Thuhet se Arlinda Pogaj u detyrua të japë dorëheqje se i ka ardhur radha për t’u arrestuar nga SPAK. Ish-drejtoreshës së Operatorit të Blerjeve të Përqendruara i janë bërë gati letrat për në burg prej kohësh, por nuk ka qenë ky shqetësimi i kryeministrit Rama. Precedentët e mëparshëm tregojnë se Rama i ka mbajtur në detyrë drejtorët e akuzuar nga SPAK deri në fund, madje edhe në arrest shtëpiak.
Faktet flasin për një përplasje të madhe, e cila ka bllokuar tenderin e pastrimit të bregdetit dhe, sipas burimeve, është dashur të ndërhyjë kryeministri për ta zgjidhur. Në mes të këtij dueli, pala e padukshme është oligarku Shkëlqim Fusha, i cili është fitues i përhershëm i parave të pastrimit të plazheve.
Fushës i kanë dalë disa pengesa këtë vit për të marrë fondin 2.1 miliardë lekë. Kompania e tij nuk arriti as të bënte ofertë, pasi një konkurrent i fortë kërkonte të ndryshonte kriteret e tenderit.

Pronari Luan Kapri i “Rej” shpk, në anekesat e tij në KPP, linte të kuptohej se kriteret ishin bërë për një emër të përvecëm. “Ne kemi dyshime që ky veprim është bërë vetëm për të shmangur konkurencën e ndershme dhe operatorët të cilët kanë përvojë në këto shërbime…”, thekson Kapri në denoncimin e tij në KPP, në 27 prill 2026.
Gjatë këtyre përplasjeve Edi Rama u mundua të fitonte kohë duke organizuar aksionet e administratës dhe të ndërmarrjeve bashkiake të pastrimit që mblidhnin mbeturinat dhe pastronin rërën në bregdet.
Ndërkaq, filloi sezoni turistik dhe tenderi i pastrimit mbeti i bllokuar. Sipas, burimeve konfidenciale, kjo situatë që shoqërohej me ankesa nga bashkitë, por ndoshta edhe nga oligarku Fusha, e detyroi Ramën të përdorë “sopatën” e tij të zakoshme për të zgjidhur nyjen.

Në të njëjtën ditë e pësuan drejtoresha e tenderave Arlinda Pogaj dhe biznesmeni Luan Kapri.
Kujtojmë se biznesmeni Kapri është vëllai i ish-kryetarit të Bashkisë Pogradec, Eduard Kapri. Gjithashtu, Kapri është ortak i Gëzim Salillarit ose sic njihet “Gëzimi i Kashtës”, e dinte se nuk mund të fitonte në tenderin e pastrimit të plazheve, por bënte presion. Në këmbim donte të merrte ndonjë kontratë më të vogël. Kapri ia kishte vënë syrin paralelisht edhe dy tenderave të tjerë: Mirëmbajtja e Gjelbërimi të Spitalit Universitar të Traumës (SUT); Pastrimi i SUT.
Këto i mbajti “peng” me ankesa në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) për gati 9 muaj. Të tre tenderat, pastrimin e plazheve dhe gjelbërimin dhe pastrimin e SUT, i organizonte Operatori i Blerjeve të Përqendruara, i drejtuar nga Arlinda Pogaj dhe në varësinë direkte të ministrit të Ekonomisë, Blendi Gonxhe.

Si pasojë e “rrufeve” të Ramës, Luan Kapri, jo vetëm që nuk do të merrte asnjërën kontratë, por do t’i vinte një ndëshkim më i madh.
Më datë 11 qershor 2026, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) mori vendim ta përjashtonte konpaninë “Rej” shpk për 6 muaj nga tenderat publikë. Ky është një skualifikim me pasoja të mëdha për Kaprin. Kjo do të thotë se “Rej” nuk do të marrë pjesë nga torta e fondeve të projekteve që po ndahen para zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm.

APP kishte nisur procedimin administrativ për përjashtimin e operatorit ekonomik “Rej” Shpk, nga e drejta për të fituar kontrata publike, për keqinformim për qëllime kualifikimi në procedurën e prokurimit. Më konkretisht, bëhet fjalë për tenderin me objekt: “Shërbim Pastrimi për Spitalin Universitar të Traumës”, me
fond limit 245 milionë lekë të reja pa Tvsh. Kjo procedurë është mbajtur më 20 tetor 2025.
Sipas dokumentit, APP është vënë në lëvizje nga Vendimi i datës 20 janar 2026, i dërguar nga KPP, ku i është propozuar APP nisja e hetimit administrativ për operatorin ekonomik “Rej” Shpk.

KPP dhe APP janë dy institucione në varësi të Kryeministrit Rama që kontrollohen fort prej tij. Shkresa e KPP kishte humbur sirtarëve, por “u gjet” pas 5 muajve që përkon me kohën kur “Rej” shpk po bënte rrëmujë për tenderin e pastrimit të bregdetit.
Në rrethana të tjera, shkeljet e “Rej” shpk do të ishin toleruar dhe në fakt ishin anashkaluar nga muaji janar deri në qershor 2026.
Referuar dokumentacionit fizik të paraqitur rezulton se operatori ekonomik “REJ SHPK” sh.p.k., rezultonte se një autobot rezultonte me qera në kohën që Rej Shpk e kishte deklaruar në mjetet e disponueshme. Po ashtu ngatërresa kishte edhe lidhur me nje mjet për largimin e mbetjeve.
Po ashtu, një punonjës kopshtar, që në listë pagesë ishte shënuar si shtrues pllakash.
Për këto shkelje, APP ka vendosur të përjashtojë operatorin ekonomik “Rej” Shpk, nga e drejta për të fituar kontrata publike, për 6 muaj, duke nisur nga data 11 qershor 2026.
Ndërkohë që APP bënte “hetim administrativ”, Luan Kapri luftonte në KPP për 8 tendera njëherësh. Por më të rëndësishmit janë dy lotet e pastrimit të bregdetit.

