Prej disa ditësh, kreu i qeverisë, Edi Rama duket se i ka hapur “luftë” kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e sulmuar hapur për ndërtimet e kullave në kryeqytet. Madje, veç sulmeve që kreu i qeverisë i bëri për ndërtimet pa leje, duke deklaruar se do i sekuestrojë ato, shkoi edhe më tej, duke nxjerrë një vendim qeverie për sekuestrimin e këtyre ndërtimeve, një vendim, i cili mund të jetë antikushtetues, por për këtë do diskutohet më vonë, nëse vendimi nis zbatimin, ashtu siç ka paralajmëruar Rama.
Nga ana tjetër, ai i ka lëshuar në kurriz Veliajt edhe ministrat e tij, por ata që kanë spikatur më shumë, të cilët kanë dalë dhe në media janë Bledi Çuçi dhe Belinda Balluku. Madje, kjo e fundit shkoi edhe më tej, duke hedhur kunja të fortë ndaj Veliajt, kur në një deklaratë të saj e konsideroi si “mister” sesi këto pallate ishin ndërtuar pa pasur lejen e duhur.
Por, ajo që qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm, e kuptojnë qartë është fakti se këto kate janë ngritur me bekimin e Erion Veliajt, pasi pa leje nuk mund të ngulësh një gozhdë në shtëpi se të vjen policia bashkiake, jo më të ngresh një kat pallati. Megjithatë, sot që hyn në fuqi vendimi i qeverisë për sekuestrimin e pallateve pa leje, ku deri tani janë dy në numër, ai i Lul Morinës dhe i Salillarit, Belinda Balluku ka dalë me një tezë të re, duke deklaruar se Erion Veliajn e ka shok, pi kafe në mëngjes me të, etj etj.
“Erioni ka shkëlqyer në Bashkinë e Tiranës, popullariteti që ka tregon se ka ditur t’i bëjë gjërat mirë dhe mund ta bëjë edhe më mirë në 4 vitet e ardhshme. Gjej rastin të them se jemi dy njerëz që na bashkojnë familjet, Erioni është nun i vajzës sime. Dhe kur ulemi ndonjë fundjavë të hamë mëngjes bashkë dhe të bisedojmë njerëzit na shohin me çudi pikërisht prej këtyre fjalëve që dalin por nuk janë të vërteta”, u shpreh Balluku gjatë një interviste për emisionin “Now” në “Euronews Albania”.
Për hir të fakteve që dihen në qarqet politike dhe mediatike, kjo deklaratë kuptohet si zbythje e Ramës, bashkë me Belindën në sulmin ndaj Veliajt, ose si lojë e dyfishtë e Belës.
E para për arsyen se Belinda Balluku e ka sulmuar Erion Veliajn dhe marrëdhëniet kanë qenë të tensionuara që në zgjedhjet e fundit, ku ajo ishte caktuar në zonën e Kombinatit dhe për faktin se Veliaj punoi për të nxjerrë Fatmir Xhafën deputet. Ndërkohë, prej disa kohësh, Rama ka filluar të investojë tek Belinda si pasardhëse të tij, duke qenë se besimi ndaj Veliajt ka qenë skeptik, sidomos pas arrestimit të Saimir Tahirit, pasi siç dihet përfituesi kryesor i largimit të Tahirit nga politika ishte Veliaj.
Madje, Veliaj me lidhjet e tij me SPAK dhe prokurorë të korruptuar, ka ndikuar në goditjen e rivalit direkt që kishte për kreun e PS, gjithmonë pas largimit të Ramës. Por, kjo deklaratë e Belindës mëngjesin e sotëm ka turbulluar ujërat. Ose ajo ka tradhtuar Ramën, ose për hir të lidhjeve të vjetra po luan një lojë të dyfishtë, duke i çuar mesazhin kryebashkiakun, se nuk po të sulmoj unë, por Rama. Madje, kjo lojë bie në sy edhe për faktin se për të tretin vit radhazi, ish bashkëshorti i Belindës, Sokol Balla hapi sezonin e ri të emisionit të tij politik, pikërisht me “të ftuarin e nderit Erion Veliaj”, duke i bërë kështu qokën e radhës, ku Veliaj u mbrojt me tezën se vetëm 10 kulla janë në Tiranë dhe se nuk po na harxhonin ajrin…
Discussion about this post