Roven Zeka nuk është thjesht një emër në një urdhërarrest të SPAK-ut. Ai është fotografia më e fundit në albumin e trishtueshëm të shtetit shqiptar: një sistem që rrëzohet në gjunjë sa herë drejtësia tenton të trokasë.
Shefi i qarkullimit rrugor të Tiranës, ai që duhej të garantonte rend dhe disiplinë në rrugë, tentoi të arratisej kur pa agjentët e SPAK-ut — por u përplas përdhe, duke u ndalur jo nga drejtësia, por nga gjunjët e vet që s’mbanin më peshën e korrupsionit. Një skenë që do të ishte komike, po të mos ishte simbolike për një sistem ku rendi bie gjithmonë në gjunjë përpara pushtetit.
Kur sheh një zyrtar të lartë policie që vrapon si hajdut nate për t’i shpëtuar prangave, nuk ka më nevojë për prova të tjera: sistemi është i kalbur. Nuk është fjala për një “polic të korruptuar”, por për një shtet të kapur, të degraduar, që prodhon dhe mbron këtë lloj njerëzish.
Sepse Zeka është produkt. Ai është një nyje e vogël në një zinxhir të gjatë korrupsioni, ku pushteti është bërë mburojë për hajdutët me kollare, dhe drejtësia është kthyer në një fjalë që shqiptarët e përmendin me sarkazëm në kafene, e jo me besim në gjykatë.
Dhe ndërsa qytetarët lodhen çdo ditë me një sistem që i ndëshkon për një gjobë parkimi apo një faturë të papaguar, të njëjtët qytetarë shohin si shefat e pushtetit rrëmbejnë miliona dhe marrin dënime “me kusht” — nëse dënohen ndonjëherë. Çfarë mësojnë shqiptarët nga kjo? Se ligji është për të dobëtit. Se po nuk pate mik në qeveri, në polici, në drejtësi — je i vdekur për së gjalli.
Në një shtet normal, arrestimi i një shefi policie për korrupsion do të ishte lajm tronditës. Në Shqipëri, është thjesht një e shtunë tjetër. Madje, është kthyer në rutinë: çdo muaj, SPAK kap një tjetër zyrtar që ka ngrënë me dy lugë. Dhe sado që ne entuziazmohemi për ndonjë arrestim të bujshëm, e vërteta e hidhur është se për çdo Roven Zekë që bie, ka dhjetë të tjerë që ecin me kokën lart, të mbuluar nga hijet e pushtetit.
Ku është Edi Rama në gjithë këtë histori? I njëjti që krekoset nëpër ekrane për drejtësinë e re, tani hesht kur drejtësia i hyn në oborr. Sepse kjo drejtësi, sa herë afrohet te dyert e pushtetit, përballet me mure të padukshme. Nuk është më reformë, është farsë. Një show politik për t’u shitur ndërkombëtarëve, ndërsa në Shqipëri populli thërret: “Reforma? Ku është?!”
Dhe ndërkohë që shefi i policisë përplas gjunjët në tokë në tentativë për të ikur nga përgjegjësia, një popull i tërë është në gjunjë prej vitesh: nga varfëria, nga padrejtësia, nga abuzimi, nga korrupsioni që është bërë oksigjen për klasën politike dhe kancer për vendin.
Roven Zeka nuk u rrëzua sepse u lodh nga vrapi. Ai u rrëzua sepse është pjesë e një sistemi që ka filluar të shembet nga brenda. Dhe kur bie një tullë, mos u gënjeni — është vetëm çështje kohe derisa muri të marrë me vete të gjithë ata që janë ndërtuar mbi të.
Por pyetja që mbetet është kjo: a do të rrëzohet edhe populli bashkë me të, apo më në fund do të ngrihet? Sepse shembja e sistemit nuk është tragjedi — tragjedia është nëse ne vazhdojmë të jetojmë brenda tij, si pengje të një shteti që na do vetëm si votues e kurrë si qytetarë.
Gijotina.com
Discussion about this post