Qysh kur u ul Ermal Dredha në kolltukun e Dritan Lelit, tregtari i karburanteve Dule Sadiraj i merr tenderat e bashkisë Vlorë pa garë. Brenda 12 muajve “Fjortes” shpk ka përfituar pa garë 1.5 milionë euro nga bashkia Vlorë. Asnjë konkurrent nuk paraqitet në këto tendera se e dinë të gjithë se fituesi është Dule Sadiraj.
Dhe Dredha i ka porositur të gjitha drejtoritë e bashkisë të blejnë naftë vetëm tek Dule Sadiraj. Dje ishte radha e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike Vlorë që t’i jepte tenderin Dules.
Tenderi pa konkurrencë
Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Karburant” që është regjistruar në Agjencinë e Prokurimeve publike më 26 mars 2025.

Open Data Albania e ka klasifikuar tenderin me “mungesë konkurrence” dhe e ka shënuar me “Flamur të kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit.
Komisioni i Dredhës nuk është lodhur të bëjë një përllogaritje të fondit limit, por ka marrë shifrën e planifikuar buxhetin e bashkisë, që është sa vitin e kaluar . Pra, dhurata për Dule Sadirajn është 21 166 667,00 lekë pa TVSH. Kjo ndodh prej dy vitesh. Këtë tender e merrte e njëjta kompani.
Tenderi është mbyllur shpejt brenda datës 25 prill, sepse vetëm kompania e Dule Sadriajt është paraqitur me ofertë. “Fjortes” shpk ka propozuar ofertën 20 678 117,00 lekë pa TVSH, ndërsa në dokumentet e shpalljes së fituesit, më 26 maj 2025, nuk pasqyrohet as fitimi për litër i kompanisë për karburantin e furnizuar, as ndonjë e dhënë tjetër, siç mund të ishte referenca në bursën ndërkombëtare.
Megjithatë është bërë një përllogaritje e sasisë së pritshme të naftës dizel që do të blihet tek kjo kompani brenda 12 muajve të ardhshëm.

Sipas grafikut të lëvrimit, “Fjortes” shpk do të furnizojë Bashkinë Vlorë me 140,579 litra naftë dhe 6500 litra benzinë.
Dule Sadiraj merr të gjitha paratë e karburantit të bashkisë
Nga një kontroll i tenderave të bashkisë Vlorë rezulton se kjo kompani ka fituar disa tendera brenda një kohe të shkurtër.
Më 28 shkurt 2025, kompania “Fjortes” ka marrë sërish me “Flamur të kuq” kontratën 27 399 582,00 lekë me objekt “Blerje karburant, Bashkia Vlorë”. Tenderin e ka firmosur nga Klevis Kaso me urdhër dhe delegim të kryetarit Ermal Dredha.

Këtë radhë, duke qenë se ishin zgjedhjet përpara, Dredha ka porositur tender me vlerë më të lartë se vitin e kaluar për karburantin e makinave të stafit dhe të vetën. Konkretisht, i njëjti tender, më 23 tetor 2023, i përfituar sërish nga “Fjortes”, e kishte vlerën 16 672 280,00 lekë. Pra, Dredha para zgjedhjeve bleu 110 milionë lekë karburant më tepër se një vit më parë.
Më 23 dhjetor 2024, “Fjortes” Shpk ka marrë nga shoqëria Ujësjellës Kanalizime e Vlorës kontratën 32 186 785,00 lekë.

Pavarësisht se letrat e tenderit tek Ujësjellësi janë bërë nga drejtori i përkohshëm Kendi Manaj, “kumbari” që vendos është Ermal Dredha. Dokumentet e tenderit u ndryshuan disa herë, në mënyrë që të përshtateshin me kërkesat e kompanisë së favorizuar nga Dredha.
Më 21 maj 2024, Dule Sadiraj mori tenderin “SEKTORI I BORDIT TE KULLIMIT DHE UJITJES, BLERJE KARBURANT”, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, Bashkia Vlorë. Fondi limit i këtij tenderi ishte 7 095 833,00 lekë pa TVSH.
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu e klasifikuar tenderin Open Data Albania. Procedura është shënuar me “Flamur të kuq”.

Më 31 maj 2024, Dredha i ka dhënë Sadirajt tenderin me vlerë 1 793 268,00 lekë me objekt “SEKTORI I GJELBERIMIT, BLERJE KARBURANT”. Edhe kjo procedurë është shënuar me “Flamur të kuq” nga Open Data Albania.

Më 3 qershor 2024, nga bashkia Vlorë, kompania “Fjortes” shpk ka marrë me “Flamur të kuq” tenderin me objekt “SEKTORIN E SHERBIMEVE, NSHP, BLERJE KARBURANT”. Në këtë rast, Dule ka arkëtuar 17 884 282,00 lekë.

Më vonë, në 14 qershor 2024, Fjortes mori nga Dredha kontratën 37 572 364,00 lekë me objekt “SEKTORI I PASTRIMIT, BLERJE KARBURANT”, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, Bashkia Vlorë”.

Pra, brenda një viti, “Fjortes” SHPK e Dule Sadirajt mori me favorizimin nga Ermal Dredha 148,610,231 lekë vetëm nga shitja e karburantit për bashkinë Vlorë. Nëse kryebashkiaku do të lejonte konkurrencën në tendera, do të kurseheshin të paktën 200 milionë lekë të vjetra nga ky fond. Kjo është tarifa e korrupsionit që e paguajnë qytetarët vlonjatë me taksat e tyre.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post