Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë këtë të mërkurë, 26 gusht, një vendim të rëndësishëm për pagat e magjistratëve.
KLGJ ka vendosur të përllogarisë pagën e gjyqtarëve në përputhje me përcaktimet e Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi u miratua unanimisht nga 11 anëtarët e Këshillit, duke i dhënë fund pasigurisë së krijuar gjatë muajve të fundit.
Sipas vendimit, paga referuese bazë për magjistratin do të llogaritet mbi bazën e përcaktimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe VKM-së nr. 325/2023.
Paga për pozicion përcaktohet në shumën 222,425 lekë, ndërsa shtesa për nivelin e kualifikimit “Grupi i diplomës 1” është 14 mijë lekë.
Këto ndryshime do të zbatohen duke nisur nga 1 gushti 2026 dhe në vijim.
Vendimi i KLGJ-së i ngarkon Ministrisë së Financave detyrimin për të garantuar mbështetjen e nevojshme buxhetore.
Por efekti financiar i vendimit shkon edhe më pas, pasi rillogaritja do të ketë efekt prapaveprues.
Sipas pikës 4 të vendimit, do të përllogariten diferencat për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.
Llogaritjet do të kryhen për të gjitha funksionet gjyqësore në gjykatat e të tre niveleve.
Ky vendim vjen në një kohë kur Kuvendi dhe qeveria nuk kishin ndërmarrë ende hapat për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
KLGJ ka paraprirë kështu institucionet ekzekutive dhe legjislative në zbatimin e përcaktimeve kushtetuese.
Tashmë, topi është në fushën e Ministrisë së Financave, e cila duhet të garantojë fondet për zbatimin e vendimit dhe rillogaritjen e pagave.










Discussion about this post