EcoAlbania) kanë mbështetur shqetësimet e banorëve, duke nxjerrë në pah ndikimet e rënda mjedisore dhe duke vënë në dyshim studimet zyrtare të ndikimit në mjedis. Banorë dhe aktivistë lokalë kanë përshkruar për mediat ndjenjën se “vijnë, marrin dhe ikin”, duke theksuar shkëputjen mes qeverisësve dhe nevojave të komunitetit.
Por, me gjithë këtë kundërshti të theksuar dhe të vazhdueshme ndaj një projekti specifik qeveritar, rezultatet e votimit në njësinë administrative Horë-Vranisht tregojnë një mbështetje të lartë elektorale për partinë në pushtet. Sipas të dhënave nga 6 qendrat e votimit në këtë zonë, Partia Socialiste mori 872 vota, që përkthehet në 77.93% të votave të vlefshme. Koalicioni opozitar Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore mori 129 vota, ose 11.53%.
Ky rezultat paraqet një situatë të ngjashme me atë të vërejtur në Hotolisht të Librazhdit dhe nxjerr në pah dinamika komplekse në zgjedhjet shqiptare, ku pakënaqësia ndaj politikave specifike qeveritare dhe rezistenca komunitare duket se nuk përkthehen domosdoshmërisht në një votë kundër forcës politike në pushtet.










Discussion about this post