Kryeministri Edi Rama deklaroi sot pas mbledhjes së Kryesisë së PS se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS, por e popullit shqiptar dhe se kjo vijë e kuqe do të garantojë kalimin në një nivel tjetër të vetë cilësisë dhe të qasjes së administratës shtetërore.
“Një proces tjetër të transformimi të brendshëm dhe hapjeje dhe në bazë të disa vendimeve puna në territor do të zhvillohet paralelisht për analizat e rezultateve qendër për qendër, për të verifikuar cilësinë e përfshirjes të gjithë anëtarëve të PS në zgjedhje në raport me rezultatet dhe njëkohësisht për ta hapur partinë për prurje të reja nga shoqëria pavarësisht moshës dhe për të krijuar një bazë të re për të ecur më tutje.
Ajo qe do të nënvizoja shumë të rëndësishme nga kjo mbledhje dhe që falë jush do ta ndaja me të gjithë publikun, por në radhë të parë me të gjithë familjen tonë politike në territor është një vijë e kuqe e cila është vendosur fortë në kongresin e partisë dhe do të thellohet në vijimësi është se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS.
Janë pronë e popullit shqiptar dhe janë funksion i qeverisë dhe i gjithë strukturave ekzekutive të Republikës së Shqipërisë bazuar në kushtet dhe ligjet në fuqi. Ta kenë të qarte të gjithë këtë gjë.
Kjo nuk është propagandë, është vija ndarëse që do na garantojë kalimin në një nivel tjetër të vetë cilësisë dhe të qasjes së administratës shtetërore në raport me publikun” – u shpreh Rama.
Rama është pyetur edhe për ankesat e PS-së lidhur me punësimet në Shkodër, ku sipas tyre vendet e punës po merren nga partia e Tom Doshit. Ndërsa tha se nuk merret me thashetheme të dala rrugëve, duke shtuar se deputetët nuk janë zyra pune dhe as punëdhënës.
“Unë nuk hyj në thashetheme që dalin rrugëve dhe marrin forma të ndryshme, nga mbledhje që mund të kenë një përmbajtje tjetër. Deputetët janë aty për t’i shërbyer popullit dhe qytetarëve. Ata janë aty për të çuar mesazhet e nevojshme dhe për të sjellë në grupin parlamentar dhe veshët e qeverisë shqetësimet e njerëzve. Deputet nuk janë punëdhënës dhe as zyra puna.
Proceset se si organizohet puna e shtetit dhe si bëhen rekrutimet në administratë janë procese që rregullohen nga ligjet e shtetit dhe nuk është punë e deputetëve” – tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka folur edhe në lidhje me draftopinionin paraprak të Komisionit të Venecias që duket se vulos vlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 Qershorit 2019. I pyetur nga gazetarët se çfarë do të ndodhë me bashkitë që nuk kanë ende kryetar të vlefshëm, Rama tha se procesi në fjalë nuk është në dorën e tij.
“Për këtë nuk duhet të më pyesni mua, duhet të pyesni atë që ka në dorë këtë punë. Këto procese duhet të ishin bërë me kohë, por nuk jam unë personi që e ka në dorë këtë gjë”, u shpreh Rama.
Ndërsa, për bashkëpunimin me opozitën për reformën në drejtësi, kryeministri Rama i hedh poshtë të gjitha aludimet duke thënë se vetingu nuk është një kërkesë partiake.
Rama nga ana tjetër, u shpreh se është një proces i domosdoshëm kombëtar për pastrimin e llumit në sistemin e drejtësisë.
“Është një domosdoshmëri që vjen si rezultat i një procesi që e ka tregur sa i vyer është për pastrimin e llumit nga sistemi i drejtësisë për të nxjerrë në pah njerëzit me integritet, nuk mund të ndërpritet dhe është reformë e bazuar te një partneritet me ndërkombëtaret, me BE dhe SHBA.
Vija është shumë e ndarë.
PS është në proces reflektimi dhe kjo na ka garantuar që të rrimë në lartësinë e pritshmërive të publikut dhe përmirsimi është domosdoshmëri për ne. Ne jemi sot sërish në qeveri si force e vetme por nuk duhet harruar se ne nuk na kanë sjellë thjesht votat e anëtarësisë por votat dërrmuese të shqiptarëve dhe ne i përfshijmë në familjen tonë politike duke thyer barrierat që vendos koha dhe u japim mundësi të ndihen mirë. Jo se i bëjmë mirë të gjitha gjërat por perpiqemi gjithmonë per më të mirën.
Vënia në drejtësi është diçka për t’u kryer dhe në këtë pikë nuk ka kthim mbrapa.
Reforma në drejtësi nuk është kërkesë partiake, është e gjithë fëmijve të vendit, kombëtare. Të tjerat janë ceshtje që diskutohen por njëra me tjetrën nuk kanë lidhje fare”- tha Rama për mediat.
Por, gazetarët e kanë pyetur edhe për satelitët, ku nga foltorja e Kuvendit ai paralajmëroi se Shqipëria do të dërgojë në orbitë, duke nisur nga viti i ardhshëm, dy satelitë, të emërtuar “Albania 1 dhe Albania 2”. Sot, Kryeministri u shpreh se këto Satelitë do t’i kemi shumë shpejtë duke treguar dhe se për çfarë do të shërbejnë.
“ Qeshni, qeshni por do e shihni shumë shpejt. Po të them unë që satelitët lidhen me ujin 24 orë ca do thoni ju? Të gjitha bashkë do bëhen. Ideja se nuk kemi ujë 24 orë nuk duhet të kemi as satelitë është e gabuar. Me satelitë do të mund të identifikojmë çdo lloj ndryshimi të paligjshme në shtretër të lumenjve. Ashtu siç do të kemi kontroll të plotë mbi mjedisin, sa i takon prerjes ilegale të pyjeve dhe grumbullimit të mbeturinave. Nuk është se do bëjmë kërkime në mars. Por na duhen sy inteligjentë për të pasur në kohë reale informacion për territorin tonë dhe për të konfirmuar në kohë reale çdo ndërtim pa leje që bëhet në Shqipëri. Gjithkush që kryen veprime të paligjshme dhe cënoi territorin, duhet ta ketë parasysh që është duke e parë dikush tjetër që nuk mund të korruptohet, dhe nuk mund t’i gjesh lidhje farefisi se është larg” – u shpreh Kryeministri Rama.