Prej gati 1 viti Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nuk po arrin të finalizojë tenderin për monitorimin e treguesve mjedisorë në tre hidrocentralet e Kaskadës së Drinit për shkak të ankesave të operatorëve ekonomikë dhe pranimit të tyre nga Komisioni i Prokurimit Publik.
Vitin e kaluar KPP vendosi anulimin e procedurës, teksa në datën 8 gusht KESH rishpalli garën për kompanitë e interesuara. Megjithatë, tenderi është ankimuar sërish pranë Komisionit të Prokurimit Publik, teksa kompania që ka depozituar ankesën kërkon ndryshimin e kritereve të kualifikimit. Sipas dokumentit të depozituar në KPP, kompania e konsideron të padrejtë kërkesën për të patur me pronësi apo me qira lobaratorin fiziko-kimik që do të kryejë analizat.
Sipas ankesës, “operatorët ekonomikë, që janë të specializuar për këtë shërbim janë laboratorë mjedisorë, të cilët kanë këtë objekt veprimtarie dhe kanë punonjës të specializuar, pajisje testuese laboratorike me anë të të cilave merren dhe analizohen të dhënat nga kampionë të ndryshëm”.
“Nuk mundet që një operator ekonomik, i cili merret me një veprimtari të ndryshme dhe që nuk e ka objekt vperimtarie monitorimin mjedisor të marrë me qera laboratorë e të konkurrojë në tender”,-thueht ndër të tjera në ankesë.
Kontestime shprehen edhe në lidhje me kriteret e kapaciteteve dhe përvojës që duhet të zotërojë kompania. Monitorimi i treguesve mjedisorë vjen në zbatim të detyrimeve që lindin nga marrëveshja e kredisë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Ristrukturimi i KESH sh.a”.
Discussion about this post