Tekstet e dy ankesave për të dy lotet janë si dy pika uji dhe kërkojnë modifikimin e kritereve.
Kontrata “Shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare…”, është ndarë në dy lote:
Loti 1: Shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare për Bashkitë Shkodër, Lezhë, Durrës, Kavajë, Pogradec;
Loti 2: Shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare për Bashkitë Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë dhe Sarandë.
Fondi limit i caktuar për këtë punë është 207, 6 milionë lekë të reja, pa TVSH, i ndarë në 108, 2 milionë lekë për Loti 1 dhe 99,4 milionë lekë për Loti 2.
Tenderi ishte caktuar të mbahej më 18 maj 2026, por tashmë është pezulluar nga dy denoncimet e Luan Kaprit.
“Rej” shtron në ankesat e tij 10 argumente përse kriteret janë në shkelje të ligjit mbi prokurimin.

Sipas ankuesit thuhet se disa kërkesa janë të paplotësueshme sepse nuk lidhen me objektin e tenderit.
“Sikurse rezulton, në Formularin e Specifikimeve Teknike, por dhe në Formularin e Shërbimeve dhe Grafikut të Ekzekutimit, nuk është parashikuar asnjë zë shërbimesh që ka të bëjë me vendosje të jo më pak se 20 tualete portative të përshtatshme për instalimin dhe stacionimin në zona bregdetare. Nga ana tjetër, edhe sikur të ishte parashikuar një gjë e tillë, enti prokurues duhej të sigurohej dhe për marrjen e lejeve me qëllim vendosjen e tyre, në vendin dhe në kohën e caktuar. Ky është një detyrim i investitorit”,-këmbëngul denoncuesi.

“Mos ndoshta, këto kritere në mënyrë të tërthortë cojnë tek ndonjë operator ekonomik i caktuar?” pyet Luan Kapri. Në fakt të gjithë e dinë se “operatori i caktuar” është “Fusha” shpk.
Që prej vitit 2022 deri në 2025, tenderat për pastrimin e bregdetit janë zhvatur nga Fusha shpk. Fillimisht, kontratat janë dhënë nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, ndërsa më pas nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Ndërsa vlera e këtyre kontratave ka ardhur në rritje nga viti në vit. Nga ana tjetër, përsëritja e kontratës për Shkëlqim Fushën bën kontrast me mungesën e pastërtisë në plazhe, fakt i evidentuar nga vetë institucionet.


E megjithatë, Luan Kapri nuk ka qenë i vetëm në përplasjen e tij me palën tjetër që synon tenderin e pastrimit të bregdetit. Brenda 6 muajve, “Rej” shpk ka depozituar 20 ankesa për 8 tendera! Nuk ka humbur asnjë lek nga tarifa e ankimit në KPP. Parapagimi i tarifës nga operatori ekonomik ankimues ose operatori ekonomik i interesuar është kusht i domosdoshëm për pranimin dhe shqyrtimin e ankesës. Kjo vlerë është 04% dhe 0.5% sipas llojit.

Në rastin konkret, tarifa që i shkon arkës së shtetit për të dy lotet bashkë, është afro 8 milionë lekë. Në të dy rastet, “REJ” shpk e ka marrë mbrapsht tarifën sepse ka marrë vendime pozitive të pjeshme në KPP.

Vendimet për Luan Kaprin kanë brenda një pikë të vecantë: Ngarkohet zyra e financës, që të bëjë kthimin e tarifës financiare të paguar nga operatori ankimues “Rej” shpk.
Në këtë mënyrë, KPP dhe Kapri kanë vazhduar së bashku lojën deri në momentin kur shpërthyen “rrufetë” nga lart.

Më 2 qershor 2026, me vendimin refuzues ndaj ankesës së re të Luan Kaprit, nis kronologjia e kthesës në favor të palës së padukshme, që me shumë gjasa mund të jetë Fusha. Në 11 qershor 2026, vjen ndëshkimi nga APP për Kaprin dhe po atë ditë është dorëzuar dorëheqja drejtoreshës së OBP, Arlinda Pogaj.
“Detyrat kalojnë, por puna e ndershme, vlerat dhe kontributi mbeten”, shkruan Pogaj në rrjetet sociale, pasi dorëzoi zyrën në mënyrë të papritur.


A është Shkëlqim Fusha “peshku i madh” që hëngri zyrtaren dhe biznesmenin? Për momentin tenderi i pastrimit të bregdetit akoma nuk ka një fitues. Ndërkohë Fusha është nën hetim për llogari të dosjes së Erion Veliajt. Ndoshta ka “peshqe” të tjerë në këtë telenovelë korrupsioni, ku SPAK rri e vështron.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet .nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016










Discussion about this post